Gjendja në buxhetin e Maqedonisë së Veriut është alarmante, do të ketë hetim se si janë harxhuar paratë, deklaroi Mickoski

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Hristijan Mickoski, ka vlerësuar se gjendja me buxhetin e e Maqedonisë së Veriut është alarmante, por shpreson se përmes rebalancit do të përmirësohet gjendja, transmeton Portalb.mk.

“Gjendja e trashëguar me Buxhetin është alarmante, mungojnë para, do të ketë hetim se si janë harxhuar, por do të bëjmë rebalancë që do të stabilizojë gjendjen”, deklaroi Mickoski.

Ai duke vlerësuar se gjendja e buxhetit është alarmante dhe katastrofale, theksoi që do të ketë hetime rreth shpenzimeve, ndërsa organet hetuese do të kenë shumë punë.

“Ka një gjendje katastrofale alarmante që e kanë lënë, kanë krijuar Buxhet për gjashtë muaj, prej kur e kanë hartuar Buxhetin e kanë ditur që nuk do të jenë më shumë në Qeveri, por janë angazhuar që sa më shumë probleme t’i krijojnë qeverisë së re”, deklaroi Mickoski.

Ndryshe, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka filluar procedurat për rebalancin e buxhetit të shtetit, ashtu që pritet rebalanci të bëhet në fund të muajit korrik apo fillimi të muajit gusht.

Pas rebalancit pritet të ndahen 250 milionë euro për komunat, ashtu që Ministria e Vetëqeverisjes Lokale do të shpallë thirrje për të gjitha komunat që të aplikojnë për këto mjete. Ndërkohë është planifikuar shkurtim i shpenzimeve në investimet kapitale.