Gjendja në Bangladesh mbetet shumë e rëndë

Pas protestave dhe trazirave në Bangladesh Gjykata e Lartë e Bangladeshit vendosi që të rezervohen vetëm shtatë për qind të vendeve të punës në sektorin publik për grupe të caktuara të popullsisë, transmeton DW.

Fillimisht kjo kuotë ishte parashikuar të ishte 30% dhe do të favorizonte pasardhësit e “luftëtarëve të lirisë” që luftuan për pavarësinë e Bangladeshit nga Pakistani në vitin 1971. Kjo nga demonstruesit konsiderohet si favorizim i përkrahësve të kryeministres Sheikh Hasina dhe partisë së saj në pushtet Awami League, pretendim ky që kjo parti e mohuar.

Në vendimin e saj Gjykata e Lartë e Bangladeshit këshillon që 93% e të gjitha emërimeve të bazohen me efekt të menjëhershëm në merita, dhe vetëm 5% vende pune të rezervohen për pasardhësit e luftëtarëve të lirisë dhe 2% njerëzve nga pakicat etnike ose me aftësi të kufizuara.

Megjithatë vendimi ka më tepër karakter rekomandues, sepse në të theksohet se qeveria ka të drejtë ta ndryshojë raportin e kuotave që rekomandon gjykata.

Studentët duan t’i vazhdojnë protestat

Përfaqësuesit kryesorë të protestave studentore e përshëndetën vendimin, por thanë se do t’i vazhdojë demonstratat.

Sarjis Alam, një nga koordinatorët e protestës për reformën e kuotave, tha për DW se vendimi i gjykatës nuk u përgjigjet plotësisht kërkesave të studentëve, pasi në thelb ai lë në dorë qeverisë të vendosë sesi do të zbatojë sistemin e kuotave.

“Gjykata tha se çështja e kuotave është një vendim politik i qeverisë dhe se  nëse duan autoritetet mund ta ndryshojnë raportin e kuotave,” tha Alam. Ai shtoi se gjykata i ka kërkuar qeverisë që të njoftojë sa më shpejt se si synon ta reformojë sistemin e kuotave.

“Ne duam të shohim se sa e shpejtë është qeveria dhe nëse ajo reformon kuotat për të gjitha vendet e punës në qeveri ose jo. Ne do të reagojmë në bazë të përqindjes së kuotave që shpall qeveria,” shtoi ai.

Megjithatë sipas informacioneve të BBC-së protestuesit nuk kanë ende një linjë të përbashkët se ç’synime do të ndjekin me vazhdimin e protestave. Disa kërkuan ndër të tjera lirimin e të gjithë studentëve të arrestuar dhe dorëheqjen e qeverisë.

Policia e Bangladeshit tha se deri tani ka arrestuar gjatë protestave të dhunshme të paktën 532 vetë. Midis tyre janë edhe anëtarët kryesorë të partisë opozitare Partia Nacionaliste e Bangladeshit (BNP), tha një zëdhënës i departamentit të policisë në kryeqytetin e vendit Daka.