Gazetarja Miroslava Simonovska u filmua fshehurazi, ShGM bëri thirrje për hetim të menjëhershëm

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) dhe Sindikata e Pavarur e Gazetarëve dhe Punonjësve të Mediave (SPGPM) shprehin shqetësim të thellë për shkeljen e fundit të të drejtave themelore të anëtares së tyre, gazetares Mirosllava Simonovska, për shkak të incizimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të një videoje, ku gjoja ajo merr një dokument, transmeton Portalb.mk.

Kjo video, e dërguar në një televizion kombëtar nga kreu i Prokurorisë së Lartë Publike, Mustafa Hajrullahi, ngre çështje serioze mbi privatësinë, ndjekjen e paligjshme dhe të drejtat e gazetarëve në Maqedoni, thonë shoqatat.

“Publikimi i videos së incizuar të gazetares Mirosllava Simonovska në mënyrë të paligjshme, cenon privatësinë dhe të drejtat e saj themelore, pavarësisht se materiali i publikuar ka identitetin e mbrojtur. Çdo gazetar ka të drejtë të lëvizë lirshëm dhe të komunikojë me qytetarët pa frikën e ndjekjes së paligjshme ose shkeljes së privatësisë. Ky veprim, i cili besojmë se synon të frikësojë dhe diskreditojë Mirosllava Simonovskan për shkak të punës së saj kritike, veçanërisht në hetimin e Prokurorit të Lartë Publik, përbën një sulm të drejtpërdrejtë ndaj pavarësisë së gazetarisë dhe një kërcënim për të gjithë gazetarët profesionistë. Kjo krijon një rrezik për autocensurë dhe minon rolin e rëndësishëm të mediave në mbikëqyrjen e pushtetit, veçanërisht pasi nuk është një rast i izoluar”, thonë nga ShGM.

SHGM dhe SPGMP kanë marrë sot në mëngjes ankesa nga gazetare të tjera që raportojnë presione të ndjeshme për tema të lidhura me punën e Prokurorisë së Lartë Publike.

“Informojmë se sot në mëngjes gazetarja Mirosllava Simonovska ka paraqitur një kallëzim penal në Prokurorinë Themelore Publike në Shkup për inçizimin e paautorizuar nga një person zyrtar. Kërkojmë që Prokuroria Themelore Publike të ndërmarrë një hetim të plotë dhe të menjëhershëm për këtë rast dhe u bëjmë thirrje institucioneve kompetente të mbrojnë të drejtat dhe sigurinë e gazetarëve”, thonë nga SHGM.

SHGM dhe SPGPM do të njoftojnë organizatat ndërkombëtare për mbështetjen e mediave për këtë shkelje skandaloze të të drejtave të gazetarëve, e cila mund të ketë një efekt frikësues për lirinë e medias në Maqedoni. Kjo, thonë ata, rrezikon seriozisht lirinë e gazetarëve, duke frikësuar jo vetëm ata, por edhe të gjithë qytetarët që mund të shërbejnë si burime për të ekspozuar keqpërdorimet në institucionet shtetërore.

Gjithashtu, u bëjnë thirrje mediave që rastet me materiale të siguruara në mënyrë të dyshimtë t’i trajtojnë me kujdes të veçantë dhe të respektojnë rreptësisht standardet etike.