Gashi nuk e di se kur ose si do të zgjidhet pjesëmarrja e kandidatëve të pavarur në zgjedhje

Grupet parlamentare në Kuvend vazhdojnë t’i mbajnë edhe më tej kandidatët e pavarur për kryetar komune dhe këshilltarë jashtë pjesëmarrjes në zgjedhjet lokale dhe nuk e zgjidhin statusin e tyre, pasi Gjykata Kushtetuese në mars shfuqizoi dispozitat me të cilat partitë kryesore ua detyruan mijëra nënshkrime që të mund të kandidonin për poste, raporton SDK, transmeton Portalb.mk.

Kështu, pa rregullore dhe rregulla, të pavarurit nuk mund të kandidojnë për poste dhe të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme.

Në përgjigje të pyetjes së gazetarëve sot në një brifing në zyrën e tij, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, tha se kjo çështje do të duhet të zgjidhet, por ai vetë nuk e di se si dhe kur partitë parlamentare do të kenë guximin ta miratojnë ligjin.

Ai thotë se kjo çështje është pezull dhe nëse nuk zgjidhet deri në pushime, do të duhet të zgjidhet menjëherë në ditët pas pushimeve.

“Gjykata Kushtetuese urdhëroi miratimin e një Kodi të ri Zgjedhor pasi në mars shfuqizoi nenet që kërkonin që kandidatët e pavarur të kishin një numër më të madh nënshkrimesh për të kandiduar në zgjedhje, por tani, në fund të korrikut, kushtet për miratimin e normave të reja nuk janë përmbushur. Pati marrëveshje nga partitë kryesore, ndërsa BDI dhe Levica kundërshtuan. Nëse nuk e votojmë deri në fund të këtij muaji, nuk e di se çfarë do të bëhet, por kemi folur në takimet koordinuese të grupeve parlamentare se Kodi Zgjedhor është një çështje që duhet ta zgjidhim. Do ta miratojmë pas festave”, shpreson kryetari i Parlamentit.

Nismat e pavarura dhe aktivistët qytetarë nga mbarë vendi kanë reaguar sërish për pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhje. Ata thonë se vetëm dy javë para se deputetët të shkojnë në pushime kolektive dhe tre javë deri në shpalljen e zgjedhjeve, kanë pasiguri ligjore dhe vënie në pikëpyetje të të drejtave të garantuara kushtetuese të mijëra qytetarëve, me dështimin për të përcaktuar pjesëmarrjen e kandidatëve të pavarur në zgjedhjet e ardhshme.

Presidentja e Maqedonisë së Veriut pritet që së shpejti t’i shpallë zgjedhjet lokale që do të mbahen në tetor të këtij viti. Të qarta janë datat, por jo edhe rregullat sa i përket ndryshimeve të Kodit Zgjedhor për të cilat partitë politike janë bërë lëmsh sepse duhet të votohen me shumicë Badinteri. Propozim-ligjin e parë ua rrëzoi Gjykata Kushtetuese.  Aktualisht ndryshimet e Kodit Zgjedhor ndodhen në lexim të dytë në Kuvendin e RMV-së.