Funksioni i bllokimit do të hiqet nga platforma X, paralajmëroi Musk

Rrjeti social X, e njohur më parë si Twitter, do të heqë një veçori mbrojtëse që lejon përdoruesit të bllokojnë llogari të tjera, kështu ka paralajmëruar pronari – Elon Musk, transmeton Portalb.mk.

Funksioni i bllokimit i lejon përdoruesi të kufizojë llogari nga kontaktimi me to si shikimi i postimeve të tyre apo ndjekja e tyre.

“Blloku do të fshihet si ‘veçori’, përveç DM-ve (mesazheve direkte)” tha Musk në një postim në platformë.

Është e paqartë se kur do të hyjë në fuqi ndryshimi ose nëse funksioni mund të hiqet pa shkelur kushtet e shërbimit të AppStore dhe PlayStore, të cilat kërkojnë që aplikacionet të ofrojnë mundësinë për të bllokuar përdoruesit.

Ndryshe, Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, bëri një sërë ndryshimesh kur mori përsipër faqen e mediave sociale, duke përfshirë shkarkimin e ekipit më të lartë ekzekutiv të kompanisë dhe futjen e tarifës për verifikimin e profileve.