Fronti Evropian me deklaratë politike bën thirrje mos të prishet Marrëveshja e Ohrit sepse do të ketë pasoja në RMV (VIDEO)

Në mbledhjen e mbajtur sot në Tetovë, liderët e partive të koalicionit “Fronti Evropian” në krye me liderin e Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmetin kanë publikuar deklaratën e tyre politike të dedikuar të gjitha institucioneve vendore si dhe ndërkombëtare evropiane dhe botërore. Sipas Ahmetit, ky është hapi i parë i veprimit të këtij koalicionit për të treguar se në çfarë drejtimi rrezikohet “Marrëveshja e Ohrit”, dhe se me hapat që do të ndërmarrin më tej do të luftojnë majorizimin që po e bën partia maqedonase VMRO-DPMNE si formuese e qeverisë së ardhshme në Maqedoninë e Veriut, duke marrë në këtë qeveri koalicionin VLEN, njofton Portalb.mk.

Ahmeti në fjalimin e tij tha se Maqedonia e Veriut që nga viti 2001 e deri më sot ka kaluar sfida të shumta, por të gjitha janë tejkaluar me përkushtim dhe në partneritet të sinqertë të forcave vendore politike me komunitetin ndërkombëtar.

“Demokracia konsociative e etabluar në vendin tonë nënkupton bashkëjetesën e grupeve të ndryshme shoqërore dhe është formë e qeverisjes karakteristike për shoqëritë me përkatësi të ndryshme kombëtare, fetare e kulturore që la anash propozim-idetë për strukturën dydhomëshe të Parlamentit, të konstituar mbi bazë të paritetit, apo atë të autonomisë politike territoriale. Por, zhvillimet dhe hapat pas zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale të 8 majit 2024, e vënë në pikëpyetje frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe për pasojë, janë rikthim në politikën e njohur “përçaj e sundo”. Prandaj, ne, Kryetarët e partive politike në kuadër të Frontit Europian, në seancën e sotme të përbashkët të organeve tona më të larta partiake dhe përfaqësuese në organet ekzekutive, legjisltative dhe komunale të vendit tonë, të mbajtur sot më 02 qershor 2024, në Tetovë, miratojmë deklaratën e sotme” tha mes tjerash Ahmeti.

Ali Ahmeti, foto nga livestream ne rrejtin Meta.
Ali Ahmeti, foto nga livestream ne rrjetin social Meta.

Në vijim është deklarata e plotë e nënshkruar sot:

DEKLARATË POLITIKE  

“Marrëveshja Paqësore e Ohrit, e firmosur nga të gjitha forcat politike relevante në vend, e garantuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në parimet themelore thekson që:

“Një shtet modern demokratik, në rrjedhën e vet të natyrshme të zhvillimit dhe maturimit, duhet vazhdimisht të sigurojë që Kushtetuta e vet të plotësojë tërësisht nevojat e të gjithë qytetarëve të vet dhe të përputhet me standardet më të larta ndërkombëtare, si dhe vetë të mbindërtohet vazhdimisht.”

Prandaj, ne, të poshtënënshkruarit:

Ritheksojmë kursin tonë Euro-Atlantik si alternativë e vetme për të ardhmën e përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe angazhimin tonë për zbatim të plotë të normave dhe të frymës së Marrëveshjes së Ohrit, Marrëveshjes së Prespës dhe atë për fqinjësi të mirë dhe mbylljes së të gjitha çështjeve të hapura me fqinjtë si parakusht për të vijuar rrugën europiane,   Konstatojmë patjetërsinë e zbatimit të demokracisë konsensuale në përputhje me frymën e Marrëveshjes së Ohrit dhe Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Përsërisim që partnerët koalicionues qeverisës duhet të përcaktohen nga vullneti politik i dy komuniteteve më të mëdha në vend, shqiptarëve dhe maqedonasve, si dhe përfaqësuesve legjitim të komuniteteve tjera të shprehur në zgjedhje të lira, fer dhe demokratike, e drejtë kjo zakonore e zbatuar në vendin tonë që mundëson legjitimitet, demokraci funksionale, kohezion shoqëror, konsensualitet dhe përfaqësim të drejtë në vendimmarrje.

Prandaj, demokracia në vendin tonë mund të jetë funksionale dhe e qëndrueshme vetëm atëherë kur komuniteti shumicë respekton përfaqësuesit legjitim të vullnetit politik të shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të komuniteteve tjera.

Demokracia konsensuale në vendin tonë nënkupton organizim të komuniteteve në parti politike dhe pjesëmarrje në zgjedhje për ta fituar legjitimitetin e bashkëkombasve të tyre dhe ky vullnet i komuniteteve tona, rrjedhimisht, patjetërsisht duhet të respektohet nga mandatari.

Mos respektimi i legjitimitetit mundëson etablimin e hegjemonisë etnike dhe paraqet poshtërësim ndaj shqiptarëve, turqve, romëve, boshnjakëve dhe të tjerëve.

Ky majorizim monoetnik, që shkel mbi legjitimetin e komuniteteve tjera etnike, rëndon bashkëjetesën, demokracinë dhe nuk duhet të lejohet nga të gjithë ne bashkarisht.

Ne, forcat vendore dhe komuniteti ndërkombëtar, garantues i Marrëveshjes së Ohrit dhe lehtësues i Marrëveshjes së Majit, nuk duhet të lejojmë kthim prapa, zhbërje të të arriturave të deritanishme të përbashkëta dhe duhet të pamundësojmë përsëritje të mosrespektimit të vullnetit politik dhe legjitimitetit të sovranit sepse të gjithë bashkë kemi përgjegjësi për paqën, sigurinë, stabilitetin e vendit dhe rajonit tonë..”, thuhet në tekstin e Deklaratës Politike të Frontit Europian.”.

Në këtë tubim fjalim patën dhe liderët e tjerë.

VLEN-VMRO finalizojnë marrëveshjen qeveritare

Rikujojmë se pas zgjedhjeve të 8 majit, në kampin maqedonas VMRO-DPMNE doli fituese me 58 deputetë ndërsa në kampin shqiptar Fronti Evropian së pari me 19 deputetë por pas rivotimit me 22 maj mbeti me 18 deputetë. 

Megjithatë, VMRO-DPMNE ka njoftuar se Qeveria e re pritet të formohet deri më 20 qershor jo me fituesin e kampit shqiptar, por me koalcionin shqiptar VLEN që kishte 13 deputetë por që fitoi një më shumë pas rivotimit, konkretisht ka 14 deputetë.

Në këtë drejtim, negociatat midis grupeve punuese të partive janë drejt fundit. VLEN gjithashtu ka bërë të ditur një pjesë të resorëve të cilat pritet t’i udhëheqin.

Fonti Evropian kundërshton këtë veprim duke e quajtur “majorizim” nga pala maqedonase sepse po merret në pushtet partia me më pak deputetë, dhe ka lajmëruar se do të ndërmerr masa për të ndaluar këtë.

Çfarë është majorizimi?

Majorizimi politik është një term që përdoret për të përshkruar një situatë në të cilën një grup politik apo parti e caktuar përdor shumicën numerike të saj për të dominuar dhe vendosur politika, shpesh duke injoruar apo shtypur zërat e minoriteteve ose grupet e tjera më të vogla. Ky koncept lidhet ngushtë me proceset dhe strukturat demokratike, ku shpesh shumica merr vendimet kryesore, por ku ekziston edhe rreziku i abuzimit me pushtetin nga ana e shumicës.

Çfarë është parlamenti dydhomësh?

Dydhomësia është një lloj legjislativi, i ndarë në dy kuvende, dhoma ose shtëpi të veçanta, i njohur si një legjislaturë dydhomësh. Dydhomësia dallohet nga njëdhomësia, në të cilën të gjithë anëtarët diskutojnë dhe votojnë si një grup i vetëm. Në 2015, rreth 40% e legjislaturave kombëtare në botë janë dydhomësh dhe rreth 60% janë njëdhomësh. 

Shpesh, anëtarët e dy dhomave zgjidhen me metoda të ndryshme, të cilat ndryshojnë nga juridiksioni në juridiksion. Kjo shpesh mund të çojë që dy dhomat të kenë përbërje shumë të ndryshme anëtarësh.

Miratimi i legjislacionit parësor shpesh kërkon një shumicë të njëkohshme – miratimin e shumicës së anëtarëve në secilën nga dhomat e legjislaturës. Kur është kështu, legjislatura mund të quhet shembull i dydhomëshit të përsosur. Megjithatë, në shumë sisteme parlamentare dhe gjysmë-presidenciale, shtëpia ndaj së cilës është përgjegjës ekzekutivi (p.sh Dhoma e Komunave të Mbretërisë së Bashkuar dhe Kuvendi Kombëtar i Francës) mund të rrëzojnë dhomën tjetër (p.sh Dhoma e Lordëve të Mbretërisë së Bashkuar dhe Senati i Francës) dhe mund të konsiderohet si një shembull i dydhomëshit të papërsosur. Disa legjislatura qëndrojnë në mes të këtyre dy pozicioneve, me një dhomë në gjendje të rrëzojë tjetrën vetëm në rrethana të caktuara.