“Forbes”: Të pasurit po shtohen dhe po pasurohen

Këtë vit, globi ka më shumë të pasur miliarderë se kurrë më parë. Në listën për vitin 2024, revista prestigjioze Forbes listoi një numër të ri rekord prej 2 781 miliarderësh, 26 më shumë se rekordi i deritanishëm që ishte vendosur në 2021-shin, raporton Klan.

Pasuria e përbashkët e tyre arrin në mbi 14 trilion Dollarë, teksa miliarderët e sotëm janë 255% më të pasur se një dekadë më parë.

Lista kryesohet ashtu si vitin e kaluar nga treshja Arnault, Musk dhe Bezos. Francezi Bernard Arnault dhe familja e tij, me biznese në fushën e modës luksoze ka një pasuri prej 233 miliardë Dollarësh.

Bosi i teknologjisë së lartë dhe inovacionit Elon Musk ka 195 miliardë Dollarë pasuri, ndërsa ai i tregtisë online Jeff Bezos ka 1 miliardë më pak se Musk.

Në listën e këtij viti është përfshirë për të parën herë edhe këngëtarja Taylor Swift. Ylli i muzikës Pop ka një pasuri prej 1.1 miliardë dollarësh dhe është e para këngëtare që ka vënë një pasuri kaq të madhe vetëm nga të ardhurat në fushën e muzikës.