Fluks rezervimesh për pushime, fuqia punëtore vijon të jetë problem

Sezoni i ri veror 2024 do të presë më shumë të turistë të huaj sesa një vit më parë. Rezervimet për të kaluar pushimet verore në bregdetin shqiptar janë drejt ezaurimit, raporton EN.

“Jemi 30-40% rritje sa i përket rezervimeve. Iu referohem kontratave që kemi me partnerët dhe kontaktet që kam me hotelet…Ka hotele që janë të ezaurara, ka hotele ku ka dhe 60% të shitura që jemi një muaj e pak para fillimit të sezonit”, thotë Rrahman Kasa, kryetar i Unionit Turistik.

Resortet turistike në Shqipëri vitet e fundit ka nisur të ofrojnë oferta turistike, ku çdo gjë përfshihet në çmim. Këto oferta janë të larta për familjet shqiptare, por tunduese për të huajt.

“Kemi resorte që ofrojnë shërbimin të gjitha të përfshira, sidomos në Adriatik, por çmimet janë të larta dhe këto rezervohen nga turistët e huaj…Çmimet varet në periudhën që vijnë, mund të shkojnë 500-700 euro për 7 ditë personi…Ka të huaj që i preferojnë dhe vijnë çdo vit”, shprehet Fjorida Zani, Agjenci Turistike.

Edhe pse numri i turistëve në Shqipëri arriti në 10 milionë vitin e kaluar, kjo shifër pritet të jetë më e lartë këtë sezon. Por operatorët turistikë thonë se ende vendi ynë nuk i ka kapacitetet për të përballuar një fluks kaq të lartë të të huajve.

“Kemi mungesë në sektor të stafit të kualifikuar dhe të thjeshtë dhe infrastruktura, që me ketë rritje do të kemi një problematike më shumë”, thotë Kasa.

Këtë vit ka një rritje të çmimeve me 10?% krahasuar me një vit më parë. Kjo gjë nuk ka ndikuar që turistët nga e gjithë bota, duke nisur nga vendet e Bashkimi Evropian, vendet aziatike dhe nga kontinenti amerikan, të kalojnë pushimet verore në Shqipëri.