Fjalime aktivistësh, bende të reja dhe punëtori krijuese në ENGAGE 2023

Forumi Rinor Arsimor dhe Radio MOF organizojnë edicionin e dymbëdhjetë të manifestimit të aktivizmit social ENGAGE, i cili do të mbahet të premten, më 9 qershor, në Qendrën Kulturore Rinore (QKR), me fillim nga ora 13:00, transmeton Portalb.mk.

Të pranishmit do të mund të dëgjojnë fjalime frymëzuese nga aktivistë vendas dhe të huaj për rrjetet sociale si mjet ndryshimi, poezinë si rezistencë ndaj normave patriarkale, për mënyrën se si artistët e rinj luftojnë kundër skepticizmit, por edhe për të drejtat e punonjësve të tekstilit.

Gjithashtu, disa nga folësit do të trajtojnë edhe “Shëndeti im” – zëri i të dëmtuarve në dëgjim, të tjerët do të flasin për gjeneratën “Zet” dhe fuqinë e tyre për të transformuar aktivizmin dhe për të bërë një botë më gjithëpërfshirëse dhe do të ketë pyetje të hapura për barazinë gjinore në shekullin e 21-të.

Pjesëmarrëse të “ENGAGE” do të jenë aktivistja Kristina Ampeva nga “Glasen Textilec”, Nina Paviçeviq nga Mali i Zi, komunikuese dhe krijuese e @kriticki, Leon Shumanski nga “Gola planina kolektiv”, pastaj Viktoria Hammett nga SHBA, nga organizata Gen- Z for Change, Geraldina Guerra Garces nga Ekuadori, nga fondacioni ALDEA, Hristina Bozhinovska Gjikova nga shoqata “Mlad znak” dhe aktivistja Adelina Tershani nga Kosova, e cila do të ketë edhe performancën e saj të poezisë slem.

Aktiviteti do të ndahet në 3 pjesë: Engage the stage, ku vizitorët do të mund të dëgjojnë folës vendas dhe ndërkombëtarë të cilët do të përcjellin përvojën e tyre në temat: barazia gjinore, mjedisi, të drejtat e njeriut, iniciativat qytetare dhe muzika; Engage the workshops – punëtori kreative për ripërdorimin e rrobave të vjetra me teknikën e printimit në ekran, menaxhimin e stresit dhe teknikat e frymëmarrjes dhe si të mbijetoni në mal dhe Engage the night – argëtim me grupe të brezit të ri, pjesë e kolektivit Gola Planina.

Ndryshe, ENGAGE është tubimi i vetëm për aktivizim social në vend. Prej 11 vitesh, aktivistë vendas dhe të huaj kanë shkëmbyer njohuri dhe përvoja mbi tema që lidhen me angazhimin qytetar, kulturën, ndryshimet sociale, të drejtat e njeriut, demokracinë digjitale, lirinë e fjalës, aktivizmin dhe median.

Me programin, ENGAGE ofron edukim, ndërveprim dhe frymëzim për individët, grupet dhe organizatat, qëllimi i të cilëve është të përmirësojnë shoqërinë në të cilën jetojmë.

Ngjarja e mbështetur nga National Endowment for Democracy është falas dhe pjesëmarrja mund të regjistrohet në këtë link.