Filloi me punë Bursa për energjinë elektrike e Maqedonisë së Veriut

Maqedonia ka marrë Bursë të energjisë elektrike, e cila filloi punën dje. Ditën e parë janë tregtuar 500 megavat orë me çmim mesatar prej 7125 denarë ose rreth 115 euro për megavat orë. Përafërsisht i njëjtë me atë të rajonit dhe Evropës dhe rreth tre euro më i ulët se çmimi në bursën Hupex, transmeton Portalb.mk.

Në bursë dje, nisën 20 tregtarë të energjisë elektrike, ndërsa kontrata me Memon nënshkruan 22 kompani. Përveç kompanive vendase, ka edhe kompani të huaja.

Që të mund të jenë pjesë e bursës, kompanitë duhet të paguajnë pjesëmarrje dhe tarifë vjetore të anëtarësimit. Shuma e çmimit varet nga lloji i paketës që do të zgjedhin pjesëmarrësit.

Lidhur me kërkesat e MEPSO-s nga tregtarët e energjisë elektrike, zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi pohon se zvogëlohen çdo muaj dhe nuk ndikojnë në punën e kompanisë. Ai, sikurse MEPSO, konfirmoi se nuk janë shlyer kërkesat e papaguara, ndonëse auditorët shtetëror kohë më parë kanë deklaruar se Bordi Drejtues i MEPSO-s ka shlyer 14 milionë euro borxh nga katër tregtarët e energjisë elektrike.

Kujtojmë se nga korriku, përsëri do të ketë tarifë të lirë ditore të energjisë elektrike, e cila u hoq në janar të vitit të kaluar për shkak të krizës energjetike. Siç tha kryetari i Komisionit Rregullatot për Energjetikë, Marko Bislimoski, analizat që kanë bërë deri më tani tregojnë se ka mundësi që nga korriku të kthehet tarifa e lirë për shkak të rënies së çmimit të energjisë elektrike në bursën botërore.

Tarifa e lirë gjatë ditës u prezantua në tetor 2017. Qeveria e hoqi atë më 1 janar 2022, kur pati rritje të çmimit të energjisë elektrike me 9.48 për qind. Nëse do të mbetej tarifa e lirë, qytetarët do të duhej të paguanin 14.23 për qind më shtrenjtë energjinë elektrike.

Qytetarët vazhdojnë të përdorin energjinë e lirë vetëm gjatë natës, nga ora 22:00 deri në orën 07:00 çdo ditë dhe gjithë ditën të dielave.