Filloi inspektimi në fabrikën e djegur në Maqedoninë e Veriut

Inspektimet në lidhje me fabrikën e djegur në Vinicë tashmë kanë filluar. Ky proces do të vazhdojë edhe ditët në vazhdim, kur pritet që edhe një inxhinier i energjisë elektrike të bashkëngjitet, pasi akoma në disa pjesë ka zjarr aktiv, transmeton Portalb.mk.

“Një prokuro publik nga Prokuroria Themelore publike në Koçani ka filluar inspektimin pas zjarrit në fabrikën “Makprogres – Vinçini” në Vinicë”, raportoi Prokuroria THemelore Publike, duke shtuar se po mbikëqyren edhe videot, ndërkohe po zbatohen edhe forma tjera të hetimit.

Automjetet e zjarrfikësve janë vendosur afër stacionit të gazit, pjesë e cila nuk ishte prekur nga zjarri.

Në disa pjesë të fabrikës akoma po zhvillohet zjarri, për çka nesër ekipit do t’i bashkohet edhe një inxhinier elektrik.

Ndryshe, zjarri në fabrikën “Vinçini”, i cili shpërtheu më 6 shtator dhe shkaktoi dëme të mëdha materiale, është vënë plotësisht nën kontroll, njoftoi Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim. Ata thonë se tri linja të shënuara si 6, 7 dhe 8 (dy prej të cilave ishin depo) u dogjën, dhe të gjitha kishin panele diellore në çati.

Ministria e Shëndetësisë njoftoi se një person (një zjarrfikëse) është hospitalizuar në Spitalin Klinik Publik – Shtip, katër persona (zjarrfikës) në Spitalin e Përgjithshëm në Koçan, tetë persona (punonjës të fabrikës) në Klinikën e Toksikologjisë – Shkup.