Filkov nënshkroi kërkesën për ekstradim të Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit

Ministri i Drejtësisë Igor Filkov tha sot se ka nënshkruar kërkesën për ekstradim të Alil Demirit dhe Afrim Ismailoviqit, të cilët janë dënuar me burgim të përjetshëm. Siç ka sqaruar ai, këto dy kërkesa janë dorëzuar në Ministrinë e Kosovës dhe pritet  përgjigje, transmeton Portalb.mk.

Ai ka përmendur se për personat Alil Demiri dhe Afrim Ismailoviq është kërkuar ekstradim nga Republika e Kosovës për herë të parë më 15 mars 2013, por është refuzuar.

“Për Alil Demirin dhe Afrim Ismailoviqin është kërkuar ekstradim nga Republika e Kosovës për herë të parë më 15 mars 2013. Kërkesa për ekstradim është refuzuar me aktgjykim të Gjykatës Themelore në Prishtinë të tetorit 2015, të konfirmuar nga Gjykata e Apelit e Kosovës në janar të vitit 2016. Për të dy ata është kërkuar sërish ekstradim më 5 shtator 2018”, shtoi Filkov.

Siç ka treguar ai, më 8 tetor 2021 është marrë njoftim nga Ministria e Drejtësisë e Kosovës se Ismailoviqit i është refuzuar ekstradimi dhe për Demirin nuk ka pasur përgjigje.

“Në procedurë është dorëzuar gjithçka që është kërkuar nga autoritetet e Kosovës. Përgjigjet zyrtare nga Kosova për refuzimin e ekstradimit të Ismailoviqit janë dërguar dy herë, në shkurt 2016 dhe tetor 2021. Për Demirin ka pasur një përgjigje zyrtare nga Kosova në shkurt të vitit 2016. Pas gjashtë vitesh ne përsëri kërkojmë ekstradimin e tyre”, tha Filkov.

Ministri përmendi se nuk mund të paragjykojë tani se çfarë mund të bëjnë autoritetet e Kosovës, për të cilën duhet pritur.

Në gjykimin për rastin e njohur si “Monstra”, me burgim të përjetshëm janë dënuar Alil Demiri, Afrim Ismailoviq dhe Agim Ismailoviq. I akuzuari Feizi Aziri mori 15 vjet burg, ndërsa Haki Aziri 9 vjet. Vetëm i akuzuari Sami Luta ka marrë pafajësi për mungesë provash.

Ismailoviq dhe Demiri akuzohen për vrasjet në liqenin e Smilkovës. Ata janë në Kosovë dhe është lëshuar fletarrest, por përkundër kërkesave, ata deri më tani nuk janë ekstraduar në vendin tonë.

Në pyetjet e gazetarëve nëse do të kërkohet ekstradim për ish-kryeministrin Nikolla Gruevski, Filkov u përgjigj se të gjitha rastet e ekstradimit monitorohen me kujdes dhe kur të krijohen kushtet do të kërkohet ekstradimi, por jo me tendencë ndaj një personi të caktuar, por për këdo që ndodhet jashtë vendit dhe është lëshuar urdhër ndërkombëtar.

“Ministria e Drejtësisë i ndjek të gjitha rastet me shumë vigjilencë dhe nuk bën përjashtim Nikolla Gruevski për të cilin kërkohet ekstradimi. Kërkesa e fundit për ekstradim është e vitit 2019 për të gjitha procedurat për të cilat është lëshuar urdhër. Kërkesa për ekstradim të Nikolla Gruevskit u refuzua nga Hungaria me arsyetimin se Gruevskit i është dhënë azil dhe sipas ligjit të tyre personi nuk mund të ekstradohet në shtetin nga ka ardhur. Dhe në këtë rast, si në të gjitha rastet e tjera të ekstradimeve, po ndiqen me kujdes dhe kur të krijohen kushtet, ne do të kërkojmë ekstradimin, por jo për një person specifik, por për të gjithë ata që janë jashtë vendit dhe me urdhër të lëshuar ndërkombëtar”, tha Filkov.

Më 6 shtator 2022, Gjykata e Apelit në Shkup u shpall vendimi për rastin “Monstra” dhe sipas të njëjtit, janë hedhur poshtë ankesat e të akuzuarve dhe njëkohësisht është miratuar vendimi i shkallës së parë, gjegjësisht Gjykatës Penale të Shkupit.

Të dënuarit u ankuan në Supreme, por Supremja i hodhi poshtë ankesat e tyre.

Të dënuarit dhe familjarët e tyre e mohojnë përfshirjen e tyre në këtë ngjarje dhe akuzojnë funksionarë shtetërorë për inskenim.

Vrasja e pesëfishtë në Liqenin e Smillkovës ku mbetën të vrarë Filip Sllavkovski (18), Aleksandar Nаqevski (18), Cvetanço Acеvski (18), Kire Tërpkovski (20) dhe Borçe Stevkovski (45) ka ndodhur më 12 prill 2012-të dhe është njëri prej rasteve më makabre dhe më të mistershme që kanë ndodhur ndonjëherë në Maqedoninë e Veriut.

PËR MË SHUMË LIDHUR ME TEMËN LEXO: