Filipçe, Petrovska dhe Despotovski paraqitën zyrtarisht kandidaturat për kryetar të LSDM-së

Me programe të cilat premtojnë bashkim, reforma të thella dhe dëgjim për anëtarësimin e partisë, Jovan Despotovski, Venko Filipçe dhe Sllavjanka Petrovska kanë dorëzuar zyrtarisht kandidaturat për postin e kryetarit të LSDM-së, transmeton Portalb.mk.

Personi i parë i Drejtorisë për Zona Zhvillimore  Industriale Teknologjike, Despotovski, i cili kandidoi edhe në zgjedhjet paraprake të brendshme partiake, mbajti konferencë për shtyp në mënyrë simbolike para stacionit të vjetër hekurudhor në Shkup, i cili ishte më i godituri nga tërmeti i vitit 1963. Ashtu siç arriti të ngrihet Shkupi nga hiri, edhe LSDM-ja pas humbjes zgjedhore do të rindërtohet dhe do t’i bashkojë të gjithë qytetarët, tha ai. Ai ka përsëritur se nëse nuk bëhet kryetar, në të ardhmen japë dorëheqje nga postet partiake me deklaratë noteriale.

“LSDM është në një situatë shumë të vështirë, i duhet një fillim i ri. Sot shpallim një program të ri për një fillim të ri, për një LSDM të re. Ne do të formojmë një qeveri në hije që do t’u japë qytetarëve mundësinë për të menduar dhe krahasuar. Ne do të jemi opozitë konstruktive në Kuvend”, tha Jovan Despotovski – kandidat për kryetar të LSDM-së.

Ndryshime pozitive premton edhe ish-ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, i cili gjatë fushatës parazgjedhore mblodhi të gjitha sugjerimet dhe kërkesat nga anëtarët e LSDM-së, të cilët ia treguan qartë se çfarë duan të ndryshojnë në parti. Asnjë anëtar nuk do të mbetet më pa u dëgjuar, siguron Filipçe, i cili e konsideron si faktor unifikues afërsinë e tij me ish-kryeministrin dhe liderin e partisë Zaev.

“Për mua flet mbi të gjitha fakti që kam marrëdhënie të shkëlqyera me Zoran Zaev. Unë kam marrëdhënie të shkëlqyera me kryetarët e tjerë të partisë, me zyrtarë të tjerë paraprak dhe mendoj se ato marrëdhënie të mira janë në fakt një nga parakushtet kryesore që bashkimi të ndodhë shumë shpejt”, tha Venko Filipçe – kandidat për kryetar të LSDM-së.

Ish-ministrja e Mbrojtjes Petrovska, me programin me titull “Manifesti për Socialdemokraci”, thotë se fokusi do të jetë në debatet e shpeshta brenda partisë, të cilat deri më tani janë vënë në prapavijë.

“Është sfidë serioze, para së gjithash, që LSDM të korrigjohet, të vazhdojë rrugën e ideologjisë së LSDM-së, dhe më e rëndësishmja të jetë opozitë e fortë”, tha Slavjanka Petrovska – kandidate për kryetare të LSDM-së.

Kandidat i mundshëm është edhe Stefan Bogoev, i cili është drejtor aktual i Doganës, i cili publikisht ka deklaruar se ka ambicie për pozitën udhëheqëse, por ende nuk ka konfirmim nga ai. Nesër skadon afati për paraqitjen e kandidaturave. Ndërkohë, të dielën LSDM do të mbajë Kongres llogaridhënës ku do të analizohen arsyet e rezultatit zgjedhor.

Zgjedhjet e brendshme partiake në LSDM janë caktuar për 30 qershor dhe pasojnë pas dorëheqjes së kryetarit Dimitar Kovaçevski, i cili së bashku me kryesinë e partisë dha dorëheqje pas disfatës në zgjedhjet e dyfishta.

Në zgjedhjet e njëmbëdhjeta parlamentare në RMV që u mbajtën me 8 maj 2024 së bashku me zgjedhjet e shtata presidenciale, LSDM fitoi vetëm 18 mandate deputetësh. Ky rezultat u vlerësua si një humbje e thellë e LSDM-së, parti e udhëhequr në dy vitet e fundit nga ish-kryeministri Dimitar Kovaçevski.