Festivali i Ditës së Groshës më 21 shtator do të shënojë edicionin e tij të 12-të

Festivali i Ditës së Groshës, një manifestim që çdo vit tërheq mbi një mijë vizitorë, do të shënojë edicionin e tij të 12-të më 21 Shtator 2024, në oborrin e shkollës fillore “Kiril Pejçinoviq” në Tearcë, duke filluar nga ora 15:00, transmeton Portalb.mk.

“Banorët e fshatit dhe miqtë e tyre janë të përgatitur të gatuajnë mbi 100 kilogramë groshë dhe 50 kilogramë alvë tradicionale, duke i mirëpritur vizitorët me gatime autentike dhe një atmosferë të ngrohtë. Ngjarja përfshin pjesëmarrjen e banorëve të rajonit, Shoqërive Kulturore Artistike të tre kombësive që veprojnë në zonë, shkollave lokale, si dhe një ekspozitë të Muzeut më të Vogël Etnologjik. Festivali, i cili është një kombinim unik i kulturës dhe kulinarisë, është i hapur për të gjitha grupmoshat dhe synon promovimin e interkulturalizmit, sipërmarrjes mjedisore dhe bujqësisë së qëndrueshme”, thuhet në njoftimin e Qendrës për Edukim dhe Zhvillim.

Festivali i Dita e Groshës ka për qëllim kapërcimin e barrierave ndëretnike dhe promovimin e vlerave të rajonit të Pollogut dhe Sharrit, në përgjithësi. Me çdo vit që kalon, pjesëmarrja dhe entuziazmi rriten. Në vitin 2022, festivali tërheq më shumë se 600 mysafir nga komunitetet lokale dhe nga jashtë vendit.

“Këtë vit përveç që shënojmë “Ditën e Brezit të Gjëlbër Europian” përmes një panairi të sipërmarrësve, festivali do të zgjasë disa ditë dhe do të përfshijë një galeri shkollore, aktivitete për familjet, shfaqje filmash dhe muzikë dhe valle nga kultura të ndryshme që jetojnë në Maqedoni, si ato turke, maqedone dhe shqipe. Ngjarja mbështetet edhe nga partnerët e platformës “Miqte e Sharrit”, përmes së cilës do ketë shikueshmëri më të madhe edhe në rajon, por edhe në nivel ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.