Europa si alternativë e vetme

Rezoluta e Bundestagut gjerman, ku përkrahet anëtarësimi i Maqedonisë së Veriut në BE, e thekson moscenimin e gjuhës, identitetit, kulturës dhe veçantive të maqedonasve. Gjermania është motori i BE-së. Por as kjo Rezolutë nuk u mjafton kundërshtarëve të ndryshimeve kushtetuese.

Përherë mund të gjesh justifikime kur nuk dëshiron ta zgjidhësh një problem. Mund të bësh kalkulime politike që ta pengosh një proces jetik për vendin, siç është integrimi europian. Mund të bësh propagandë se me ndryshimet kushtetuese të rrezikohet identiteti kolektiv. Ose mund të gjesh justifikime në stilin: Ne duam ndryshime, por nuk pranojnë Ata.

Integrimi i vendit në BE nuk duhet të ketë alternativë. Për alternativë mendojnë haptas dhe fshehtas vetëm ata që besojnë se Europa i numëron ditët e fundit. Ose ata që busullën e kanë të orientuar në drejtim të kundërt të Europës.

BE-ja si ideal dhe projekt i ideuar dhe i plotësuar në vazhdimësi nga gjeniu europian, është shpëtim për vendet e Europës Juglindore.

Nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese, Maqedonia e Veriut rrezikon të humb shumë kohë. Kjo do të ketë pasoja të rënda për vendin. Sipas propozimit francez, ajo obligohet t’i përfshijë bullgarët në kushtetutën e saj. Nga kushtetuta duhet që të hiqet edhe formulimi përçmues gjuha që e flasin së paku 20 për qind e qytetarëve”. Kërkesa për heqjen e këtij formulimi nuk është antieuropiane. BE-ja bazohet në respektimin e larmisë kulturore, etnike dhe gjuhësore.

Ka elita politike që rajonin duan ta shohin sa më larg BE-së. Sa më larg BE-së, aq më shumë hapësirë për korrupsion e ikje nga përgjegjësitë, por edhe më shumë mundësi për tensione dhe përplasje ndëretnike.

Maqedonisë së Veriut nuk i kanë munguar politikanët që, për qëllime të ndryshme, janë në gjendje ta shuajnë ëndrrën që ky shtet, historikisht problematik, të jetë pjesë e BE-së. Nuk janë të rastësishme as prognozat pesimiste të politikanëve pensionistë për të ardhmen europiane. Ata përherë kanë punuar në kundërshtim me vlerat europiane.

Politikanët që janë kundër integrimeve europiane thirren më së shumti në patriotizmin i cili përherë u ka munguar.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.