Euronews: Pse tensionet e reja me fqinjët e penguan anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE?

Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Qeverive të Shteteve Anëtare të BE-së (Coreper) javën e kaluar mori një vendim për fillimin e negociatave me Shqipërinë më 15 tetor sipas Klasterit 1 – “Vlerat themelore”, duke kaluar kështu në fazën tjetër të procesit të negociatave për anëtarësim në BE dhe ndahet në rrugën evropiane nga vendi ynë. Megjithatë, edhe përkundër këtij vendimi, siç thonë nga “Euronews”, Brukseli shpreson që pushteti i ri në Shkup do të mbetet i fokusuar në rrugën evropiane, transmeton Portalb.mk.

Sipas burimeve diplomatike, deri në tejkalimin e pengesave për fillimin e negociatave sipas kapitujve, Brukseli pret që vendi të punojë në zbatimin e agjendës së reformave nga Plani i Komisionit Evropian për Rritjen e Ballkanit Perëndimor, me të cilin janë paraparë gjashtë miliardë euro për investime në vendet e rajonit për të afruar ekonomitë dhe shoqëritë e tyre me standardet e BE-së edhe para anëtarësimit të plotë.

Burime diplomatike për “Euronews” bëjnë me dije se janë të kënaqur me faktin se Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut, si dhe ajo e mëparshme, tregon përkushtim ndaj procesit të anëtarësimit në BE.

Kur qeveria e re dha betimin e saj nuk pati devijime të mëdha nga programi për reforma të dakorduar nga qeveria e mëparshme, theksojnë të njëjtat burime, duke shtuar se megjithatë do të duhet të pritet për të parë se si do të zbatohen reformat e parapara.

Këto reforma përfshijnë, ndër të tjera, forcimin e parimeve të sundimit të së drejtës, pavarësinë e gjyqësorit dhe luftën kundër korrupsionit, dhe nga zbatimi i tyre do të varet edhe pagesa e fondeve të parapara me Planin e Rritjes, nga të cilat dy miliardë euro grante dhe katër miliardë euro hua me kushte të favorshme. Mjetet janë të shpërndara ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor sipas lartësisë së BPV-së së tyre dhe numrit të popullsisë, por nëse ndonjëri prej tyre nuk i zbaton reformat e kërkuara, atëherë shuma e paraparë për të do të transferohet drejt vendeve të tjera të rajonit të cilët e zbatojnë me përkushtim agjendën e tyre reformuese. Qëllimi i këtij modeli është të krijohet një lloj gare mes vendeve të rajonit dhe t’i nxisë ato t’i përshpejtojnë zbatimin e reformave.

Pritet që KE-ja t’i miratojë agjendat e reformave gjatë këtij muaji, me çka mjetet e para paradhënie për vendet e rajonit do të mund të paguhen deri në fund të këtij viti. Të gjithë Vendet e rajonit i kanë dorëzuar propozim-agjendat e tyre për reforma deri dje kur ishte edhe afati i fundit, përveç Bosnjë-Hercegovinës ku procedura për miratimin e tyre ka ngecur nëpër rregullat procedurale.

Kur bëhet fjalë për vendin tonë, burimet diplomatike theksojnë se një nga sfidat e tij kryesore, si dhe për vendet e tjera të rajonit, do të jenë lufta me korrupsionin, duke theksuar se BE-ja ka mekanizma për të mbrojtur financat e saj nga abuzime potenciale dhe praktika korruptive.

Korrupsioni është i pranishëm. Por ne kemi një politikë me zero tolerancë për korrupsionin dhe korniza shumë të rrepta, theksuan të njëjtat burime, duke shtuar se nëse paraqitet një dyshim për korrupsion, BE-ja do të aktivizojë mekanizmat e tij mbrojtës.

Por, siç thekson “Euronews”, edhe sikur “Shkupi t’i realizojë me sukses të gjitha qëllimet dhe t’i shfrytëzojë përfitimet e Planit të rritjes, do të mund të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE vetëm nëse vazhdon t’i përmirësojë marrëdhëniet me Bullgarinë fqinje”, duke pasur parasysh se çdo hap pasues i procesit të anëtarësimit kërkon “dritë jeshile” nga të gjitha shtetet anëtare të Unionit.

Kjo mund të paraqitet si një sfidë, sepse përfaqësues të Sofjes dhe Shkupit vazhdojnë të shkëmbejnë retorika luftarake, thuhet në analizë, ku vihet në dukje edhe deklarata e ish-kryeministrit bullgar dhe presidentit aktual të Komitetit për Punë të Jashtme të Parlamentit të Bullgarisë, Bojko Borisov, se vendi ynë duhet “të përballet me pasojat e veprimeve të tij”.

“Euronews” bën të ditur se në atë luftë fjalësh është përfshirë edhe “Korridori 8” i cili duhet të lidhë kryeqytetet e dy vendeve, por edhe bregun e Adriatikut të Shqipërisë me portin e Varnës në bregun e Detit të Zi të Bullgarisë, ndërkohë duke kaluar nëpër territorin e Maqedonisë së Veriut.

Teksti vlerëson se kur të ndërtohet ky Korridor do të përfshijë edhe Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë në rrjetin e transportit dhe tregtisë së Evropës, me çka plotësisht do t’u hapë rrugën drejt Bashkimit Evropian dhe në të njëkohësisht do t’i sigurojë edhe korridor strategjik ushtarak NATO-s.

25 shtator 2024 ambasadorët e vendeve të BE-së një zëri vendosën të fillojnë negociatat me Shqipërinë për anëtarësim në BE më 15 tetor në Luksemburg, në kuadër të Konferencës Ndërqeveritare “BE-Shqipëri”. Me këtë Shqipëria do të vazhdojë rrugën drejt BE-së kurse RMV-ja mbetet në vend.

Debati për ndarjen e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut në rrugën eurointegruese ka qenë temë debati edhe para disa viteve, kur Holanda e pengonte procesin eurointegrues të Shqipërisë. Në atë periudhë kërkohej ndarja e RMV-së nga Shqipëria.

Kujtojmë se Maqedonia e Veriut duhet t’i bëjë ndryshimet kushtetuese si kusht për të ecur përpara në rrugën eurointegruese, gjegjësisht për të hapur negociatat me Komisionin Evropian. Ato nënkuptojnë që përpos kombeve tjera, të shtohen edhe bullgarët në të si popull shtetformues.

Më 19 korrik të vitit 2022, u mbajt konferenca e parë ndërqeveritare mes Maqedonisë dhe BE-së, gjë që duhej të shënonte fillimin e negociatave po të mos ishte obligimi për ndryshimet kushtetuese.

Ky obligim parashihet me marrëveshjen e korrikut të vitit 2022 ndërmjet Bulgarisë dhe Maqedonisë, e cila bazohet në atë që njihet si “propozimi francez” për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe të kaluarën historike mes dy vendeve.

Pasi u arrit kjo marrëveshje, Sofja hoqi veton për nisjen e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut në këmbim të kushtit për ndryshimet kushtetuese.