Është zhvilluar insulinë “e zgjuar”, reagon vetëm kur nevojitet dhe do të merret një herë në javë

Shkencëtarët kanë zhvilluar një lloj të ri të insulinës “së zgjuar” që reagon dhe aktivizohet vetëm kur ndryshon niveli i sheqerit, gjë që mund të ndikojë ndjeshëm në shëndetin dhe cilësinë e jetës së miliona njerëzve në mbarë botën, raportojnë mediat botërore, transmeton Portalb.mk.

Aktualisht, pacientët duhet të injektojnë insulinë sintetike disa herë në ditë, dhe luhatja e vazhdueshme midis niveleve të larta dhe të ulëta të sheqerit në gjak shkakton probleme shëndetësore akute dhe kronike dhe ka një ndikim të madh në gjendjen mendore të pacientëve.

Shkencëtarët thonë se kanë gjetur një zgjidhje që pretendohet se është gjëja më e afërt me një kurë për diabetin e tipit 1 – insulinë “e zgjuar” që pret në trup dhe aktivizohet vetëm kur nevojitet.

Ekspertët nga Shtetet e Bashkuara, Australia dhe Kina kanë njoftuar se kanë zhvilluar me sukses një lloj të ri të insulinës që imiton përgjigjen natyrale të trupit ndaj ndryshimeve në nivelet e sheqerit në gjak dhe përgjigjet menjëherë.

Dozat e rregullta të insulinës stabilizojnë nivelet e sheqerit në gjak sapo të hyjnë në trup, por nuk mund të ndihmojnë me ndryshimet e ardhshme pas kësaj, që do të thotë se pacientët duhet të monitorojnë nivelet e sheqerit në gjak dhe të marrin insulinë disa herë në ditë.

Lloji i ri i insulinës GRI (insulina reaguese ndaj glukozës) aktivizohet vetëm kur një sasi e caktuar sheqeri grumbullohet në gjak për të parandaluar hipergliceminë. Pasi sheqeri në gjak bie nën një pikë të caktuar, insulina bëhet joaktive për të shmangur hipogliceminë.

Në të ardhmen, pacientët do të kenë nevojë të marrin insulinë vetëm një herë në javë, sipas ekspertëve.

Gjashtë projekte deri më tani kanë zhvilluar lloje të ndryshme të insulinës “së zgjuar”. Ata përfshinin ekipe nga Universiteti Stanford i SHBA-së, Universiteti Monash i Australisë dhe Universiteti Zhejiang i Kinës. Qëllimi i tyre i përbashkët është të përshpejtojnë zhvillimin, në mënyrë që insulina e re të përdoret sa më shpejt të jetë e mundur.