Është publikuar deklarata e nënshkruar nga ministrja Sanja Bozhinovska, me të cilën konfirmon se ka vetëdije bullgare
Në tetor të vitit 2004, ministrja e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale Sanja Bozhinovska nënshkroi me dorën e saj se ka vetëdije bullgare dhe prejardhje bullgare, gjatë aplikimit për shtetësi bullgare, raporton bullgar “BGNES“. Agjencia bullgare ka publikuar edhe deklaratën, në të cilën Bozinovska konfirmon se edhe prindërit e saj Pero dhe Violeta janë me origjinë bullgare, transmeton Portalb.mk.
“BGNES” kujton se më 18 tetor Bozhinovska në rrjetet sociale ka shkruar se asnjë shtetas maqedonas nuk e ka nënshkruar deklaratën, por këtë e bëjnë avokatët bullgarë që marrin para për ndërmjetësim.
“BGNES” thotë se në kundërshtim me pretendimin e saj, deklaratën e ka nënshkruar personalisht Bozhinovska dhe jo avokatë, në të cilën thuhet: “Deklaroj se kam vetëdije kombëtare bullgare dhe kam origjinë bullgare”.
Në deklaratë, thonë nga “BGNES”, nuk thuhet se ajo merr nënshtetësi bullgare për “arsye ekonomike” apo për “punë jashtë vendit”, siç pretendon ministri maqedonas.
“Falë dokumenteve personale bullgare, Bozhinovska e përfundon arsimin e lartë ekonomik në kryeqytetin çek Pragë me kushte preferenciale, sepse është shtetase e një shteti anëtar të BE-së. Më vonë ajo arriti të marrë nënshtetësinë çeke për shkak të qëndrimit të gjatë në Çeki, sërish falë pasaportës bullgare”, thuhet në tekstin e “BGNES”.
Mediat bullgare thonë gjithashtu se në vitin 2023 ajo ka dorëzuar në institucionet bullgare një deklaratë qëndrimi jashtë vendit (Republika Çeke) dhe konfirmon pozicionin e saj si menaxhere në një kompani vendase. Ministrja maqedonase ka punuar edhe si drejtoreshë e kompanisë kroate “Rudnap” si shtetase bullgare, gjë që vërtetohet nga regjistrimi në Gjykatën Ekonomike në Zagreb.
Pas marrjes së detyrës në qershor të këtij viti, Bozhinovska fillimisht tha se nuk ka nënshtetësi bullgare, e më pas tha se kishte paraqitur kërkesë për lirim nga shtetësia bullgare.
“BGNES” thotë se Bozhinovska ka paraqitur kërkesë për lirim në shtator të vitit të kaluar, por ende nuk ka marrë dekret për lirim nga shtetësia.
Nuk dihet nëse Bozhinovska ka votuar në zgjedhjet për parlamentin bullgar këtë fundjavë, në të cilat 327 qytetarë bullgarë kanë votuar në përfaqësitë diplomatike-konsullore bullgare në Maqedoni.
Në biografinë e ministres që drejton Ministrinë e Energjetikës, Minierave dhe Burimeve Minerale thuhet se ajo ka lindur në Shkup në vitin 1980. Në rubrikën e kombësisë ajo është deklaruar “maqedonase”. Arsimin e lartë e ka kryer jashtë vendit dhe ka përvojë pune jashtë vendit, ndër të tjera edhe në grupacionin “Rudnap” me seli në Beograd, Serbi, ku ka qenë “drejtoreshë ekzekutive e të gjitha kompanive në Evropën Qendrore dhe Lindore për tregtimin e energjisë elektrike” dhe ka qenë përgjegjëse për aktivitetet në “Serbi, Bullgari, Shqipëri, Kosovë, Maqedoni, Rumani, Hungari, Qipro, BeH, Mal të Zi, Kroaci, Slloveni, Republikën Çeke, Austri, Greqi”.
Nëse kontrollohet historia e degës së “Rudnap” në Zagreb, që është një e dhënë ku publiku ka qasje të lirë, emri i Sanja Bozhinovskës mund të gjendet në disa vende. Më datën 06.12.2013, kur janë bërë ndryshime në strukturën e kompanisë, përveç se që i është përmendur emri Sanya Bozhinovska, shkruhet edhe se personi ka numër amze (numrin personal të identifikimit): 38563731070 dhe numër të pasaportës 382526102, por jo të Republikës së Maqedonisë, por të Republikës së Bullgarisë. Dhe se banon në një adresë në Beograd.