Eseja, shkrimi që ndryshoi botën

Eseja si lloj shkrimi daton që nga antika greko-romake. Por, sado që atë e gjejmë te veprat e Sokratit, Platonit, Aristotelit, Ciceronit, Senekës, Plutarkut, Horacit…, statusin e zhanrit të mëvetësishëm letrar e fitoi në kohën e Rilindjes së madhe evropiane, pas botimit të eseve të Mishel Montenjit, i cili në ese futi frymën kritike mbi fenomenet jetësore, inkuadroi ndjesitë subjektive në qasjet ndaj gjërave dhe u shmang nga kanunet e rregullave të ngurta brenda të cilëve shtrihen lloje të ndryshme shkrimesh.

Esetë e Montenjit janë shënime të mbajtura për librat e lexuar, të cilët i kundroi nga një kënd tejet subjektiv, duke inkuadruar brenda tyre të dhëna autobiografike, përsiatje e meditime të karakterit psikologjik, si dhe gjëra që lidheshin me çështjet etike, praktike e shoqërore. Ai zgjodhi esenë si zhanrin më të përshtatshëm për sintetizimin e ngjarjeve të një kohe dhe ia doli të vë në pah mungesën e vijimësisë ndërmjet botës antike dhe Evropës së kohës së tij, shkaku i territ mijëvjeçar të mesjetës, duke u bërë kësisoj model i bashkëkohanikut të tij – Shekspirit dhe duke mrekulluar krijuesit që erdhën në botën e letërsisë shekuj më pas, si Konica ynë, që gjithashtu përmes esesë pasqyroi ndërprerjen e vazhdimësisë së rrugëtimit të nisur në Motin e Madh.

Shpirtit të lirë të Montenjit i përgjigjej shumëkuptimësia e zhanrit që shpiku vetë, që ishte disi ndryshe dhe i dallueshëm prej shkrimeve të antikitetit greko-romak (dialogjeve, satirave…). Sipas njohësve të tij: Magjia e eseve të Montenjit qëndron në paraqitjen kaotike, në shikim të parë, po në fakt të organizuar mjeshtërisht, si dhe në qëndrimin zemërgjerë dhe skeptik ndaj jetës.

Megjithatë, edhe në kohën tonë, të flasish për esenë do të thotë të flasish për zhanrin më të pakategorizueshëm ndër llojet krijuese letrare. Kjo vështirësi kornizimi lindi që në kohën kur Montenji e përdori këtë term për të pagëzuar tipin e shkrimeve, në të cilat gërshetohen elementet karakteristike të veprave letrare me ato të llojeve të tjera të krijimtarisë, siç është shkenca dhe publicistika.

Si lloj shkrimi letrar, eseja i ofron shkrimtarit liri gati të pakufizuar krijuese, tipar ky që e bëri më të popullarizuar, më të dashur, më të lexueshme dhe më të pranueshme se qasjet shkencore. Ajo nuk kërkon lexues të specializuar dhe ekspertë të një fushe, por mjaftohet me lexuesin e ngritur e të kultivuar që mund të komunikojë lirshëm me shkrimet e prirura kah diskursi poetik, që shpërfaqin qëndrimet subjektive të autorit mbi ngjarjet dhe fenomenet jetësore.

Thamë se studiues të ndryshëm e kanë cilësuar dhe përkufizuar esenë në mënyra të ndryshme. Francezët me termin essai nënkuptonin një artikull të shkurtë për një çështje shkencore, letrare a shoqërore, të shkruar me gjuhë të bukur e të qartë. Anglezët kuptonin gati çdo lloj shkrimi, kurse gjermanët kuptonin një fragment, një kritikë, një vështrim…

Sipas një përkufizimi: Eseja është shkrim i shkurtër në prozë ku shpalohen përshtypjet personale për një çështje jetësore, morale, shkencore a artistike. Rëndom, autori i esesë nuk shfrytëzon metodat shkencore të dëshmimit të një të vërteteje, por i referohet dhe mbështetet në mjetet retorike e poetike për t’ua ofruar lexuesve qëndrimet dhe kuptimin personal për gjërat.

Kornizat brenda të cilave shtrihet eseja janë më elastike se te shkrimet tjera. Në fakt, liria që ofron eseja e largon eseistin nga bota akademike dhe e shndërron në krijues të lirë, hera-herës edhe në poet, sepse ai, në dallim nga shkencëtari, ka për referencë vetveten. Për Gjergj Konradin eseisti ishte: Njeri pa busullë, që përpiqet ta përkapë, ta kuptojë e ta hulumtojë një impresion, që detajisht ta studiojë një nocion të caktuar, pavarësisht në bëhet fjalë për një lule apo një mace.

Rastësisht apo jo, këto tipare dominojnë dhe në shkrimet e eseizuara të Konicës që anojnë më shumë kah letërsia e pastër, me figuracionin dhe stilin elegant që e ngriti shqipen në rangun e gjuhëve të kultivuara, të afta për të shprehur ndjesitë më delikate të shpirtit. Dhe vërtet, ç’bëri tjetër Konica përveç se iu drejtua një publiku të emancipuar, lexuesve të kultivuar brenda e jashtë Shqipërisë, me shkrimet e tij perla që qëndrojnë midis shkencës dhe artit, që e bëjnë lexuesin për vete dhe që karakterizohen me nota të dallueshme subjektive?

Meritë të veçantë për popullarizimin dhe përhapjen e esesë ndër lexuesit evropianë ka eseisti i njohur anglez Frencis Bakoni. Ai qe njeriu që e popullarizoi emrin e Montenjit dhe e bëri esenë të pranueshme si lloj letrar, e bëri të kërkuar në mbarë botën, sepse lexuesve u përshtatej liria e saj në të shprehur, u flente më shumë zhanri që kishte brenda vetes një shumësi shkrimesh me tipare të ndryshme, si: poezinë, filozofinë, historinë…

Eseistët evropianë ndikuan fuqishëm te krijuesit ballkanas, në radhë të parë tek ata që kishin relacione me ritmet e zhvillimit të letërsisë perëndimore, ku, llafi vjen, bënin pjesë shkrimtarët e njohur kroatë, si: Mirosllav Kërlezha, Gustav Matoshi e Tin Ujeviqi…. Mes tyre ishte dhe poligrafi shqiptar – Faik Konica, si njëri ndër krijuesit me autoritet ndërkombëtar dhe në raporte të ngushta bashkëpunimi e miqësie me disa prej shkrimtarëve të njohur evropianë.

E vërteta është se fragmente të shkrimit eseistik në gjuhën shqipe hasen që në veprat e Buzukut, Bogdanit, Bardhit…, pastaj në veprat e Rilindasve, si: Veqilharxhi, Kristoforidhi, Naimi e Samiu, Pashko Vasa, Filip Shiroka, Luigj Gurakuqi…, po, për shkak të rrethanave të posapërmendura, formësimin e saj të plotë si lloj shkrimi e arriti kur nisi ta kultivojë pena e Faik Konicës, Fan S. Nolit, Gjergj Fishtës, Anton Harapit, Mit’hat Frashërit, Vangjel Koçës, Mitrush Kutelit, Kristë Malokit, Branko Merxhanit, Lame Kodrës, Eqrem Çabejt etj. Pra, ishin këta të fundit, me në krye themeluesin e eseistikës shqiptare, Faik Konicën, që esenë e kuptuan si lloj të veçantë shkrimi, të cilin e shfrytëzuan për ndriçimin e mendjes së kombit dhe gjetjen e kodit të humbur evropian, që u bë motoja e jetës së tyre dhe Rilindjes Kombëtare.

Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.