LSDM kërkoi përgjegjësi nga Klekovski për ujin në Gostivar, VMRO paralajmëroi se kësaj radhe do të ketë “epilog ligjor”
Partia në pushtet VMRO-DPMNE dhe opozitarja LSDM po akuzojnë njëra-tjetrën për rastin me ujin në Gostivar, ku është shpallur epidemi pasi numri i të prekurve ka arritur në afro 2.000. LSDM akuzoi se institucionet kanë reaguar me vonesë pasi ishte konstatuar se pompa ilegale kishin futur ujë nga lumi Vardar në sistemin e ujësjellësit, gjë që, sipas tyre, ka çuar në numrin e madh të të prekurve, transmeton Portalb.mk.
“Epidemia e gastroenteritit në Gostivar nuk shpërtheu brenda natës, por është zhvilluar për ditë të tëra para syve të institucioneve kompetente”, theksuan nga partia.
Nga LSDM thonë se institucionet që në fazat e hershme kishin informacione dhe dyshime të qarta për pasigurinë e ujit, si dhe për rritjen e pazakontë të numrit të pacientëve. Sipas tyre, shëndeti publik nuk duhet të jetë objekt i vonesave, justifikimeve apo kalkulimeve politike, ndërsa institucionet kanë pasur detyrim të reagojnë me vendosmëri që në shenjat e para të rrezikut shëndetësor.
“Nuk mund të dëgjojmë më deklarata boshe të tipit: ‘Shumë shpejt do të dalim me informacion’, ‘Për disa ditë gjithçka do të dihet’, ‘Një pjesë do t’i mësoni së shpejti’, dhe më pas të shtiremi të habitur se si ka mundur të ndodhë kjo. Qytetarët e Gostivarit meritojnë përgjigje: pse u prit kaq gjatë dhe kush do të mbajë përgjegjësi për faktin që sinjalet paralajmëruese nuk u njohën dhe nuk u trajtuan me kohë?”, thanë nga LSDM.
Nga ana tjetër, VMRO-DPMNE në pushtet akuzoi se ka dështuar kandidati i LSDM-së, BDI-së dhe Taravarit në Gostivar, duke e kritikuar LSDM-në se nuk po kërkon përgjegjësi për këtë skandal, i cili, sipas tyre, ka tronditur shtetin. Nga partia thanë se ky rast do të ketë epilog ligjor.
“LSDM dhe Filipçe nuk mund ta drejtojnë gishtin kah Qeveria e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, sepse kuadri që ata së bashku me Ahmetin dhe Taravarin e promovuan dhe e mbështetën në zgjedhje ka dështuar. Por një gjë është shumë e rëndësishme. Ky rast do të ketë epilog ligjor, nuk do të përfundojë si rasti me Spitalin Modular, ku pikërisht për shkak të Filipçes humbën jetën 14 bashkëqytetarë tanë, ndërsa ai nuk u thirr as për bisedë informative, sepse gjyqtarët dhe prokurorët e tij e mbrojnë, dhe në fund fajtor doli kablli”, njoftuan nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë, ministri i Shëndetësisë, Sasho Klekovski tha se nuk ka pasur në asnjë moment fshehje të informacioneve nga Ministria e Shëndetësisë për situatën në Gostivar.
“Unë isha i pari që të shtunën informova se rastet e para janë regjistruar më 13 korrik. Ministria e Shëndetësisë dhe unë do të vazhdojmë t’i publikojmë të dhënat në mënyrë transparente, sepse nuk kemi çfarë të fshehim”, tha Klekovski në konferencën e sotme për media në Qeveri.
Informacioni i parë zyrtar për situatën në Gostivar ka arritur në Ministrinë e Shëndetësisë të premten në orën 13:00.
Sipas tij, deri tani janë regjistruar rreth 3.100 kontakte shëndetësore nga Qendra Shëndetësore, Spitali i Përgjithshëm, thirrjet telefonike dhe ndërhyrjet e ndihmës së shpejtë.
Ndërkohë, kanë arritur rezultatet nga Instituti i Shëndetit Publik për mostrat e ujit të marra në katër lokacione në Gostivar, të cilat kanë treguar se ka devijime nga parametrat normalë.
Qeveria dje mori vendim që gjatë ditëve në vijim të sigurojë nga 50 mijë litra ujë falas në ditë për pije për qytetarët e Gostivarit, me qëllim që të plotësohen nevojat bazë të popullsisë derisa të vazhdojnë masat dhe rekomandimet e institucioneve kompetente.
Ndryshe, Gostivari po përballet me një epidemi të problemeve gastrointestinale, pasi numri i qytetarëve me simptoma si diarre, të vjella dhe dehidratim vazhdon të jetë i lartë. Sipas ministrit të Shëndetësisë, Sasho Klekovski, çdo ditë paraqiten rreth 250 deri në 300 pacientë të rinj, ndërsa për shkak të rritjes së rasteve Qendra për Shëndet Publik në Tetovë shpalli epidemi në territorin e Komunës së Gostivarit. Institucionet shëndetësore po kryejnë analiza laboratorike dhe hetime epidemiologjike për të përcaktuar shkaktarin, ndërsa qytetarëve u është rekomanduar të mos e përdorin ujin nga rrjeti i ujësjellësit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit deri në daljen e rezultateve përfundimtare.
- LEXO: Epidemia në Gostivar nuk po qetësohet, Klekovski: Çdo ditë raportohen 250 deri në 300 pacientë
- LEXO: Është shpallur epidemi në Gostivar, vetëm sot 204 pacientë kanë kërkuar ndihmë
- LEXO: Ministria e Shëndetësisë doli me informacione për gjendjen epidemiologjike në rajonin e Gostivarit
- LEXO: ISHP: Uji i çezmës në Gostivar nuk guxon të pihet dhe as të përdoret për larjen e frutave apo përgatitjen e ushqimit