Fatmir Limani: Moti kohë kemi përfunduar unë dhe VLEN-i

Ministri i Politikës Sociale, Fatmir Limani, deklaroi si prej kohësh i kanë ndarë rrugët me VLEN-in, duke nënkuptuar se as nuk është ministër nga radhët e këtij koalicioni, transmeton Portalb.mk.

“Moti kohë kemi përfunduar unë dhe VLEN-i”, tha Limani.

VLEN nga ana tjetër ka paralajmëruar se Limani nuk do t’i përfaqësojë në ekzekutiv pas rikonstruimit të ardhshëm të Qeverisë.

Tensionet mes ministrit të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë Fatmir Limani dhe kryetarit të Lëvizjes Besa Bilall Kasami, nga radhët e së cilës parti është edhe Limani, janë shfaqur prej kohësh brenda koalicionit shqiptar VLEN, i cili është pjesë e qeverisë në Maqedoninë e Veriut. Kasami ka shprehur publikisht pakënaqësi për rolin dhe performancën e përfaqësuesve të Besës në qeveri, duke mos përjashtuar mundësinë që partia të kërkojë edhe shkarkimin e Limanit nga posti i ministrit.

Në këtë kontekst, kryeministri Hristijan Mickoski reagoi ndaj deklaratave të Kasamit, duke theksuar se është i kënaqur me punën e Limanit dhe se ai mbetet “vlerë e shtuar” në Ministrinë e Politikës Sociale. Mickoski rikujtoi gjithashtu se si mandatar i qeverisë është ai që e formon kabinetin qeveritar dhe merr vendime për përbërjen e tij.

Këto zhvillime kanë thelluar debatet brenda koalicionit VLEN dhe kanë hapur diskutime për pozicionimin e disa figurave politike në qeveri, ndërsa tensionet janë reflektuar edhe në deklarata publike dhe qëndrime të ndryshme mes partnerëve të koalicionit.