Ekspozita “Muzeu i Fëmijërisë” nga Eshref Qahili, pasqyron shpresën dhe forcën në momente të vështira (Video)

Dje në hapësirat e Çifte Hamam në Shkup, u hap ekspozita “Muzeu i Fëmijërisë” e artistit nga Prishtina, Eshref Qahilit. Artisti me anë të tridhjetë pikturave në vaj ka treguar eksperiencat fëmijërore që ai dhe rrethi i tij i kanë përjetuar në trojet shqiptare, shkruan Portalb.mk.

Ekspozita personale “Muzeu i Fëmijërisë” u hap dje në Shkup, në hapësirat e Çifte Hamam dhe do të jetë e  hapur deri më 18 dhjetor.

Ekspozita  përfshin tridhjetë punime vaj në pëlhurë dhe teknikë të kombinuar dhe është realizuar në kuadër të projektit të shkëmbimit kulturor bilateral ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Artisti Eshrefi shpjegoi disa nga pikturat e tij duke thënë se pikturat e tij tregojnë për kohën para dhe gjatë luftës, kujtimet e tija që në atë kohë tregojnë për mënyrat se si ai dhe rrethit i tij kanë gjetur shpresë dhe në fjalët e tij “i kanë mbajtur gjallë”.

“Kjo radio ka historinë e vete, para ose gjatë luftës, me fëmijët kemi dëgjuar muzikë, kemi dëgjuar lajmet dhe bombardimet, duke dëgjuar Enver Hoxhën dhe Shkurte Fejzën e gjithë ato këngë që kemi dëgjuar. Përndryshe në këto radio janë të ngjitura kolazhe të Enver Hoxhës dhe Shkurte Fejzës, e ato na kanë mbajtur gjallë, së paku nga këndi im dhe rrethi ku unë kam jetuar, mendoj se e ka pasur forcën, nuk jemi ndjerë si të dobët, ne kemi menduar se do të bëjmë një Shqipëri të fortë dhe ajo na ka mbajtur gjallë”,  tha artisti Eshrefi duke shpjeguar një nga pikturat e tij.

Një tjetër pikturë e tij nga cikli Errësira e Artë- Shujta, artisti ka demonstruar një moment të fëmijëve që janë rritur jetim, në pikturë shihen disa duar të fëmijëve që ruajnë pjatën, artisti shpjegoi se ideja e kësaj vepre vjen nga fëmijët të cilët kanë ruajtur pjatën e njëri tjetrit në mënyrë që të mbijetojnë dhe të përkujdesen për vetveten.

 

Artistin e shoqëronte edhe vajza e tij, Nita Qahili e cila tha se një pjesë e punimeve tregojnë edhe një pjesë të jetës së fëmijëve të Qahilit dhe rrugëtimit të tyre si fëmijë.

Folës në hapjen e ekspozitës përveç artistit Eshtrefi dhe vajzës së tij Nita Eshtrefi, ishin edhe ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e veriut, Florian Qehaja, profesori Reshat Ameti, anëtar i Bordit Drejtues të Galerisë Nacionale dhe Maja Krstevska, kuratore e lartë në Galerinë Nacionale.

Eshref Qahili ka lindur më 2 dhjetor në Rahovicë, Luginë të Preshevës, Serbi. Shkollën e mestme të artit e ka kryer në Pejë në vitin 1978, ndërsa në vitin 1983 ka kryer Akademinë e Arteve, degën e Pikturës në Prishtinë dhe më pas studimet pasuniversitare i ka vazhduar në vitin 1997.

Që nga vitet e 90-ta ai ka pasur mbi 20 ekspozita personale dhe ka marrë pjesë në ekspozita të ndryshme kolektive dhe në vende të ndryshme, Angli, Indi, Irlandë, SHBA, Francë, Japoni e shumë të tjerë.