Çmime të reja të derivateve të naftës në RMV, do të hyjnë në fuqi në mesnatë
Duke filluar nga sonte në mesnatë, derivatet e naftës do të shiten me çmime të reja më të ulëta. Sipas vendimit të Komisionit Rregullator të Energjetikës (KRRE), çmimet e benzinës dhe naftës dizel do të ulen për një denar e gjysmë në krahasim me ato të miratuara javën e kaluar, transmeton Portalb.mk.
Kështu, duke filluar nga mesnata, çmimi i ri i benzinës BS-95 do të jetë 80.50 denarë për litër, benzina BS-98 do të kushtojë 82.50 denarë për litër, ndërsa dizeli do të shitet për 94 denarë.
Me vendimin e KRRE-së, çmimi i vajit ekstra të lehtë për amvisëri do të rritet për gjysmë denari nga mesnata dhe do të shitet për 97 denarë për litër. Çmimi i mazutit do të ulet për 2.939 denarë për kilogram, i cili, sipas vendimit të KRRE-së nga mesnata, do të shitet për 46.288 denarë për kilogram.
Këto çmime ulen më tej nga zbritja që kompania OKTA futi për derivatet e naftës, e cila është e vlefshme deri më 30 prill dhe ofrohet gjatë shitjes së naftës dhe benzinës te shitësit me shumicë dhe pakicë.
Zbritja për dizelin është tre denarë për litër, ndërsa për benzinën me 95 dhe 98 oktanë është dy denarë për litër.
Me këtë, çmimi i naftës do të binte në rreth 91 denarë, ndërsa benzina do të varionte midis 78.50 dhe 80.50 denarë.