Eksperti Zekiri erdhi në seancën për “Llaskarcën”, mohoi se dikush ka ndikuar tek ai për superekspertizën

Eksperti Zeqirija Zekiri pas disa mungesash për arsye shëndetësore, sot u paraqit në seancën gjyqësore për rastin e aksidentit të autobusit të “Durmo Turs” në të cilin kanë humbur jetën 16 persona dhe 37 të tjerë janë lënduar. Gjykatësja Diana Gruevska Ilievska dhe prokurori Darko Jakimovski i uruan shëndet, ndërkaq ai u ankua se është bërë trysni ndaj tij. Ai kategorikisht mohoi se dikush ka ndërhyrë tek ai që të ndikojë në epilogun e superekspertizës, raporton Portalb.mk.

“Është bërë trysni ndaj meje dhe familjes sime, por sot jemi nesër nuk jemi. Të gjithë do të vdesim”, tha eksperti Zekiri në lidhje me pretendimet se ai qëllimisht nuk vjen në seancë, për ta zvarritur procedurën gjyqësore.

Prokurori filloi me disa pyetje në lidhje me karrierën e tij si ekspert, ndërkaq e pyeti për atë se kur e ka marrë licencën dhe çfarë përvoje ka pasur kur është kyçur në ekipin e ekspertëve për të kryer superekspertizën. Sipas Zekirit ai është kyçur në ekipin e ekspertëve për të bërë superekspertizën 11 muaj pasi e ka marrë licencën, ndërkaq i pyetur nga prokuroi nëse më herët ka bërë ndonjë ekspertizë për automjet të aksidentuar, ai tha që s’ka bërë.

“Eksperti nuk duhet të jetë doktor shkence, po inxhinier mekanik. Si ekspertët e tjerë, edhe unë e kam marrë licencën. Askund nuk shkruan se duhet të bëjë ekspertizë për 1 apo 5 vjet. Nuk jam bartës i kësaj superekspertizës. Nuk kam bërë ekspertizë tjetër për automjet të aksidentuar, ky ishte automjeti i parë në të cilin jam angazhuar si ekspert. E dini se në Byronë për Ekspertiza mungojnë ekspertë dhe për atë jam angazhuar”, tha Zekiri.

Prokurori e pyeti se me çfarë pajisje janë matur fuqia dhe sistemi i frenimit të autobusit të aksidentuar më 27 korrik të vitit 2018-të (kur është bërë kontrolli i fundit teknik, para aksidentit), ndërkaq Zekiri tha se me pajisjen “madar” i cili është ndër më të mirët në Ballkan.

Kolegët e tij, ekspertë, ndërhynë duke e rikujtuar se ekipi nuk ka bërë kontroll të pajisjeve në stacionin teknik, përfshirë edhe sistemin për frenim.

Prokurori më tej tha nëse është në dijeni se të gjithë ekspertët kanë deklaruar se deri në goditjen e parë të autobusit, nuk janë gjetur gjurmë të frenimit, ndërkaq ai tha se “ashtu është, por për më tej nuk ka prova nëse ka frenuar autobusi” dhe se për këtë, duhen pyetur ekspertët e komunikacionit.

Prokurori në fund e pyeti nëse mund të konstatojë se nuk ka lidhje familjare, miqësore, apo afërsie me ndonjëri prej të akuzuarve. Pala mbrojtëse reagoi duke theksuar se për këtë është deklaruar në betimin e parë. Megjithatë, gjykatësja lejoi që të bëhet pyetja dhe në situatë të tensionuar, Zekiri tha se e përsërit atë që është betuar se nuk ka lidhje familjare apo afërsie me ndonjërin prej të akuzuarve.

Situata e tensionuar vazhdoi me përplasje verbale mes disa prej familjarëve të të dëmtuarve dhe avokatit Sashko Dukovski, pasi që siç pretendonte ai, njëri prej tyre i është drejtuar gjatë seancës njërit prej avokatëve me fjalët “do të shohësh ti”, duke e tundur kokën.

Njëri prej avokatëve e lëshoi sallën për disa minuta, u desh që të ndërhyjë gjykatësja, më pas edhe policia.

Ndërhyri Zekiri duke iu drejtuar gjykatëses me fjalët: “Ne si ekspertë mund të gabojmë, por asnjëherë me qëllim, apo për lidhje apo telefonatë. E them me përgjegjësi të plotë se s’kam bërë asnjë gabim, ju betohem në Zot, pasi që jam edhe besimtar”.

Gjykatësja, gjithashtu u ankua se ajo dhe ekipi i saj kanë trysni për shkak rastit, i cili është zgjatur.

“Të kisha mundësi, sot e përfundoja. Edhe unë dhe të gjithë kemi trysni dhe jemi të detyruar t’i durojmë”, tha gjykatësja.

Pasi u qetësua situata, avokati Jumço Micevski, i cili është mbrojtës i shoferit të autobusit, Manoil Trifunovski, vazhdoi me pyetje ndaj ekspertit Zekiri.

Ai e pyeti për videon e incizimit të kontrollit teknik të autobusit të bërë më 2 korrik 2018-të, ndërkaq Zekiri tha se materialet i ka parë, por videon jo, pasi që nuk mund të shihet.

Avokati e pyetu edhe për testin e frenimit të autobusit, gjegjësisht sistemin “Makar”, nëse rezultatet prej tij dalin pa mundësi për t’u ndryshuar apo ndikuar.

“Ashtu duhet të punojë sipas rregullit”, tha Zekiri.

Sipas librezës, prej kontrollit të fundit teknik (2 korrik 2018-të e deri në ditën e aksidentit”, nuk ka të dhëna se janë kontrolluar frenat, apo është kryer ndonjë operacion tjetër teknik, tha avokati Micevski.

Kontestuese për avokatin ishte edhe koha e ndodhisë së aksidentit.

“Sipas asaj që shkruan në superekspertizë aksidenti ka ndodhur në 5.50 që nuk është e vërtetë, pasi që aksidenti ka ndodhur në ora 5. Kjo është bërë me qëllim për ta tollovitur kronologjinë që mund të lexohet në fletën takografike”, tha Micevski.

Avokati Delo Kadiev, reagoi duke theksuar se aksidenti ka ndodhur në orën 16.45.

Eksperti Zekiri tha se ata “nuk e kanë shpikur këtë”, por se kjo gjendet në “procesverbalin e policisë”.

Palët kanë qëndrime të kundërta në lidhje me deklaratën e Zekirit.

Prokurori konteston përgatitjen profesionale të ekspertit. Avokati i shoferit të autobusit, përveç se e konteston përgatitjen profesionale, ai pretendon se janë bërë lëshime thelbësore. Në ndërkohë, avokatët e përfaqësuesve të “Durmo Turs”, deklaratën e ekspertit e vlerësojnë të drejtë, duke vlerësuar se të gjitha pyetjeve u është përgjigjur siç duhet. Familjarët e viktimave, sot u ankuan se deklarimet e ekspertit Zekiri nuk ishin të qëndrueshme dhe se kishte ndërhyrje të vazhdueshme nga kolegët e tij, të cilët qëndronin pranë tij.

Mendimi i ekspertit Zekiri, sipas deklaratave paraprake të prokurorit Jakimovski  është kyç për procedurën.

Nëpër media u ngrit bujë në lidhje me mosardhjen e Zekiri në disa seanca gjyqësore, për çka, prokurori Jakimovski, i ka kërkuar Zekirit të gjithë dokumentacionin mjekësor, pasi që paraprakisht, ka hetuar dhe ka marrë informacion se eksperti Zekiri ka shkuar në punë. Përveç kësaj, në opinion u publikuan fotografitë e ekspertit Zekiri në një foltore në një ngjarje partiake të BDI-së.

“Durmo Tours” konsiderohet në opinion si kompani e afërt me BDI-në në pushtet dhe të gjitha bllokimet dhe zvarritjet e mëparshme në këtë proces gjyqësor, pretendohet se janë në drejtim që të gjithë fajin t’ia bartin vetëm shoferit, ndërkaq të anulohet defekti eventual teknik i autobusit që u përmbys papritur, duke shmangur përgjegjësinë penale për pronarët e kompanisë.

Superekspertiza që Gjykata e ka porositur në dhjetor të vitit 2021 u refuzua nga Fakultetet e shtetit, me sqarimin se ekspertët e tyre tanimë kanë marrë pjesë në ekspertizë paraprake dhe se nuk janë kompetentë për të njëjtën.

Procesi gjyqësor ka filluar në shtator të vitit 2019-të dhe vazhdon të zvarritet. Gjykatëse e lëndës është Diana Gruevska Ilievska.

Aksidenti i autobusit ka ndodhur më 13 shkurt 2019, kur autobusi i “Durmo Tours” i cili lëvizte në linjën e rregullt Shkup-Gostivar doli nga autostrada afër fshatit Llaskarcë. 16 udhëtarë humbën jetën dhe 37 u plagosën. Në këtë proces gjyqësor akuzohen gjashtë persona: pronari i “Durmo Tours”, Durmish Beluli, personi përgjegjës për transport në kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoil Trifunovski, si dhe tre punonjës të stacionit të kontrollit teknik. Tre të parët akuzohen për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, ndërsa të tjerët akuzohen për bashkëpunim në të njëjtën vepër.

“Durmo Tours” edhe sot vazhdon të punojë dhe të bartë udhëtarë.

GJITHÇKA NË LIDHJE ME RASTIN TRAGJIK LEXO: KËTU