Eduart Grishaj në Portalb: Institucionet në Maqedoninë e Veriut na pengojnë shumë për ta ndarë artin tonë me shqiptarët që janë atje

Më 6 Maj në Pallatin e Kulturës në Tetovë, me fillim nga ora 19:00 do të shfaqet filmi “Pasaporta” nën regji të Eduart Grishaj. Ky film trajton çështjet e identitetit, emigrimit, dhe sfidave që shqiptarët përballojnë gjatë përpjekjeve për të krijuar një jetë të re jashtë atdheut të tyre. “Pasaporta” është një film që sfidon audiencën të reflektojë mbi kuptimin e vërtetë të identitetit dhe sakrificat që njerëzit bëjnë për të arritur ëndrrat e tyre. Për filmin dhe shfaqjen e tij në Tetovë, Portalb.mk bisedoi me vetë regjisorin Eduard Grishaj. 

Portalb.mk: “Pasaporta” deri më sot ka udhëtuar në shumë qytete shqip-folëse, së shpejti pritet të promovohet edhe në Tetovë, na thoni diçka më tepër rreth këtij organizimi dhe pse duhet publiku të vijë ta ndjek?

Eduart Grishaj: Duhet patjetër që publiku i Tetovës, ashtu siç çdo publik shqiptar kudo që është duhet ta shikoj këtë film, sepse ky jep mesazhe reale dhe shumë të forta për emigracionin sepse emigracioni për ne shqiptarët është një plagë e vjetër dhe një plage e madhe. Çdo shqiptarë që do e shikoj këtë film do ta gjej veten, sepse nuk besoj që ka një shqiptar që nuk ka shkuar në emigracion ose nuk ka ndonjë pjesëtarë të familjes që nuk ka ikur. Por përveç atyre jep një mesazhe akoma edhe për të rinjtë që mendojnë sot e kësaj dite për tu larguar nga vendi ilegalisht dhe tregon sa e vështirë është rruga ilegale për të shkuar sot në Amerikë dhe në Kanada dhe në vende të tjera ku ne nuk mund të shkojmë pa viza. Pra përcjellë një mesazh real dhe tregon se si funksionon krimi i organizuar.

Portalb.mk: Pse pikërisht zgjodhët Tetovën për ta prezantuar filmin për herë të parë te shqiptarët e Maqedonisë së Veriut?

Eduart Grishaj: Tetovën e kam zgjedhur për dy arsye: arsyeja e parë që kur kam sjellë filmin e fundit “Sofia” në Shkup një pjesë të madhe të audiencës së filmit kanë qenë nga Tetova. Jam i informuar një nga qytetet më të mëdha ku ka shqiptarë është Tetova dhe kisha shumë dëshirë për të shkuar në Tetovë, sepse unë në Shkup kam qenë vitin e kaluar, dhe në Tetovë nuk kam qenë, dhe kam dashur që t’i shpërblejë borxhin Tetovës në një farë mënyre. Arsyeja e dytë është që unë doja ta bëja edhe në Shkup por mungesa e mbështetjes të institucioneve në Shkup e bënë të pamundur që unë të vij atje.

Afishja e filmit “Pasaporta”. Foto: Eduart Grishaj
Afishja e filmit “Pasaporta”. Foto: Eduart Grishaj

Portalb.mk: A mendoni se regjisorët nga Shqipëria dhe Kosova sikur publikun shqiptar në Maqedoninë e Veriut e anashkalojnë nëpër premiera dhe prezantimet e filmave të tyre dhe si mund të përmirësohet kjo?

Eduart Grishaj: Nuk mendoj se regjisorët shqiptarë dhe Kosovarë e anashkalojnë Maqedoninë e Veriut nga premierat. Por ta them nga eksperienca ime personale, unë sa herë që dua të sjellë një film në Maqedoni e kam shumë të vështirë. Institucionet e Kinemasë atje na e bëjnë malore ne që vijmë nga Shqipëria, sepse në përgjithësi drejtorët janë maqedonas ose me lidhje nga Serbia.

Unë kam pasur problem edhe me filmin “Sofia” për ta sjell në Shkup, duke e pas parasysh se këto janë këta drejtues, dhe kisha përsëri probleme për ta sjell në Shkup dhe unë nuk do ta sjell filmin në Shkup këtë herë, sepse desha ta çoj te Teatri në Shkup, ku drejtori ishte maqedonas, dhe mua më kërkuan shumë lek për ta sjellë atje.

Dhe fakti që me paguar shumë lek duhej që me marrë shumë lekë për bileta shqiptarëve atje për ta kompensuar dhe për të pas mundësi që unë me sjellë filmin në Shkup, kështu që unë e anulova. Pastaj me ndihmën e institucioneve shqiptare në Tetovë, unë filmin do ta sjell vetëm në Tetovë sepse rruga ishte shumë më e lehtë. Pra janë institucione atje që janë maqedonase që ne na pengojnë shumë për të sjellë, për të bërë art atje dhe për ta ndarë artin tonë me shqiptarët tonë që janë në Maqedoni.

Portalb.mk: Cilat janë disa nga mesazhet kryesore që dëshironi të përcillni përmes “Pasaportës” dhe si janë pritur këto nga publiku gjithandej që keni udhëtuar?

Eduart Grishaj: Nga mesazhet kryesore janë që ne sot e kësaj dite ne nuk duhet të vazhdojmë ta lëmë Shqipërinë, Maqedoninë ose Kosovën, vendet tona ku kemi lindur. Por duhet të mendojmë të kontribuojmë më shumë, të japim maksimumin për vendin tonë, dhe nuk është zgjidhja e vetme të emigrosh në mënyrë ilegale nga vendet tona. Sepse dhe duke shkuar atje nuk është se është më ai ndryshimi i madh nuk është ajo ëndrra që ne jemi rritur duke menduar se po të largohemi nga vendi jonë, atje shkojmë dhe ndryshon çdo gjë. Tani gjërat janë përmirësuar në çdo vend dhe jep një mesazh që ne nëse do të punojmë mund t’ia dalim kudo që jemi dhe akoma më të lehtë në vendin tonë duke qëndruar dhe duke kontribuar këtu për ta ndryshuar për brezat që do vinë edhe mbrapa.

Portalb.mk: Si e shihni rolin e kinematografisë shqiptare në pasqyrimin e realitetit social dhe kulturor të vendit?

Eduart Grishaj: Ka pasur përpjekje shumë të mira edhe në Shqipëri për të bërë filma të mirë, për të bërë kinematografi, por ajo që e ka penguar më së shumti dhe nuk e ka lënë të eci aq përpara, ka qenë mbështetja e pakët që kanë pas filmat këtu nga institucionet përkatëse që duhet ta mbështesin filmin. Dhe këtu ka qenë një problem shumë i madh dhe është një malore shumë e madhe në Shqipëri, po flas vetëm për këtu, që të ecë përpara kinematografia jonë, duke pasur shumë pak mbështetje nga institucionet përkatëse.

Portalb.mk: A mendoni se filmi shqiptar ka potencial për të depërtuar më shumë në tregun ndërkombëtar? Si e shihni këtë mundësi për “Pasaportën”?

Eduart Grishaj: Unë mendoj që ka jashtëzakonisht potencial filmi shqiptar për të depërtuar në fushën ndërkombëtare. Ka histori të jashtëzakonshme, ka njerëz të talentuar që mund ta qojnë përpara, por mungon shumë mbështetja institucionale që duhet ta përkrahë filmin për të ecur, sepse nuk mjaftojnë vetëm idetë e mira, por duhen edhe fondet e shumta për tu kapur me botën dhe për të depërtuar jashtë. Sepse në botë kanë talentin por kanë edhe mbështetjen, Shqipëria e ka talentin por nuk e ka mbështetjen dhe nuk e kanë anën financiare. Kjo duhet rregulluar, pa u rregulluar kjo sado talent që të kesh është shumë e vështirë të konkurrosh me nivelet e larta botërore.