Takimi Kovaçevski-Rama: Duhet angazhim i fortë për anëtarësim të plotë në BE deri në vitin 2030

Kryeministri Dimitar Kovaçevski i uroi mirëseardhjen sot në vend kolegut të tij shqiptar Edi Rama dhe në fokus të bisedimeve ishin perspektivat dhe përfitimet e procesit të Berlinit, integrimi në Bashkimin Evropian, si dhe rëndësia e forcimit të mëtejshëm të bashkëpunimit dypalësh mes dy vendeve anëtare të NATO-s, transmeton Portalb.mk.

Kryeministrat Kovacevski dhe Rama, siç thuhet në njoftimin e qeverisë, ranë dakord se proceset integruese evropiane të të dyja vendeve dhe rëndësia e angazhimit të qartë është vendimtare në këto momente të trazirave të forta gjeopolitike, me synimin që vendet deri në vitin 2030 të bëhen anëtarë të plotë të BE-së. 

Në takim delegacioni i Maqedonisë përfshinte zëvendëskryeministrin e parë dhe ministrin për sistemin politik dhe marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve Artan Grubi, zëvendëskryeministrin për çështje evropiane Bojan Mariçiq, zëvendëskryeministrin përgjegjës për çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, ministrin e jashtëm Bujar Osmani, ministren e Mbrojtjes Slavjanka Petrovska, ministri i Drejtësisë Krenar Lloga, si dhe ministrja e Kulturës Bisera Kostadinovska Stojçevska.

Në delegacionin shqiptar morën pjesë Niko Peleshi, Ministër i Mbrojtjes, Majlinda Duka, Ministre e Shtetit dhe Kryenegociatore e Republikës së Shqipërisë, si dhe Zëvendës Sekretarja e Përgjithshme në Qeveri, Elira Kokona.

Në takimin dypalësh u tha se vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, kanë një punë serioze përpara, sepse ka ardhur koha kur do të duhet të arrihen arritje thelbësore në drejtim të përmirësimit të kapaciteteve, efikasitetit dhe konkurrueshmëria e ekonomive dhe e rajonit në përgjithësi, gjë që do të çojë në përshpejtimin e rritjes dhe zhvillimit ekonomik rajonal.

“Në atë drejtim, pikërisht përmes procesit të Berlinit synohet intensifikimi i bashkëpunimit dhe lidhjes rajonale ndërmjet vendeve të Ballkanit Perëndimor. Në takimin dypalësh u tha se qëndrimi është i qartë se BE-ja nuk do të jetë e plotë dhe i suksesshëm derisa qytetarët e Ballkanit Perëndimor të marrin pasaporta me flamurin e BE-së. Njëkohësisht u konstatua se procesi i Berlinit nuk është zëvendësues i anëtarësimit në BE, por është një proces që do të sigurojë një integrim më të shpejtë të vendeve të rajonit”, thuhet në njoftimin e qeverisë.

Nga këndvështrimi i bashkëpunimit mes dy vendeve, u theksua se vizita e sotme është një tjetër konfirmim i bashkëpunimit të mirë dypalësh mes dy vendeve, i cili zhvillohet tetë muaj pas seancës ndërqeveritare të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Në njoftimin e qeverisë thuhet se trendi i rritjes së tregtisë me Shqipërinë ka një tendencë në rritje. Në vitin 2022, eksportet nga Maqedonia e Veriut në Shqipëri arritën në mbi 102 milionë euro, që është një rritje prej 7 për qind krahasuar me vitin 2021 dhe një rritje prej 40 për qind krahasuar me vitin 2019.

Theksohet se të dy vendet, si aleatë të NATO-s, janë të vendosura në promovimin dhe ndarjen e vlerave dhe përgjegjësisë së përbashkët ndaj NATO-s dhe kontributin në operacionet ndërkombëtare të paqes, duke ndarë pikëpamje të përbashkëta në lidhje me situatën në nivel rajonal dhe shumëpalësh për paqen dhe stabilitetin në rajon.

Pas takimit tete a tete kryeministrat e dy vendeve zhvilluan takim dypalesh me delegacionet qeveritare.

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama kanisur sot turin ballkanik, ku do të zhvillojë takime edhe në Prishtinë, Beograd, Sarajevë dhe Podgoricë.

Rama do të udhëtojë drejt Prishtinës. Në orën 16:00, do të takohet me presidenten Vjosa Osmani ndërsa në orën 17:15, kreu i qeverisë shqiptare do të takohet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

Megjithëse Albin Kurti refuzoi dje takimin me Ramën duke thënë se së pari duhej të mbahej mbledhja e përbashkët e qeverivë në Gjakovë, sipas të cilit ishte anuluar në mënyrë të paparsyeshme. Nga ana tjetër kryeministri Rama në agjendën e publikuar sot, thotë se është ende në pritje të një konfirmimi zyrtar.

Të nesërmen, me 7 Korrik, Rama do të udhëtojë në Bosnje Hercegovinë ku do të pritet nga kryetarja e Këshillit të Ministrave Borjana Kristo dhe më pas do të mbahet një konferencë e përbashkët për shtyp. Më vonë, në orën 13:45, Rama do të takohet me kryeministrin e Malit të Zi, Dritan Abazoviq.

Në orën 16:00 do të takohet edhe me presidentin Jakov Milatoviq. Më pas do të niset për në Serbi ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç në orën 19:30 dhe më pas do të mbajnë konferencën e përbashkët.

Agjenda e kryeministrit t Shqipërisë Edi Rama
Agjenda e kryeministrit t Shqipërisë Edi Rama
Agjenda e kryeministrit t Shqipërisë Edi Rama
Agjenda e kryeministrit t Shqipërisë Edi Rama