QKC: Çdo e treta kontratë për prokurim publik është lidhur në një procedurë ku ka marrë pjesë vetëm një kompani

Qendra për Komunikime Civile (QKC) ka publikuar Raportin e rregullt të monitorimit të prokurimeve publike të kryera nga janari deri në qershor 2023, si dhe indeksin e racionalitetit, ku janë krahasuar çmimet me të cilat institucione të ndryshme kanë prokuruar saktësisht të njëjtin produkt apo shërbim, në këtë rast shërbime të kapjes dhe trajtim profesional i qenve endacakë. Në gjetjet kryesore thuhet se çdo e treta kontratë e prokurimit publik është lidhur në procedurë në të cilën ka marrë pjesë vetëm një kompani, transmeton Portalb.mk.

“Me këtë mungesë konkurrence janë lidhur kontrata me vlerë totale prej 283 milionë euro. Më pas, zvogëlohet numri mesatar i ofertave në prokurimet publike, i cili në periudhën e monitoruar ra në 2.8, krahasuar me 3 sa ishte në vitin 2022. Mungesa e konkurrencës është veçanërisht shqetësuese në kujdesin shëndetësor. Gjithashtu, vendimet që merren gjatë zbatimit të prokurimeve publike nuk janë të arsyetuara në mënyrë adekuate dhe precize, gjë që vë në dyshim objektivitetin dhe ligjshmërinë e veprimeve. Kjo kryesisht ka të bëjë me vendimet për refuzimin e ofertave të dorëzuara dhe anulimin e tenderëve”, thuhet në njoftimin nga QKC.

Në të gjeturat vërehet se në një pjesë të konsiderueshme të procedurave nuk përcaktohen sasitë e asaj që prokurohet, gjë që e pamundëson ofrimin e çmimeve më të ulëta për sasi më të mëdha të prokurimit nga kompanitë. Kjo mundëson manipulime dhe abuzime në fazën e zbatimit të kontratës.

“Në procedurën jotransparente me negocim pa shpallje paraprake, në gjysmën e parë të vitit 2023 janë lidhur kontrata me vlerë totale rreth 11 milionë euro. Rreth 91 për qind e këtyre kontratave janë lidhur në negociata vetëm me një kompani. Vlera më e madhe e këtij lloji të kontratave e ka ShA Elektrana. Hulumtimi i çmimeve të tenderit të trajtimit të qenve tregon konkurrencë shumë të ulët prej vetëm 1.5 ofertash për tender. Për disa shërbime, si “qëndrimi njëditor i një qeni në strehimore” çmimi më i lartë është 244 për qind më i lartë se mesatarja dhe për një shërbim tjetër “kap, transport në ambulancë dhe kthim”, çmimi më i lartë është 12.5 herë më i lartë se çmimi më i ulët”, thuhet në njoftimin e organizatës.

Raporti është përgatitur në kuadër të projektit “Monitorimi i prokurimeve publike”, i cili implementohet nga Qendra për Komunikim Civile, ndërsa financohet nga Fondacioni Shoqëria e Hapur – Maqedoni.

Kujtojmë se në shkurt të këtij viti, Qendra për Komunikime Civile publikoi anketën për nivelin e kujdesit shëndetësor të banorëve në 30 qendrat shëndetësore në vend.

Hulumtimi tregoi s  Banorët e kryeqytetit të Shkupit kanë mundësitë më të larta për kujdes shëndetësor, ndërsa banorët e Krushevës kanë më së paku mundësi për kujdes adekuat shëndetësor.