Edhe një investitor i huaj po largohet vendi: Kompania gjermane BMZ po e mbyll fabrikën në RMV, e zhvendos prodhimin në Poloni

Edhe një investitor i huaj po largohet nga Maqedonia e Veriut. Kompania gjermane BMZ do ta mbyllë deri në fund të vitit fabrikën e saj në Zonën Teknologjiko-Industriale në Shkup. Vendimi është marrë pas një analize të gjerë ekonomike, ndërsa prodhimi do të zhvendoset në Poloni, raporton Telma, transmeton Portalb.mk.

Për mbylljen e fabrikës janë njoftuar rreth 100 punonjës të kompanisë.

“BMZ e njeh ndikimin që ky vendim do të ketë mbi të punësuarit në Maqedoninë e Veriut. Kompania është plotësisht e përkushtuar që këtë tranzicion ta realizojë me përgjegjësi, transparencë dhe respekt ndaj të gjithë punonjësve”, thuhet në njoftimin e kompanisë.

Për largimin e kompanisë, e cila prodhon sisteme baterish, janë njoftuar edhe në Drejtorinë për Zonat Zhvillimore Teknologjiko-Industriale (TIDZ). Nga atje, për televizionin Telma, u shprehën me tone optimiste. Ata pretendojnë se një investitor që vepron prej kohësh në vend është i interesuar të marrë një pjesë të punonjësve të BMZ-së, por nuk zbulojnë se për cilën kompani bëhet fjalë.

Po ashtu, ata bëjnë të ditur se këto ditë në vend pritet të vijë një investitor tjetër nga Bashkimi Evropian, me të cilin do të bisedohet për marrjen në shfrytëzim të fabrikës së BMZ-së. Megjithatë, nuk japin detaje se për cilën kompani bëhet fjalë, nëse është nga industria automobilistike apo nga një sektor tjetër.

Përveç BMZ-së, më herët edhe kompania Aptiv njoftoi se deri në fund të vitit do ta mbyllë fabrikën e saj. Dyert i mbylli edhe kompania amerikane Dura, ndërsa nga TIDZ njoftuan se do të kërkojnë kthimin e një pjese të ndihmës shtetërore të dhënë për këtë kompani.

Ndërkohë, disa kompani të tjera të huaja kanë paralajmëruar se nuk do të mund t’i realizojnë planet për punësimet e reja.

Gjatë periudhës së fundit, disa investitorë janë ankuar se nuk e kanë marrë ndihmën shtetërore që u takon, ndërsa vlerësojnë se nevojitet kujdes më i madh për investitorët që tashmë operojnë në vend.

Këto probleme janë shfaqur si pasojë e turbulencave në tregun evropian, prej nga vijnë pjesa më e madhe e porosive për kompanitë.

Sipas të dhënave, deri në fund të tremujorit të parë të këtij viti, investimet e huaja direkte në vend arritën në pak më shumë se 200 milionë euro.

Nga TIDZ prej kohësh kanë paralajmëruar një strategji të re për tërheqjen e investitorëve të huaj, por ajo ende nuk është prezantuar.