Edhe këtë vit, universitetet e Maqedonisë së Veriut nuk ndodhen në Listën e Shangait

Është publikuar renditja Akademike e Universiteteve Botërore për vitin 2024, e njohur si “Lista e Shanghait”, nga organizata “ShanghaiRanking Consultancy”, transmeton Portalb.mk.

Nuk ka asnjë institucion të arsimit të lartë edhe këtë vit nga Maqedonia e Veriut në mesin e mijëra universiteteve më të mira në botë.

Renditja, e cila publikohet për herë të 21-të, nuk sjell ndonjë surprizë të madhe.

Edhe këtë vit, Universiteti i Harvardit renditet i pari si universiteti më i mirë në botë. I dyti është Universiteti Stanford dhe i treti është Instituti i Teknologjisë në Masaçusets (MIT), njëlloj si vitin e kaluar. Të tre universitetet janë në SHBA.

Në fakt, tetë nga dhjetë universitetet më mirë të renditura në listën e Shangait këtë vit janë amerikanë dhe atyre u bashkohen edhe Kembrixhi britanik dhe Oksfordi.

Midis universiteteve të rajonit, Universiteti i Beogradit është në listë, i renditur midis 401 dhe 500, duke rënë nga viti i kaluar kur u rendit midis 301 dhe 400.

Universiteti i Novi Sadit mbeti ndërmjet pozitës së 901-të dhe 1000-të.

Universiteti i Zagrebit (401-501) dhe Universiteti i Lubjanës (501-600) janë gjithashtu në listën e Shangait këtë vit.

Gjashtë universitete greke ishin në listë këtë vit – një më shumë se vitin e kaluar, pasi edhe Universiteti i Patrës u përfshi në mijëra universitetet më të mira në botë këtë vit.

Përveç nga Maqedonia, lista e Shangait nuk përmban asnjë universitet nga Bullgaria dhe Shqipëria.

Ndryshe, sa i përket renditjes së përgjithshme të listës së Shangait, Bashkimi Evropian është përpara Shteteve të Bashkuara dhe Kinës.

Në mesin e 500 universiteteve më të mira janë 135 universitete nga vendet e BE-së, 114 amerikanë dhe 91 kinezë.

Lista e Shangait, e njohur si Renditja Akademike e Universiteteve Botërore, u botua për herë të parë në 2003 dhe është një botim vjetor që rendit universitetet e botës bazuar në performancën e tyre akademike dhe kërkimore.

Njihet si renditja më e besueshme globale e universiteteve. Edhe këtë vit janë hetuar mbi 2500 institucione, nga të cilat janë publikuar mijëra universitetet më të mira.

Këtë vit, 32 universitete të reja ishin në mesin e mijërave më të mirë.

Me ndryshimet në Ligjin për arsimin e lartë dhe me përfshirje më të madhe të profesorëve universitarë mund të përmirësohet cilësia e arsimit të lartë, e më pas edhe renditja akademike e universiteteve të Maqedonisë, tha Ministrja e Arsimit dhe Shkencës Vesna Janevska në një intervistë për agjencinë e lajmeve “Meta.mk” muajin e kaluar.

Ajo tha se profesorëve do t’u kërkohet të angazhohen më shumë në të gjitha fushat e tyre të arsimit, shkencës dhe kërkimit.

“Qeveria e kaluar i rriti në mënyrë drastike pagat e profesorëve universitarë. Unë jam profesore dhe nuk do të doja që dikush të më keqkuptonte – po, profesorët universitarë duhet të kenë paga të larta, dhe tani meqë kanë paga të larta, do të duhet të bëjnë edhe ata më shumë për vendin. Ne nuk do mund të vazhdojmë të jemi indiferent ndaj asaj që kërkon Rang lista e Shangait. Aty kërkohen shumë elemente, por një nga elementet është edhe puna shkencore e profesorëve. Ne kemi edhe institucione vetëm shkencore, por të gjitha institucionet e arsimit të lartë kanë obligim që të merren edhe me shkencë. Mendoj se për një periudhë shumë të madhe dhe të gjatë të gjithë ne kemi pasur një sjellje indolente ndaj detyrimeve tona dhe ndaj shtetit, sepse nëse keni obligim që të përmbushni kushte të caktuara për përparimin e shtetit, ju duhet t’i përmbushni ato”, tha ministrja Janevska.

Janevska shtoi se profesorëve universitar do t’u kërkohet të hyjnë në rrjetet e BE-së dhe t’i kushtojnë vëmendje projekteve vendore, të huaja dhe ndërkombëtare, por edhe të lidhen me sektorin e ekonomisë dhe biznesit.

Asnjë universitet i Maqedonisë së Veriut nuk ka qenë ndonjëherë në listën e Shangait.