E ardhmja e së vërtetës: Carlos Hernández-Echevarría për kontrollimin e fakteve dhe IA

Në këtë intervistë, Portalb.mk bisedoi me Carlos Hernández-Echevarría, redaktor i mirënjohur në botën e verifikimit të fakteve dhe kryetar i Rrjetit Evropian të Standardeve të Verifikimit të Fakteve (EFCSN). Duke folur në lidhje me mekanizmat e dezinformimit, ai hedh dritë mbi efikasitetin dhe rolin thelbësor të verifikimit të fakteve. Ai flet për metodat që verifikuesit e fakteve i përdorin për të luftuar dezinformimin dhe për mbështetjen bazike që qeveritë vendase mund të ofrojnë në këtë përpjekje. Hernández-Echevarrí analizon sfidat dhe mundësitë e që i verifikuesit e fakteve i hasin me paraqitjen e inteligjencës artificiale (IA).  

Intervistoi: Elida Zylbeari

Carlos Hernández-Echevarría është drejtor në organizatën jofitimprurëse Fundación Maldita.es, që nga viti 2020 drejton projektet që kanë të bëjnë me politikat publike dhe avokimin. Ai punon me institucione publike dhe private për të formuluar, vlerësuar dhe mbështetur politika më efikase që do të zgjidhnin problemin me dezinformimin. Ai është gjithashtu anëtar i Grupit të Përhershëm të Kodeksit të Praktikës së BE-së për Dezinformimin. Ai ishte pjesë e Grupit të Punës EDMO për Dezinformimin në Luftën në Ukrainë. Ai ka punuar për 15 vjet si gazetar televizioni, korrespondent dhe producent ekzekutiv. Ka diplomuar për gazetari dhe ka magjistruar në temën Menaxhimi i Zgjedhjeve dhe Fushatave si bursist Fulbright. Ai është dhe profesor në Universitetin Carlos III.

Portalb.mk: Pse funksionon verifikimi i fakteve?

Carlos Hernández-Echevarría: Verifikimi i fakteve është dëshmuar se është shumë efikas kundër dezinformimit në mënyra të ndryshme. Në nivel më të thjeshtë, kur njerëzit e lexojnë një verifikim të fakteve ose një produkt të ngjashëm, ata i kuptojnë arsyet se pse krijohen lajmet e rreme dhe më pas ndryshojnë sjelljet e tyre, duke vendosur që të mos e shpërndajnë dezinformimin. Kjo është e rëndësishme sepse e sfidon bindjen se mendjet e njerëzve nuk mund të ndryshohen. Organizatat e verifikimit të fakteve kanë sjellë gjëra të reja gjatë viteve duke e mësuar gjuhën e medias, duke përdorur mjete teknologjike dhe duke kryer hulumtime të hollësishme mbi shpërndarjen e dezinformimit, moderimin e përmbajtjes dhe ndikimin e huaj të dëmshën. Vetëm duke ekzistuar, ne e ngrisim vlerën e së vërtetës në mjedisin më tonë. Politikanët, për shembull, më kanë thënë se verifikimi i fakteve i bën ata më të kujdesshëm në deklaratat dhe burimet e tyre, gjë që është e rëndësishme. Ne sigurojmë dëshmi që më pas u mundësojnë njerëzve të nxjerrin përfundimet e tyre. Për më tepër, krijojmë grupe të individëve të angazhuar që punojnë aktivisht për të parandaluar dezinformimin, duke u bërë më të vetëdijshëm dhe kritik ndaj informacionit që hasin në internet dhe jashtë tij.

Carlos Hernández-Echevarría dhe Elida Zylbeari. Foto nga Portalb.mk
Carlos Hernández-Echevarría dhe Elida Zylbeari. Foto nga Portalb.mk

Portalb.mk: Por, a është verifikimi i fakteve i mjaftueshëm për të ndaluar shpërndarjen e informacioneve të gabuara?

Carlos Hernández-Echevarría: Absolutisht jo. Intervenimi efikas kërkon një qasje gjithpërfshirëse. Duke i marrë parasysh të gjitha përpjekjet e verifikuesve të fakteve, nga zbardhja e pretendimeve të rreme deri te mbështetja për krijimin e politikave publike, sërish ky mbetet një problem shoqëror që kërkon përpjekje kolektive. Zgjidhjet e thjeshta nuk janë të mjaftueshme për këtë çështje komplekse. Nevojiten përpjekje të vazhdueshme dhe të hollësishme, përfshirë edukimin mediatik dhe inovacionet teknologjike për të zbuluar më shpejtë pretendimet e rreme. Të gjithë ata që angazhohen në luftën kundër dezinformimit luajnë një rol të rëndësishëm, kështu që asnjë qasje e vetme nuk mund të konsiderohet si një “plumb argjendi” kundër informacioneve të gabuara.

Portalb.mk: Po qeveritë? A kanë ato një rol në këtë?

Carlos Hernández-Echevarría: Kjo është një pyetje interesante. Roli kryesor i qeverive në luftën kundër dezinformimit është që ato vetë të mos i krijojnë dhe përhapin dezinformatatat. Përtej kësaj, ato duhet të sigurojnë kushte që lejojnë verifikuesit e fakteve të punojnë lirishëm, pa ndërprerje ose censurë. Në vende me gjykata të pavarura dhe sundim të ligjit, mund të ketë dhe rregulla efektive. Qeveritë nuk duhet të diktojnë se çfarë mund të thuhet ose jo, por duhet të inkurajojnë platformat mediatike të marrin përgjegjësi për mos-përhapjen e dezinformimit. Përveç kësaj, qeveritë mund të mbështesin iniciativa arsimore për të ndihmuar nxënësit dhe të moshuarit të kuptojnë dhe të identifikojnë dezinformimin, duke krijuar kështu një shoqëri më të informuar.

Portalb.mk: Çfarë sfidash dhe mundësish krijon Intelegjenca Artificiale (IA) për verifikuesit e fakteve? Është mike apo armike?

Carlos Hernández-Echevarría: Intelegjenca Artificiale paraqet edhe sfidë por dhe mundësi. Në anën e sfidave, IA ka aftësi të gjenerojë shumë shpejtë një sërë përmbajtjesh të rreme me një kosto të ulët, përmbajtje të sofistikuara që vështirë dallohen nëse janë rrena duke e bërë më të vështirë zbulimin e tyre. Gjithashtu shqetësohemi për faktin se kur përmbajtjet e krijuara me IA do të marrin përmasa masive ka potencial për erozionin e besimit në institucione dhe në shoqëri sepse bëhet fjalë për përmbajtje sintetike. Për shembull, një AI i integruar në uebfaqet e kërkimit mund të jep përgjigje të pabesueshme dhe të pasakta për pyetje kritike siç janë ato politike ose dhe për pytejte shëndetësore, pasi këto modele shpesh trajnohen dhe marrin informata nga webi i hapur, duke i shfaqur si rezultat mendimet dhe shkrimet që janë më të popullarizuara në internet, që jodomosdoshmërisht janë të sakta. Megjithatë, IA gjithashtu ofron mundësi për zhvillimin e mjeteve teknologjike më efikase për zbulimin dhe luftimin e dezinformimit.

Portalb.mk:  Rrjeti Evropian i Standardeve të Kontrollit të Fakteve (EFCSN) është një rrjet relativisht i ri i përbërë nga kontrolluesit evropianë të fakteve, i kryesuar nga ju. A mund të ndani më shumë rreth kësaj nisme të përbashkët?

Carlos Hernández-Echevarría: Jam i kënaqur me përparimin që kemi bërë. Aktualisht jemi 49 organizata nga 29 vende, duke tejkaluar pritshmëritë tona fillestare. Rrjeti po ndjek qëllimet e vendosura gjatë takimeve dhe kuvendeve tona themeluese, duke ofruar mundësi për kontrolluesit e fakteve dhe duke u ndihmuar atyre në kohëra të vështira. Vetëm për të përmendur një shembull, Akti i Shërbimeve Digjitale (DSA), dokumenti i ri për rregullimin e platformave online për çështjet e dezinformimit, po zbatohet teksa po flasim, ky është dokumenti i parë që Komisioni Evropian e ka publikuar rreth mënyrës se si duhet platformat të veprojnë për të ulur rrezikun e shpërndarjes së dezinformatave i cili përmban një rekomandim specifik, që këto platforma të bashkëpunojnë dhe të punojnë në partneritet me anëtarët e EFCSN-së. Pra, mendoj se jemi rritur shumë, dhe sigurisht që ka shumë për të bërë.

Portalb.mk:  Përveç sfidave të inteligjencës artificiale, si duket e ardhmja për kontrolluesit e fakteve?

Carlos Hernández-Echevarría: Kontrolluesit e fakteve operojnë në një botë gjithnjë e më të polarizuar, ku terreni për tu marrë vesh për atë se cilat janë faktet po zvogëlohet. Kjo bën që puna e jonë të jetë më e nevojshme se kurrë, por gjithashtu edhe më sfiduese. Ne duhet të jemi më me ndikim, të arrijmë më shumë njerëz dhe të mbetemi bindës. Navigimi në këto mjedise kërkon përpjekje të vazhdueshme dhe adaptim për të qenë të sigurtë se ne vazhdojmë të bëjmë ndryshime pozitive.