Draft-ndryshimet kushtetuese presin miratimin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut

Propozim-nisma për ndryshimet kushtetuese, përgatitur nga grupi i ekspertëve i Ministrisë së Drejtësisë, ndodhet në Qeveri, e cila duhet të japë dritën e gjelbër dhe ta dërgojë për miratim në Kuvend, raporton REL. Nga Qeveria thonë se vendimi do të merret më së voni deri të premten. Më pas nis procedura parlamentare mbi nevojën e ndryshimit të Kushtetutës.

Ndryshimet kanë të bëjnë me preambulën, përkatësisht përfshirjen e pakicës bullgare në të, si popull shtetformues që është kusht për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit evropian të Maqedonisë së Veriut, bazuar në marrëveshjen me Sofjen për zgjidhjen e kontesteve për gjuhën, identitetin dhe dallimet historike.

Por, përveç bullgarëve, në preambulë do të përfshihen edhe hebrenjtë, sllovenët, kroatët dhe egjiptasit.

Ndryshimi i Kushtetutës po përcillet me përçarje të mëdha mes dy blloqeve politike maqedonase, Lidhjes Social Demokrate (LSDM) të kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe VMRO DPMNE-së, opozitare që drejtohet nga Hristijan Mickoski.

Dy liderët do të takohen të mërkurën në përpjekje për të kapërcyer dallimet, por bazuar në deklaratën e kreut të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, marrëveshje nuk do të ketë dhe VMRO DPMNE do të mbetet në qëndrimin për të mos mbështetur ndryshimin e Kushtetutës.

“Unë do të marr pjesë në takimin e liderëve dhe në emër të pjesës dërrmuese të popullatës që kërkon mbrojtjen e identitetit tonë, do të them se nuk do t’i pranojmë ndryshimet kushtetuese apo diktatet nga pala bullgare. Nuk do të lejojmë që vullneti i popullit të shndërrohet në leckë, ashtu siç këtë e bën pushteti. Nuk do të lejoj që të shkelet identiteti ynë. Maqedonia [e Veriut] nuk është në shitje”, ka deklaruar Mickoski.

Mirëpo, kreu i Qeverisë, Dimitar Kovaçevski, ka thënë se ndryshimet janë detyrim nga marrëveshja me Bullgarinë dhe vendimtare për integrimin e vendit në BE.

“Tani është momenti kur Maqedonia e Veriut duhet të miratojë vendimet e rëndësishme dhe të vazhdojë procesin e integrimit evropian. Këtë mesazh e dëgjojmë çdo ditë nga miqtë tanë evropianë dhe amerikanë. Mesazhe më të qarta se këto nuk besoj se do të ketë. Partitë politike dhe deputetët në Kuvend e kanë për obligim që të punojnë për realizimin e këtij synimi të qytetarëve, integrimin në BE”, ka thënë Kovaçevski.

Ai dhe kreu i opozitës kanë shkëmbyer akuza edhe për atë se cilat mund të jenë pasojat nëse dështon nisma për ndryshimet kushtetuese.

Kryeministri Kovaçevski ka thënë se me këtë “Maqedonia e Veriut do të humbë shansin e fundit në procesin e integrimit evropian të vendit, pas çka ai do të rikthehet në izolim dhe në vend pa perspektivë”.

Por, Mickoski është shprehur se Maqedonia e Veriut veçse ndodhet në izolim me qeverisjen e tashme, sipas tij.

“Nuk janë të vërteta pohimet se nëse nuk i miratojmë ndryshimet kushtetuese, atëherë shteti do të futet në izolim. Nuk mund të hymë aty ku veçse jemi. Shteti tani një kohë të gjatë është në izolim dhe këtu jemi falë këtij pushteti të kriminalizuar”, ka thënë Mickoski.

Ndërkohë, thirrje VMRO DPMNE-së për mbështetjen e ndryshimeve kushtetuese i ka bërë edhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, sipas të cilit “me këtë akt do të mbyllej një kapitull historik i mosmarrëveshjeve me fqinjët dhe që do të legjitimonte maqedonasit edhe ndërkombëtarisht si popull me të gjitha atributet e kombit”.

“Vendi ynë duhet të jetë shembull ashtu siç ka qenë deri më sot, në drejtim të menaxhimit me situata edhe atëherë kur janë paraparë rreziqe të mëdha për vendin, me mirëkuptim e dialogim i kemi tejkaluar dhe sot jemi shembull i mirë që merret për vendet tjera për menaxhim me kriza ”, ka deklaruar Ahmeti.

Por, ndryshe nga ai, partitë tjera politike shqiptare, Lëvizja BESA, Alternativa, që janë në opozitë, por edhe Aleanca për Shqiptarët që është pjesë e Qeverisë, kërkojnë që ndryshimet kushtetuese të përfshijnë edhe ndryshimin e përkufizimit të gjuhës shqipe në Kushtetutë. Aktualisht, gjuha shqipe njihet si gjuhë të cilën e flasin mbi 20 për qind e popullatës së Maqedonisë së Veriut.

Partitë opozitare shqiptare kanë thënë se nuk do ta mbështesin ndryshimin e Kushtetutës nëse refuzohet kërkesa e tyre.

Pa votat e partive shqiptare dhe të VMRO DPMNE-së, e cila nuk pajtohet për përfshirjen e bullgarëve në preambulë, Kushtetuta nuk mund të miratohet pasi shumica parlamentare nuk i ka dy të tretat apo 80 nga 120 votat e deputetëve.