Dita e Zbarkimit të Aleatëve në Evropë, sekretari Austin vë në dukje ngjashmëritë me luftën në Ukrainë

Ndërsa mijëra vetë ecnin përgjatë brigjeve të Normandisë në Francë, për të nderuar ata që luftuan për çlirimin e Evropës në Luftën e Dytë Botërore, Sekretari amerikan i Mbrojtjes Lloyd Austin bëri krahasimin mes Ditës së Zbarkimit të Aleatëve në Evropë (D-Day) dhe luftës për të çliruar Ukrainën nga pushtuesit rusë, transmeton VOA.

Sekretari Austin u bëri thirrje vendeve të mbrojnë parimet për të cilat aleatët luftuan “me gjallëri të pashuar”, në një botë “ku respektohet sovraniteti dhe integriteti territorial”.

“Nëse forcat ushtarake të demokracive të botës mund të rrezikonin jetët e tyre për lirinë, atëherë me siguri që qytetarët e demokracive të botës mund të rrezikojnë komfortin e tyre për lirinë tani”, tha ai të martën.

Duke folur me disa prej veteranëve që zbarkuan në brigjet Omaha dhe Utah, si dhe në tre brigje të tjera franceze më 6 qershor 1944, Sekretari Austin i lavdëroi për kurajon dhe që “fituan mbi terrorin” dhe tiraninë.

“Ju përshëndesim. Ju shpëtuat botën”, tha ai.

Përvjetori i 79-të u shënua ndërsa Ukraina po përgatitej për të filluar një kundërofensivë për të zmbrapsur forcat tokësore ruse që kanë hapur llogore mbrojtëse në zonat e pushtuara të Ukrainës.

Shumë nga po ato vende që luftuan kundër forcave naziste në Evropë gjatë Luftës së Dytë Botërore kanë dhënë tashmë miliarda dollarë në armatime dhe për përgatitjen e ushtarëve ukrainas që mbrojnë territorin dhe qytetarët e vendit të tyre.

“Paqja dhe liria nuk janë kurrë të garantuara. Ato duhet të mbrohen dhe të ruhen, ndonjëherë me luftë dhe të paguhen me gjak”, tha Kryetari i Shefave të Shtabit të Bashkuar amerikan, Gjenerali Mark Milley, i cili merrte pjesë gjithashtu në ceremoninë e së martës.

D-Day (Dita D) i referohet sulmit amfib të aleatëve në Francën e pushtuar në vitin 1944. Zyrtarisht, u quajt Operacioni “Overlord” dhe ishte sulmi më i madh detar në historinë ushtarake, nëpërmjet të cilit u arrit me sukses zënia e një territori nga ku aleatët në vazhdim morën kontrollin e Evropës nga Gjermania naziste.

Në operacion morën pjesë mbi 150 mijë forca ushtarake dhe mbi 5 mijë anije dhe varka. Të paktën 12 vende bashkuan forcat për sulmin në Normandi, ndër to Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Britania.