Dita e Plisit u shënua me këngë dhe valle në Tetovë (Video)
Mbrëmë në skenën e Qendrës për Kulturë në Tetovë u mbajt koncerti festiv “Me plis e me zemër”, organizuar nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve Popullore Shqiptare në RMV. Në një atmosferë të ngrohtë dhe solemne, plisi, kënga, vallja dhe shpirti shqiptar u bashkuan në një mbrëmje të veçantë artistike, kushtuar traditës, trashëgimisë kulturore, shkruan Portalb.mk.
Koncerti solli para publikut një program të pasur me këngë popullore, valle burimore, veshje tradicionale nga treva të ndryshme shqiptare dhe interpretime autentike.
Në qendër të këtij organizimi ishte simbolika e plisit, si një prej shenjave më të fuqishme të përkatësisë shqiptare.
Përmes koreografive, muzikës live dhe paraqitjeve skenike, plisi u prezantua jo vetëm si pjesë e veshjes tradicionale, por si simbol i kujtesës historike dhe identitetit kombëtar.
Mbrëmja u karakterizua nga emocione, ngjyra, ritëm dhe interpretim profesional, duke dëshmuar edhe një herë rëndësinë e ruajtjes dhe kultivimit të trashëgimisë sonë kulturore.