Fenomeni i disidencës ka qenë prezent në të gjitha epokat historike. Por disidencën e mirëfilltë e gjeneroi regjimi komunist i shekullit të kaluar dhe nënproduktet e tij: stalinizmi, maoizmi, titizmi dhe izmat e tjerë që dalloheshin vetëm për nga niveli i egërsisë së manifestuar ndaj frymës prometeane dhe ndaj mendimit ndryshe, veçmas ndaj mendimit të shkruar të krijuesve që nuk i duronin dogmat dhe nuk ishin pjesë e rapsodëve obortarë.
Sistemi në fjalë prodhoi rebelë letrarë edhe në mesin e krijuesve shqiptarë nga Kosova, ndër të cilët më i njohur është Adem Demaçi – autori i romaneve, dramave, tregimeve dhe poezive me tituj sugjestivë, si: “Gjarpijtë e gjakut”, “Libër për Vet Mohimin”, “Shkrumbnajë e dashur”, “Alb Prometeu”…
Të shtypur gjithanshëm në aspektin e të drejtave qytetare dhe etnike, të ndarë nga rrjedha e zhvillimeve normale kulturore dhe të mbetur nën thundra hijenash, për të cilët Konica thoshte se nuk duan t’na mundin, po t’na zhbëjnë, krijuesit e paktë të Kosovës nuk i patën as kushtet minimale për t’iu përkushtuar pasionit të tyre. U desh të pritet dalja në skenën letrare e Esad Mekulit, i cili, në stinën e inkuizicionit rankoviqian, u vu në kërkim të udhëve të ngritjes së institucioneve kulturore, që rritën më pas krijuesit e kalibrit të Rexhep Qosjes, Anton Pashkut, Ali Podrimjes, Azem Shkrelit, Teki Dervishit…, të cilët shumë shpejtë u dalluan si poetë, romancierë, dramaturgë, kritikë dhe studiues letrarë.
Megjithatë, në kohën kur Demaçi sfidoi estetikën bolshevike me disidentizmin atipik, ishin të shumtë krijuesit që tuteshin t’ia përmendin emrin dhe veprën e anatemuar letrare, e cila u hoq nga raftet e bibliotekave dhe librarive për aq kohë sa u dergj autori i saj burgjeve jugosllave. Por, edhe përkundër diabolizimit gati gjysëmshekullor të personalitetit dhe veprës letrare, ai mbeti autoriteti më i pacënueshëm i një kulture, kurse vepra e tij shëtiste tinëzisht nëpër duart e lexuesve dhe, tamam si një rigë e vogël dhe e pafajshme uji, gërryente pandalshëm sistemin e mendësisë së hurit e të litarit.
Mjerisht, edhe përkundër të dhënës se me prozën e tij narrative sfidoi më fuqishëm se cilido krijues ngrehinën komuniste, veprës letrare të Demaçit nuk i është kushtuar vëmendja e merituar në studimet e gjertanishme dhe, për pasojë, ajo nuk e ka zënë akoma vendin e merituar në shkallët e kierarkisë së vlerave estetike. Ndodhi kështu edhe për shkak se Adem Demaçit disident letrar i hyri shumë në hak Adem Demaçi veprimtar dhe i burgosur politik, Adem Demaçi tribun popullor, i përjetuar prej bashkëkombësve si vazhdimësi e heronjëve të së shkuarës, si zgjatim Mic Sokolësh, Isë Boletinësh e Shaban Polluzhësh.
Jo rastësisht bota e njeh vetëm si Mandela i Ballkanit, në një kohë kur njëkohësisht ai meriton të rradhitet edhe ndër disidentët më të shquar të Evropës, aty ku janë Shollzenjicini dhe Haveli, aq më tepër kur Demaçi është disident i shumëfishtë, që rrefuzoi çdo rrethanë lehtësuese për zbutjen e dënimeve të njëpasnjëshme. Disidenca e tij e përsëritur, që u shpreh nëpërmjet një vepre letrare të zhveshur qëllimshëm nga dykuptimësitë, u bë mjeti i luftës kundër diktaturës së sofistikuar titiste që ndrydhi të drejtat qytetare dhe etnike të shqiptarëve.
Atdhedashurinë ia mbollën në shpirt: Nëna heroinë, ligjëratat e mësuesve dhe profesorëve largpamës, shoqërimi me korifej letërsie si Danillo Kishi (që kishte baba hungarez e nënë malazeze nga fisi shqiptar i Kuçëve), bëmat heroike të Shaban Polluzhës, imazhet e llahtarshme të krimeve të partizanëve të Titos, bashkim-vellazërimi i shpifur, lotët e mësueses e cila nuk mund t’i përgjigjej pyetjes përse shqipja nuk ishte gjuhë zyrtare në Kosovë, shpërngulja e dhunshme e shqiptarëve në shkretëtirat e Anadollit, krimet e pandalshme të pushtetarëve serbë dhe mashat e tjetrit, që tentonion t’ia zbusin dënimin me burg për t’ia dhënë një dënim të përjetshëm nga populli që nuk do ta mësonte kurrë të vërtetën e tij.
Thënë shkurt: Demaçi shkrimtar dhe Demaçi kundërshtar i regjimit jugosllav, qe sfiduesi më i hapur dhe më i qëndrueshëm i politikës së padrejtë që shteti ushtronte ndaj shqiptarëve. Qëndresa e tij nuk lindi nga ideologjia, por nga ndjenja e dinjitetit njerëzor dhe e të drejtës për barazi. Pikërisht ky akt i ndërgjegjshëm e bëri simbol të lirisë, jo vetëm për shqiptarët, por për çdo njeri që refuzon t’i nënshtrohet padrejtësisë.
Në rrugëtimin e tij prej golgote Demaçi nuk i akuzoi kurrë ata që, për arsye të ndryshme, nuk e ndoqën pas, sepse nuk deshi t’ua imponojë udhën e tij atyre që nuk ishin në gjendje ta kuptojnë lirinë dhe jetën e dinjitetshme ashtu siç e kuptonte ai.
Madje, përkundër logjikës ballkanike, nuk e identifikoi kurrë as popullin serb me regjimin gjenocidist e antishqiptar, që nganjëherë e bëri të dyshimtë për bashkëkombësit që nuk i njohnin rrethanat ashtu siç i njihte ai. Ky është dimensioni human i Demaçit, që kurseu gjithashtu edhe spiunët bashkëkombës dhe gjithë hafijet e UDB-së, që e ndoqën si hije përgjatë gjithë jetës.
Adem Demaçi ia bëri me dije kombit se liria nuk është dhuratë, por vendim. As qëndresa nuk është histori, por mënyra për të jetuar jetën me dinjitet.
Shkrimi është shkruar enkas për Portalb.mk. Të drejtat e publikimit i kanë vetëm Portalb.mk dhe autori, sipas marrëveshjes mes tyre.