Dimevski: Promovimi për Lojërat Olimpike Rinore filloi vonë sepse kur hotelet e morën vesh, dyfishuan çmimet
Promovimi i dobët dhe i vonuar i Festivalit Olimpik Rinor Evropian (EYOF), i cili po zhvillohet aktualisht në Shkup, është rezultat i vendimit për të shmangur çmimet e dyfishta që hotelierët kërkuan sapo mësuan për ngjarjen, transmeton Portalb.mk.
Kështu ka bërë të ditur kryetari i Komitetit Olimpik, Daniell Dimevski, i cili theksoi se ata vendosën të nisin fushatë intensive muajin e fundit, pasi kishin siguruar paraprakisht kapacitetet e akomodimit.
“Ndoshta promovimi i kësaj ngjarjeje duhej të kishte filluar më herët, por vendimi për të ndjekur një qasje të ndryshme, me një fushatë intensive gjatë muajit të fundit, u justifikua për një arsye kyçe. Më shumë se dy të tretat e kapaciteteve që përdorim janë hotele. Hotelierët, të udhëhequr nga parimet tregtare, dyfishuan çmimet e tyre në momentin e parë që mësuan se një ngjarje e tillë do të zhvillohej”, tha Dimevski.
Ai tha se ndryshe nga ngjarjet e tjera të ngjashme, këtë herë nuk ishte e mundur që shumica e pjesëmarrësve të akomodoheshin në konviktet e studentëve.
Kujtojmë se Festivali Olimpik Rinor Evropian u hap më 20 korrik në Shkup, ngjarja do të zgjasë shtatë ditë dhe përfshin gara në 15 disiplina sportive: atletikë, not, basketboll, basketboll 3×3, hendboll, volejboll, xhudo, gjimnastikë artistike, çiklizëm rrugor, çiklizëm malor, slalom me kajak, badminton, harkëtari, pingpong dhe taekwondo.