Dikush nuk e di sa para ka, e dikush paguan kredi – sa “peshojnë” kandidatët për rektor të UKM-së?

Komisioni zgjedhor universitar tashmë ka shqyrtuar dhe pranuar të gjashtë aplikimet e kandidatëve për rektor të ri të Universitetit “SHën Kiril dhe Metodi” në Shkup, të cilat mbërritën para përfundimit të afatit, transmeton Portalb.mk nga Meta.mk.

Edhe zyrtarisht, prorektorja aktuale për financa, Biljana Angellova nga Instituti Ekonomik, u bë kandidate për rektore të re; Goran Ajdinski nga Fakulteti Filozofik; kolegu i tij që vjen nga i njëjti fakultet, Ratko Duev; Atanas Koçov nga Fakulteti i Inxhinierisë Mekanike; prorektorja për arsim Hristina Spasevska nga Fakulteti i Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative, prej nga vjen edhe kolegu i saj Dimitar Tashkovski.

Meta.mk ka kontrolluar fletët e anketimit për gjendjen pasurore që kandidatët për rektorë i kanë dorëzuar Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KShPK) kur kanë marrë pozitat e prorektorit apo dekanit. Kur të zgjidhet rektori i ri, brenda 30 ditëve ai ose ajo pas marrjes së detyrës duhet të dorëzojë fletë ankete të re, për të parë se me sa pasuri vjen në detyrë.

Duke marrë parasysh se Goran Ajdinski dhe Atanas Koçev janë ish-dekanë, në faqen e KShPK-së nuk gjendet anketa e tyre për gjendjen pasurore, gjegjësisht kur një person largohet nga pozita e tij, gjendja e tij pasurore bëhet e dhënë private.

Sipas të dhënave të analizuara nga Meta.mk, prodekanja Biljana Angellova ka pronat më të mëdha, sipas listës anketuese. Ajo ka raportuar se ka katër shtëpi, dy apartamente, tre automjete, ndërsa në llogarinë e saj në valutë ka paraqitur 455.356 valuta, pa specifikuar nëse bëhet fjalë për euro, dollarë apo ndonjë valutë tjetër.

Në një bisedë telefonike, Angelova na tha se nuk e di saktësisht se për çfarë bëhet fjalë, gjegjësisht se nuk mban mend saktësisht se çfarë ka deklaruar si pronë në KSHPK.

“Ashtu siç shkruan, ashtu është. Nuk mund ta di shumën e saktë tani, duhet të kontrolloj, por kam deklaruar në mënyrë transparente atë që kam. Nuk e di saktësisht se në cilën valutë janë mjetet, sigurisht janë denarë, por përmendësh nuk e di”, na tha Angellova.

Një pjesë e pasurisë që ka deklaruar është në emër të bashkëshortit, një pjesë bashkërisht dhe një pjesë në emër të saj.

Foto: Printscreen, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit
Foto: Printscreen, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit

Dekani Ratko Duev, nga ana tjetër, ka raportuar veturë “Fiat Grande Punto” dhe honorare prej 400.000 denarë në vit në bazë të honorareve dhe të drejtave të tjera nga pasuria e tij personale. Ai gjithashtu ka raportuar kredi prej rreth 18 mijë euro që duhet të shlyhet deri në vitin 2026 dhe dy apartamente në Shkup – njëra është e prindërve të tij dhe tjetra pronë e përbashkët.

Foto: Printscreen, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit
Foto: Printscreen, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit

Prorektorja Spasevska, nga ana tjetër, ka raportuar për depozita prej rreth 12 mijë euro në llogaritë devizore, por edhe borxhe, përkatësisht kredi rreth 50 mijë euro, në emër të saj dhe të bashkëshortit. Në listën anketuese të Spasevskës janë raportuar edhe tri shtëpi dhe dy banesa, një pjesë e prindërve, një pjesë personale dhe një pjesë në emër të bashkëshortit – të fituara me trashëgimi.

Foto: Printscreen, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit
Foto: Printscreen, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit

Dekani i Elektroteknikës dhe Teknologjive Informative, Dimitar Tashkovski, në pyetësor ka paraqitur edhe depozita në valutë prej mbi 70 mijë euro. Një pjesë e kësaj pasurie është në emër të tij, një pjesë e gruas dhe fëmijëve të tij. Në emër të tij janë tre banesa në Shkup dhe Ohër, dhe dy shtëpi në Mavrovë dhe Kumanovë.

Rektori i ri i Universitetit të Shkupit duhet ta pasojë aktualin Nikolla Jankullovski nga Fakulteti i Mjekësisë, i cili e mbajti postin e rektorit për dy mandate.

Kurse Jankullovski, pas largimit nga detyra, do të duhet të dorëzojë në KShPKnjë fletë anketuese për gjendjen pronësore.

Kjo bëhet që të mund të krahasohet se me sa pasuri ka lënë detyrën një person i caktuar i zgjedhur apo i emëruar, edhe pse deri më tani nuk dihet epilogu i ndonjë rasti kur një zyrtar i caktuar është sanksionuar për shkak të rritjes joproporcionale të pasurisë.

Ndryshe, Jankullovski në anketën e tij të fundit për gjendjen pasurore ka raportuar se ka depozita prej gati 165 mijë eurosh në disa llogari. Ai ka dy shtëpi në Shkup dhe Resnjë, një banesë në Shkup, aksione dhe një automjet “Ford Fokus”.

Foto: Printscreen, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit
Foto: Printscreen, Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit

Votimi për rektorin e ri të universitetit më të vjetër në vend “Shën Kirili dhe Metodi” (UKM) është caktuar për datën 30 maj, nga ora 14-16, në të 23 fakultetet dhe 5 institutet.

Nga data 15 deri më 26 maj do të bëhet prezantimi i kandidatëve për rektor në kampuset e UKM-së. Më 17 maj do të përcaktohet lista e vetme zgjedhore. Të drejtë vote kanë rreth 1500 votues, të zgjedhur në titullin profesor asistent, profesor i rregullt dhe i asocuar. Rivotimi eventual është caktuar për 9 qershor.