Dha dorëheqje kryetari i Bashkisë së Kukësit

Kryetari i Bashkisë së Kukësit, Safet Gjici, ka dhënë dorëheqje nga posti i kryebashkiakut, pas një videoje të publikuar në rrjetet sociale, ku pretendohet se ai kryen marrëdhënie seksuale në zyrën e tij në bashki, transmeton Anadolu.

Në reagimin e tij në rrjetet sociale, Gjici shkruan se ndien shumë keqardhje për ngjarjen dhe shton se “jam mëse i qartë se në këtë situatë nuk ka vlerë asnjë lloj sqarimi”.

“Ndjesë të thellë publike çdokujt që sot ka parë atë material të shëmtuar video. Pas një fushate dhe përballjeje jo të lehtë me kundërshtarët e mi, pas të cilës rezultova fitues, fatkeqësisht unë rashë pre e një kurthi të përgatitur me detaje nga e njëjta dorë njerëzish me të cilët u përballa në zgjedhje. Sot ndiej detyrimin minimal të jap dorëheqjen”, shprehet Gjici.

Gjatë ditës së sotme, në rrjetet sociale u publikua një video ku pretendohet se “Gjici kryen marrëdhënie seksuale me një vajzë në zyrën e tij”.

Kujtojmë se Safet Gjici, u rizgjodh kryebashkiak i Kukësit për një mandat të dytë, me mbështetjen e Partisë Socialiste të Shqipërisë, në zgjedhjet vendore që u mbajtën më 14 maj.