Nesër në Strugë mbahet konferenca ndërkombëtare për Dimensionin Ekonomik dhe Ekologjik

Në kuadër të Kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në, nesër (14 qershor) në do të mbahet Konferenca Ndërkombëtare kushtuar Dimensionit Ekonomik dhe Ekologjik të Organizatës, si një nga seritë e konferencave ndërkombëtare të planifikuara që të mbahen deri në fund të vitit, transmeton Portalb.mk.

Duke pasur parasysh reflektimet e krizës aktuale të sigurisë në hapësirën e OSBE-së mbi rrjedhat ekonomike globale, konferenca do të fokusohet edhe në gjetjen e përgjigjeve për sfidat e vështira të ndryshimeve klimatike, forcimin e qëndrueshmërisë së infrastrukturës energjetike ndaj fatkeqësive dhe katastrofave natyrore të shkaktuara nga faktori njeri, duke përfshirë sigurimin e tranzicionit të qëndrueshëm të energjisë.

“Maqedonia e Veriut edhe përmes kësaj konference kontribuon në përpjekjet për rimëkëmbjen ekonomike dhe luftën kundër ndryshimeve klimatike, si pjesë thelbësore e konceptit të OSBE-së për sigurinë gjithëpërfshirëse. Në këtë kontekst, në Konferencë do të debatohet edhe për luftën kundër korrupsionit, si një nga prioritetet e kryesimit të Maqedonisë së Veriut me OSBE-në”, njoftuan nga Ministria e Jashtme.

Konferenca do hapet nga ministri i Jashtëm – Bujar Osmani, ndërsa do të kenë fjalim edhe Zëvendëskryeministrja e Maqedonisë së Veriut për Politika të Qeverisjes së Mirë – Sllavica Grkovska, Ministri i Ekonomisë – Kreshnik Bekteshi, Ministrja e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor – Kaja Shukova, si dhe Zëvendësministri i Energjisë së Ukrainës – Jarosllav Demçenkov.