Çmimet e larta: Vendet e rajonit po marrin masa, RMV-ja vazhdon të bëjë thirrje

Në prag të vjeshtës frika e qytetarëve nga një goditje të re me çmime më të larta po rritet gjithnjë e më shumë, prandaj një numër i madh i qytetarëve po heqin dorë nga përgatitja e turshive dhe ushqimeve për në dimër. Viti i ri shkollor po troket në derë, e për këtë arsye shumë familje do kenë shpenzime shtesë që do e rëndojnë edhe më shumë buxhetin familjar, shkruan DW, transmeton Portalb.mk.

Vendet e rajonit po marrin masa, RMV-ja vazhdon të bëjë thirrje

Vendet e rajonit tashmë kanë filluar të ndërmarrin masa konkrete.

Serbia ka njoftuar për “çmime më të mira”, masë me të cilën më shumë se 80 produkte do të kenë çmime më të ulëta, ndërsa disa produkte do të kenë zbritje deri në 80%.

Mali i Zi njoftoi se do të kufizojë marzhat.

Greqia përpara fillimit të vitit shkollor e prezantoi shportën shkollore me produkte me çmime të volitshme.

Në Maqedoninë e Veriut për momentin po bëhen vetëm apele për tregtarët që t’i ulin marzhat.  Qeveria e mëparshme luftoi kundër rritjes enorme të çmimeve me çmime të garantuara dhe marzha të zvogëluara. Kryeministri Hristijan Mickoski është i mendimit se ato masa nuk i dhanë rezultatet e pritura. Për këtë arsye Qeveria nuk do të ndërhyjë për kufizimin e çmimeve të produkteve bazë për amvisëritë.

“Ne jemi një ekonomi tregu, tregu i dikton çmimet. Nëse bëjmë një politikë kufizimi, atëherë e patë se çfarë rezultatesh na dha ajo politikë – na dha efektet e kundërta nga ato që prisnim. Prandaj, politika e kësaj qeverie është që t’i mbështesë investimet dhe prandaj politikë e kësaj qeverie nuk është që të mbajë një konsum publik të rritur dhe të fryrë artificialisht, sepse në këtë mënyrë paraja e humbet vlerën dhe shuma e njëjtë e parave pas një muaji e humbet vlerën e saj dhe denominon, do thoja, për rreth dhjetë përqind”, tha Mickoski më 28 gusht gjatë vizitës së tij në Makedonska Kamenica.

Inflacioni po qetësohet, por…

Kryeministri thotë se niveli i inflacionit në këto dy muajt e fundit po qetësohet dhe është në nivelin prej 3 përqind.

“Por, duhet të jetë edhe më i ulët. Do të doja të kishim deflacion, në vend që të kishim inflacion, por për fat të keq nga ai nivel i lartë dyshifror, 15, 16, 17 përqind, këta dy muaj arritëm ta stabilizonim rënien e lirë të shtetit dhe të institucioneve dhe çfarë mundem të them me aq informacion sa kam është se niveli aktual i inflacionit është ky”, tha Mickoski, si përgjigje ndaj reagimeve të qytetarëve se ka rritje të çmimeve të produkteve në supermarkete.

“Parë nga aspekti makroekonomik inflacioni po ngadalësohet, ndërsa pritshmëritë janë që ta mbyllim vitin me normën e parashikuar prej rreth 3,5%. Për sa i përket disa lëvizjeve në çmimet e produkteve të caktuara, këto mund të jenë luhatje sezonale, ose zhvendosje strukturore në segmente të caktuara të tregut, por një rritje të përgjithshme të çmimeve që do të ishte shqetësuese si ajo që pamë në vitin 2022 dhe vitin 2023 për momentin nuk ka”, thotë profesori universitar Marjan Petreski.

Ai thotë se nga të dhënat e muajit gusht do të mund të shihet nëse ka lëvizje më serioze tek disa grupe të produkteve që mund të sinjalizojnë për çrregullime në treg.

“Por, në përgjithësi, pritshmëritë e mia për sa i përket inflacionit për pjesën tjetër të vitit dhe vitin e ardhshëm janë se ajo do të vazhdojë të ulët dhe do të jetë në përputhje me parashikimet”. Për sa i përket ruajtjes së standardit të jetesës, shohim se pagat në vend vazhduan të rriten me një ritëm të pandërprerë, në gjysmën e parë të vitit rritja është 15%, që ulet në një rritje reale (e reduktuar nominale për inflacionin) prej afër 12%”, analizon Petreski.

Ai shton se janë bërë korrigjime dhe në të ardhmen do të bëhen edhe tek të ardhurat e tjera, pensione, ndihma sociale, por ka edhe ndryshime edhe tek qiratë.

“Ai ndryshim nominal që ndodhi tek çmimet e produkteve duke filluar me tronditjen që e shkaktoi kriza në Ukrainë tani shohim se ngadalë po harmonizohet me agregatët e tjerë nominalë në ekonomi,” tha profesori universitar.

Po bëhet gjithnjë e më e vështirë të kalohet muaji

Statistikat kanë përllogaritur se në muajin korrik çmimet e shitjes së prodhuesve të produkteve industriale në tregun vendas kanë qenë më të larta për 0,1 përqind në nivel mujor dhe 3,5 përqind në nivel vjetor.

Sipas Entit Shtetëror të Statistikave në korrik të vitit 2024, krahasuar me qershorin e vitit 2024, çmimet e shitjes të prodhuesve të produkteve industriale në tregun vendas ishin më të larta në grupin e mallrave jo të qëndrueshme të konsumit për 0,8 përqind.

Se po bëhet gjithnjë e më e vështirë të mbijetohet deri më datën 1 të muajit tregojnë edhe analizat e Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë. Përllogaritja e fundit tregoi se shporta e konsumit rrezikon t’i tejkalojë 1000 euro, mjete këto që i nevojiten një familjeje për t’i përballuar shpenzimet bazë, me kusht që të mos jetojnë me qira.

Shpenzimet minimale mujore të një familjeje në muajin gusht në krahasim me korrikun janë rritur për 629 denarë, ndërsa sipas llogaritjeve të LSM-së, në muajin gusht vlera minimale e shportës së konsumit ka qenë 61.199 denarë.

“Të dhënat nga Shporta Minimale Sindikale tregojnë se edhe pa rritje të pagave, shpenzimet e jetesës po rriten me një shpejtësi marramendëse, për këtë nuk ka asnjë justifikim, ndërsa askush nuk po mundohet ta ndalojë, por që i bën qytetarët, punëtorët dhe pensionistët edhe më të varfër”, thonë nga sindikatat.