Çka premtojnë Mehmet Seferi dhe Isen Shabani në programet e tyre për Komunën e Vrapçishtit?
Në këto zgjedhje lokale për kryetar të Komunës së Vrapçishtit garojnë dy kandidatë, kryetari aktual Isen Shabani nga AKI dhe Mehmet Seferi nga VLEN. Në Komunën e Vrapçishtit këto zgjedhje të drejtë vote kanë 27,262 qytetarë. Portalb.mk ka analizuar premtimet e dy kandidatëve nga programet e tyre.
Sipas anketës së Portalb.mk për problemet e kësaj komune, qytetarët kanë vlerësuar si problem më të madh me me 20.9% infrastruktura(rrugët, parkimi, komunikacioni, ndërtimet), me 16.9 % shërbimet komunale (uji i pijshëm, grumbullimi i mbeturinave, ndriçimi publik, pagesat e taksave), me 16.9% mjedisi (mbeturinat/deponitë, ndotja e ajrit, ndotja e ujit, ndotja e tokës), me 15.8% arsimi (kushtet në shkolla, politizimi, mungesa e stafit), me 15.6% korrupsioni dhe nepotizmi (punësimi i kuadrove partiake, ndarja e tenderëve dhe mjeteve buxhetore, mito) dhe me 13.9% probleme tjera.

Çfarë premton Isen Shabani për Komunën e Vrapçishtit?
Isen Shabani në programin e tij zotohet se do ta shndërrojë Komunën e Vrapçishtit në sinonim për perspektivë, zhvillim ekonomiko- social të qëndrueshëm, arsim dhe kulturë cilësore, urbanizëm bashkëkohorë, shërbime komunale efikase dhe vendbanim i barabarësisë, harmonisë dhe tolerancës në mes kulturave.
Këto janë premtimet e tij në program
Ujë i pijshëm për të gjithë fshatrat të cilat ende ballafaqohen me problemin e ujit për pije.
Funksionimi në kontinuitet i ndërmarrjes duke zgjeruar kompetencat ku do të përfshihet pjesa e gjelbërimit, pastrimin e rrugëve dhe parkingjeve si dhe mirmbajtjen e ndriçimit publik.
Përmirësimi, mirëmbajtja cilësore dhe zgjerimi i rrjetit rrugorë në tërë territorin e komunës. Do të vazhdohet me asfaltimin e rrugëve të fshatrave dhe rrugëve rajonale ende të pa asfaltuara.
Rekonstruimi i rrugës lokale nga vendbanimi Negotinë deri te burimi i ujit mineral – Komuna Vrapçisht – Faza 1 nga st.0+000 m deri në st.880 m. Rikonstruimi i rrugëve në vendbanimin Dobridoll. Rikonstruimi i rrugëve në vendbanimin Toplicë. Rikonstruimi i rrugës në PK 634 Senakos – Komuna e Vrapçishtit nga km 0.000 deri në km 0+328 m. Rikonstruimi i rrugës në vendbanimin Vrapçisht – Komuna Vrapçisht, në segmentin nga Vrapçisht drejt autostradës. Rikonstruimi i tubacionit të furnizimit nga vendi i ashtuquajtur Vojniçka sofra deri në rezervuarin në f.Vrapçisht dhe objektet shoqëruese përgjatë rrugës – Faza 2. Ndërtimi i një rezervuari për ujë të pijshëm me volum prej 500 m3 në fshatin Vrapçisht. Rikonstruimi i rrugës aksesore “1” dhe rrugës aksesore “2” në fshatin Gradec. Rikonstruimi i rrugës banesore “4“ në vendbanimin Gradec. Rikonstruimi i Rrugës në vendbanimin Dobridoll Rruga e autostradës faza 2.
Plotësimi i kërkesave të qytetarëve. Krijimi i një vegëze e cila përmes celularëve do tu mundësojë qytetarëve që në mënyrë të thjeshtë, shpejtë dhe efikase ti paraqesin problemet dhe shqetësimet e tyre/
Hapja e ueb faqes elektronike enkas për diasporën përmes së cilës udhëheqësia komunale do të jetë në komunikim të përhershëm me diasporën, ku Udhëheqësia komunale do të angazhohet në krijimin e kushteve sa më të volitshme për ata që duan të investojnë në Komunën e Vrapçishtit.
Zhvillimi i mëtejshëm i Vendit “Uji i tharët” – Negotinë dhe shfrytëzimin e të gjithë mundësive për futjen në hartat e turizmit rajonal dhe botëror të bukurive natyrore siç janë Liqeni i Zi, Liqeni i Bardhë, Varca e Vogël dhe Varca e Madhe.
Angazhim maksimal për ruajtjen e ambientit, përmes mjeteve ligjore tentimet për krijimin e deponive të egra. Aktivitete plotësuese për parandalimin e zjarreve gjatë verës. Mbjellje e fidaneve.
Reformim i administratës publike, institucioneve publike dhe ndërmarrjeve publike të Komunës së Vrapçishtit.
Përfaqësim sa më i drejtë i bashkësive etnike, në veçanti i bashkësive etnike të margjinalizuara.
Përmirësim i kushteve hapësinore nëpër shkollat në nivel të komunës. Të gjitha shkollat e komunës do të pajisen me sistemin e panelave solar.
Përkrahje institucionale të zhvillimit të bizneseve ekzistuese dhe bizneseve të reja.
Përmirësimi, mirëmbajtja cilësore dhe zgjerimi i rrjetit rrugorë në tërë territorin e komunës. Do të vazhdohet me asfaltimin e rrugëve të fshatrave dhe rrugëve rajonale ende të pa asfaltuara.
Ndërtim i objekteve dhe qendrave rekreative për të rinjtë. Krijim i institucioneve për organizim të manifestimeve kulturore dhe artistike.
Llogari e veçantë për rritjen e të hyrave burimore fiskale të komunës, si dhe për të dalurat duke i reduktuar në maksimum harxhimet e pa nevojshme.
Çfarë premton Mehmet Seferi për Komunën e Vrapçishtit?
Mehmet Seferi nuk na e dërgoi programin e tij, edhe pse na premtoi se do na e dërgojë. Para disa ditëve ai na dërgoi vetëm një koncept me pikat e programit, të cilat janë si më poshtë.
Arsimi: Përmirësimi i infrastrukturës shkollore. Modernizimi i pajisjeve dhe teknologjisë në shkolla. Mbështetje për mësimdhënësit dhe rritje të cilësisë së mësimdhënies.
Shëndetësia: Përforcimi i shërbimeve shëndetësore primare në të gjitha vendbanimet. Sigurimi i pajisjeve mjekësore moderne. Përkujdesje më e mirë për të moshuarit dhe personat me nevoja të veçanta.
Rinia dhe sporti: Ndërtimi dhe mirëmbajtja e qendrave rinore dhe terreneve sportive. Mbështetje për iniciativa rinore dhe projekte inovative. Organizim i aktiviteteve kulturore dhe sportive për të rinjtë.
Bujqësia dhe zhvillimi rural: Subvencione dhe mbështetje për bujqit lokalë. Investime në sistemet e ujitjes dhe përpunimin e prodhimeve bujqësore. Krijimi i tregjeve lokale për shitjen e produkteve vendore.
Ekonomia dhe punësimi: Nxitja e investimeve vendore dhe të huaja. Mbështetje për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme. Programe për aftësim profesional dhe krijimin e vendeve të reja të punës.
Mjedis dhe infrastrukturë: Rregullimi i rrugëve lokale dhe investime në rrjetin e kanalizimit dhe ujësjellësit. Projekte për menaxhimin e mbeturinave. Zhvillim i qëndrueshëm, infrastrukturë urbane dhe rurale.
Administrata dhe transparenca: Digjitalizimi i shërbimeve komunale. Qeverisje e hapur dhe bashkëpunim me qytetarët.
Ndryshe, këto janë zgjedhjet e teta lokale që nga pavarësia e vendit.
Rrethi i parë do të mbahet më 19 tetor, ndërsa rrethi i dytë më 2 nëntor.
Fushata për rrethin e parë ka filluar më 29 shtator dhe do të zgjasë deri më 17 tetor, ndërsa fushata për rrethin e dytë do të vazhdojë deri më 31 tetor.