Bytyqi: Janë ulur arkitektë në “Google maps” dhe kanë projektuar autostrada nëpër varreza
Zëvendëskryeministri për çështje evropiane, Fatmir Bytyqi mbrëmë në emisionin “Click Plus” në Tv21 ka folur për tema të ndryshme, midis të cilave edhe për Korridorët 8 dhe 10d. Bytyqi tha se ligjet e reja duhet të miratohen në Kuvend për ndërtim të korridorëve, ndërsa madje përmendi një shembull me ligjet e sotme dhe konsideron se kjo është arsye plotësuese për ndryshimet ligjore, njofton Portalb.
“Për shkak të ligjeve të cilat ekzistojnë sot, ne kemi projekt të financuar nga BERZH-i, nga Bashkimi Evropian. Zgjidhja të cilën e kanë dhënë ka pasur tre opsione të zgjidhen, ndërsa arkitektët e kanë zgjedhur më të mirën për tyre. Por, zgjidhja më e mirë kalon nëpër fshatin Bokojçani, ku duhet të dislocohen shtëpi, por edhe varreza. Normalisht, kemi vërejtje nga qytetarët, por askush nuk është kujdesur për këtë. Janë ulur arkitektë në ‘Google maps’ dhe kanë projektuar. Një gjë e tillë tani nuk ekziston me sendërtimin e ligjeve”, tha Bytyqi.
Kuvendi më 10 prill të këtij viti në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave. Bëhet fjalë për ligjet për tokë bujqësore; eksproprijim, planifikim urban, minerale; marrëdhënie pune; pyje; ndërtim; por edhe për ligjin për rregullimin e interesit publik dhe nominimin e partnerit strategjik për zbatimin e projektit për ndërtimin e Korridorit 8 dhe 10d.
Më 8 mars, qeveria nënshkroi kontratën për ndërtimin e autostradave nga korridoret 8 dhe 10-d me konsorciumin amerikano-turk “Bechtel dhe Enka”. Projekti peshon 1.3 miliardë euro dhe përfshin ndërtimin e gjithsej 110 kilometra autostradë.
Për Qeverinë, ky është projekt historik, më i madhi në historinë e vendit në infrastrukturën rrugore. Bechtel dhe Enka, megjithatë, vlerësuan se ky është një projekt emocionues dhe kompleks dhe thanë se marrin përgjegjësinë për ruajtjen e standardeve më të larta në ndërtim.
Projekti u zyrtarizua më 4 prill në një ngjarje në pikë-pagesën e autostradës Tetovë-Gostivar, një nga katër seksionet që do të ndërtohet me një kosto totale prej 1.3 miliardë euro. Tri seksionet e tjera të mbuluara me kontratë me kontraktorin “Bechtel dhe Enka” janë Gostivar-Bukojçan, Trebenishtë-Strugë-Qafthanë dhe Prilep-Manastir.
- LEXO: Përshpejtimi i ndryshimeve ligjore për ndërtimin e autostradës hap kutinë e Pandorës
- LEXO: Grubi: Marrëveshja për autostradat është e fshehtë, nëse nuk votohen ligjet ndërtimi do të jetë më i shtrenjtë se 1,3 miliardë euro
- LEXO: RMV, Kuvendi në fazë të parë i miratoi ndryshimet ligjore për ndërtimin e autostradave, u tërhoq ligji për trashëgimi kulturore
- LEXO: RMV, kompania që do të ndërtojë Korridorin 8 dhe të 10-D ka kontratë sy më sy
- LEXO: U nënshkrua marrëveshja për Korridorin 8 dhe 10D mes Qeverisë së RMV-së dhe Behtel-Enka, do të kushtojë 1.3 miliardë euro (VIDEO)
- LEXO: Qeveria e RMV-së e miratoi kontratën për Korridorin 8 dhe 10-D