Butel, nismë për rikthimin e emrave të rrugëve, e përkrahur nga kryetari i VMRO-së, partitë shqiptare: Nacionalizëm!

Kryetari i Komunës së Butelit – Darko Kostovski i cili vjen nga rradhët e VMRO-DPMNE-së ka dorëzuar iniciativë te Qyteti i Shkupit për të ndryshuar emrat e rrugëve dhe të kthejë emrat e vjetër. Sipas kësaj, 38 rrugët që mbajnë kryesisht emra të figurave shqiptare do të riktheheshin me emrat e vjetër. Reaguan partitë shqiptare, thonë se bëhet me motive nacionaliste, shkruan Portalb.mk.

Kostovski deklaroi se kjo nismë vjen nga qytetarët të cilët kërkojnë rikthimin e emrave të vjetër, dhe se nuk bëhet fjalë vetëm për rrugë me emra shqip, por edhe emërime të tjera përfshirë emra maqedonas.

Nisma është qytetare, e kam patjetër ta theksoj sepse e shoh se gjithnjë e më tepër flitet se ka nacionalizëm dhe të ngjashme, por të nënshkruar në këtë nismë ka edhe shqiptarë, bëhet fjalë për njerëz që kanë firmosur nga rruga “Kraishka”, tha Kostovski, i cili nuk tregoi emrat e tyre.

Fraksioni i BDI-së, i njohur ndryshe si “Grupi i Zjarrit” reagoi duke thënë nisma përveç se është tendencioze, është edhe joligjore, sepse vendosja e emrave të rinj të figurave shqiptare është bërë duke i respektuar të gjitha procedurat ligjore dhe duke e respektuar plotësisht Parimin e Badinterit.

“Ju bëjmë thirrje publike kryetarit të Komunës Butel dhe kryetares së Qytetit të Shkupit t’i vendosin tabelat me emërtimet e reja në gjuhën shqipe sepse është obligim ligjor! Këtë proces do ta ndjekim me vigjilencën më të madhe sepse Buteli është përafërsisht me 50% banorë shqiptarë dhe ky realitet duhet patjetër të respektohet”, thanë nga Grupi i Zjarrit.

Iniciativa e kryetarit të Komunës së Butelit për kthimin e emrave të vjetër në Komunën e Butelit, sipas këshilltarit komunal në Butel të AlternativësSamir Isenit bëhet vetëm nga motive antishqiptare.

“Ashtu siç mund të shihet nga kërkesa e tij, 90% e emrave që ai propozon të kthehen sipas emërtimit të vjetër janë emra të personaliteteve të historisë shqiptare. Ne kemi jetuar 70 vjet në Butel me emra të personaliteteve maqedonase, serbe e, madje, edhe vietnameze dhe nuk kemi shfaqur kurrë animozitet ndaj askujt, ndërsa Darko Kostovski as një vit nuk mund t’i durojë emrat e personaliteteve shqiptare. Kjo albanofobi nuk është më vetëm problem politik, por si duket është shndërruar në diagnozë. Këtu dua t’ia kujtoj kryetarit të Butelit se në komunën tonë zyrtarisht jetojnë 37% shqiptarë, ndërsa jozyrtarisht, sepse ai nuk lejon që njerëzit t’i regjistrojnë adresat e reja këtu, mund të jenë edhe 50%”, tha Iseni.

Kjo nismë nuk u prit mire as nga Aleanca për Shqiptarët, Izeir Mehmedi nga kjo parti tha se nisma është e dështuar dhe se shihet fryma nacionaliste dhe radikale e VMRO-së.