Burri i 41 vjeçares nga Durrësi që u vetëhelmua dënohet me burg

Gjykata e Durrësit vendosi të hënën masën “arrest në burg” për Xhemal Lokën, burrin e 41-vjeçares që më 3 janar u vetëhelmua për vdekje në kushte të rënduara psikologjike, shkruan RTSH24.

I pandehuri Xhemal Loka akuzohet se e ka keqtrajtuar viktimën fizikisht dhe psiqikisht derisa ajo ka bërë vetvrasje. Pasi policia i ka kontrolluar banesën e të pandehurit, ka gjetur armë e municion pa leje, gjë që e ka përforcuar akuzën.

“Nga deklarimet e marra familjarëve të të ndjerës, nga këqyrja e telefonave celularë si dhe veprimeve të tjera hetimore ka dyshime të bazuara në prova se i ndaluari ushtronte dhunë fizike dhe psikike ndaj të ndjerës, keqtrajtim i cili ka qenë sistematik dhe që dyshohet të kenë çuar të ndjerën në vetëvrasje.

Gjithashtu, bazuar në këtë dinamikë të evidentimit të faktit penal të ndodhur, më datë 06.01.2024, është këqyrur banesa e familjes Loka, ku rezultoi se ‘në kotecin e pulave në anën jugore të banesës … gjendet e mbështjellë me peshqir një armë zjarri automatike ‘PPS’, me krehër, pa fishek, pjesët e lëvizshme të rregullta e me gjilpërë të rregullt, me numër arme “89-0579′, si dhe ‘në këtë vend janë gjetur 114 copë fishekë, model ’54, kalibër 7,62mm dhe 4 katër fishekë model ’56, kalibër 7,62mm’, të cilat, pasi u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, u dërguan pranë Institutit të Policisë Shkencore Tiranë për t’iu nënshtruar ekzaminimit teknik balistik,” theksoi Prokuroria e Durrësit.

Në bazë të këtyre provave, por edhe pas deklaratave të vëllezërve të viktimës, Loka është arrestuar dhe momentalisht gjendet në burg.