Në Konferencën POINT u prezantua Rrjeti për luftë kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor

Në edicionin e 11-të të Konferencës POINT që filloi sot në Sarajevë të Bosnjës dhe Hercegovinës, u prezantua Western Balkans Anti-Disinformation Hub (Rrjeti për luftë kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor). Коnferenca POINT është konferenca më e madhe e këtij lloji në rajon, ndërsa i kushtohet llogaridhënies politike dhe teknologjive të reja. Ajo paraqet një lloj platforme të shoqërisë civile për inkurajimin e teknologjive të reja dhe një forum bashkëpunimi në rajon dhe më gjerë, transmeton Portalb.mk.

Edhe këtë vit, si edhe viteve të tjera, Konferenca organizohet nga shoqata “Zashto ne” (Pse jo) nga Sarajeva, së bashku me rrjetet ACTION SEE dhe Western Balkans Anti-Disinformation Hub, themelues i të cilave është Fondacioni “Metamorfozis” nga Maqedonia e Veriut, si dhe rrjetin See Check.

Në seancën e parë të POINT 1011, e cila u mbajt në Qendrën Rinore “Skenderija”, Filip Stojanovski, Drejtori për Partneritet dhe Zhvillim të Resurseve të Fondacionit “Metamorfozis”, bëri një prezantim të situatës lidhur me dezinformatat në vendin tonë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, si dhe të punës së Western Balkans Anti-Disinformation Hub (Rrjetit për luftë kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor), si një nga mjetet për ta trajtuar më mirë përhapjen ndërkufitare të dezinformatave në rajon.

“Filloi me të kuptuarit se dezinformatat në rajon nuk synojnë vetëm një vend, sepse dezinformatat që promovojnë interesa të dëmshme të huaja zakonisht përhapen përtej kufijve dhe “kopjohen”. Ajo që ne bëjmë përmes këtij rrjeti është se: ne i bashkojmë forcat e disa organizatave të llojeve të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe organizatat që prej kohësh punojnë në fushën e vërtetimit të fakteve dhe organizatat që sjellin kapacitete të tjera të ndryshme, si think-tank ose organizatat që punojnë me mediat dhe gazetarët investigativ. Ky Rrjet, me mbështetjen e Mbretërisë së Holandës, ka pjesëmarrës në të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor”, shpjegoi Stojanovski.

Thelbi i një bashkëpunimi të këtillë rajonal është mbledhja e njohurive dhe krijimi i përmbajtjeve edukative për publikun, njëkohësisht duke ndërtuar kapacitetet e mediave për ta kuptuar situatën që të mund të raportojnë më mirë. Rrjeti për luftë kundër dezinformatave në Ballkanin Perëndimor gjithashtu mundëson edhe kombinimin e forcave në mënyra të reja për t’i dokumentuar narrativat e dëmshme, pra për ta kombinuar informacionin me qëllim monitorimin e përhapjes së dezinformatave.

Siç shpjegoi Stojanovski, ideja nuk është vetëm të raportohet për fushata dezinformative apo incidentale, por të shkohet më tej, në dy drejtime të ndryshme: të inkurajohet gazetaria investigative, pra të shkohet më thellë dhe përtej zonës së vërtetimit apo analizimit të fakteve, por edhe të mundësohet përfaqësim, të sigurohen rekomandime dhe të inkurajohet krijimi i politikave për secilën prej shoqërive të veçanta në Ballkanin Perëndimor.

Ndikimi i dëmshëm synon edhe mendjet e qytetarëve

Drejtori për Partneritet dhe Zhvillim të Resurseve të FondacionitMetamorfozis” para publikut ndërkombëtar në Sarajevë e prezantoi edhe ndikimin e rrezikshëm për ndryshimin e qëndrimeve të qytetarëve që udhëhiqen nga qendrat e huaja të fuqisë.

“Llojet e ndryshme të narrativave dezinformative përdoren në një mënyrë të përshtatur për të ndryshuar të menduarit dhe marrjen e informacionit nga njerëzit nga vendet e ndryshme. Meqenëse situatat në vende të ndryshme janë të ndryshme, edhe problemet janë të ndryshme. Këto fushata dezinformative dhe narrativa dezinformative gjithashtu kishin për qëllim edhe që t’i përçajnë dhe dobësojnë shoqëritë tona. Në një kuptim të përgjithshëm, këto narrativa dezinformative janë antiperëndimore, antidemokratike, anti-liberale-demokratike. Ato promovojnë disa versione ndryshe të demokracive apo autoritarizmit dhe janë të dizajnuara për të ngjallë mosbesim”, tha Filip Stojanovski, duke sqaruar se shënjestër e “ngjalljes së mosbesimit” janë edhe institucionet ndërkombëtare, edhe institucionet e shteteve në rajon, që të zëvendësohen nga disa autoritare ose ato mafioze, apo struktura populiste.

Një pjesë e madhe e përpjekjeve të tilla drejtohen kundër BE-së dhe NATO-s, të cilat prezantohen si një kërcënim dhe si një faktor i dëmshëm, sidomos nëpërmjet ringjalljes së narrativave që ishin të pranishme në Ballkan në vitet 1990, kur realisht kishte shumë propagandë që formësonte mendimet e njerëzve.

Si shembull posaçërisht interesant i “sulmit” ndaj institucioneve shtetërore, Stojanovski e theksoi shembullin e Maqedonisë, gjegjësisht reagimet ndaj mbështetjes dhe ndihmës nga Maqedonia e Veriut për Ukrainën.

“Sa i përket Ukrainës, ne kemi pasur narrativa se sanksionet u shkaktojnë dëm vendeve në Evropë ose se mbështetja për Ukrainën po i shkakton dëm vendit tonë. Për shembull, në Maqedoninë e Veriut, e cila i dha një pjesë nga armët e saj të tepërta Ukrainës, tani ka narrativa se kjo gjë e ka dëmtuar ekonominë dhe se vendi ynë i varfër nuk mund ose nuk duhet t’i mbështesë vendet e tjera dhe të ofrojë ndihma humanitare ose ndihma të tjera dhe se tani ne jemi të pambrojtur”, sqaroi Stojanovski.

Ai theksoi se dezinformatat nuk janë vetëm problem mediatik apo i edukimit mediatik, por edhe problem sigurie.

“Prandaj duhet t’i trajtojmë me shumë kujdes dhe përpjekje, ngjashëm si bashkimi i lartpërmendur i organizatave të ndryshme, kështu që duhet të ketë edhe një bashkim të faktorëve në shoqëri – si në nivel të një vendi, ashtu edhe në nivel rajonal. “, theksoi Drejtori për Partneritet dhe Zhvillim të Resurseve të Fondacionit “Metamorfozis”.

Para publikut ndërkombëtar ai sqaroi se në këtë aspekt shembulli i Maqedonisë së Veriut është frymëzues dhe i mirë, ku me kalimin e kohës u ndërtua një sistem për konsultime ndërmjet organizatave joqeveritare – si atyre të interesuara për zhvillimin e mediave ashtu edhe atyre të interesuara për luftën kundër dezinformatave. Më pas kjo përpjekje u përmirësua, theksoi Stojanovski.

“Kur ne i bëmë kërkesë qeverisë për të ndërtuar një sistem që do të jetë një rrjet strategjik kombëtar për përballje me këtë problem, për shkak të vullnetit politik që ekziston, ajo u pranua dhe tani po ecim përpara me krijimin e politikave për përballje me këtë problem, të cilat duhet ta përfshijnë gjithë shoqërinë”, tha Stojanovski.

Konferenca POINT 1011 filloi sot në Sarajevë, ndërsa do të zgjasë edhe nesër dhe pasnesër, me një panel diskutimesh dhe punëtorish për ndërtimin e kapaciteteve.