Bullgarët dhe bektashitë në Tetovë përmenden në raportin e ri të ShBA-së për liritë fetare në RMV
Statusi i ri i Kishës Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit nuk u zgjidh plotësisht në fund të vitit, sipas raportit të Departamentit të Shtetit për liritë fetare për vitin 2022. Qeveria amerikane thotë se Patriarku i Kishës Ortodokse Lindore e ka njohur KOM-KO si kanonike, duke i dhënë fund një periudhe të gjatë mosnjohjeje nga Kisha Ortodokse globale, transmeton Portalb.mk.
“Kisha Ortodokse Serbe (KOS), nga e cila KOM-KO u nda në vitin 1967, ka njohur autoqefalinë e KOM-KO, edhe pse disa vëzhgues të kishës kanë deklaruar se vetëm Patriarku Ekumenik ka të drejtë të japë autoqefalinë”, thuhet në raportin e Departamentit të shtetit.
Në të, shprehet mendimi i BFI-së se qeveria vazhdon të tregojë favorizime ndaj KOM-KO-së, ndonëse është shënuar progres në marrëdhëniet ndërmjet BFI-së dhe Qeverisë.
“Përfaqësuesit e ambasadës u takuan me kreun e KOM-OA, kryepeshkopin e Ohrit dhe Maqedonisë, Stefan dhe udhëheqësin e BFI-së, Reis Shaqir Fetahu, për të diskutuar çështjet e lirisë fetare, përfshirë perceptimin e favorizimit të qeverisë ndaj grupeve të caktuara fetare. Ata u takuan gjithashtu me përfaqësues të grupeve të tjera fetare për të diskutuar qëndrimin e qeverisë ndaj grupeve më të vogla dhe respektimin e lirisë së tyre fetare. Gjatë gjithë vitit, ambasada përdori mediat sociale për të përhapur mesazhe që theksonin rëndësinë e lirisë fetare,” vuri në dukje SHBA.
Qeveria amerikane thekson se vitin e kaluar Maqedonia e Veriut vazhdoi të shqyrtojë ndryshimet në ligj që do t’u mundësonte kishave dhe xhamive individuale të merrnin status ligjor, gjë që është kërkesë e KOM-KO dhe Bashkësisë Fetare Islame në Maqedoninë e Veriut.
Janë vënë në dukje dallimet në mes të qeverisë dhe komunitetit bektashi të Tetovës në lidhje me regjistrimin e këtij grupi fetar. Departamenti i Shtetit vuri në dukje se komuniteti nuk ri-aplikoi për regjistrim sepse ishte i shqetësuar se do të duhej të ndryshonte emrin e vet.
“Anëtarët e Bektashinjve të Tetovës kanë raportuar sërish për maltretime nga qeveria, anëtarët e Bashkësisë fetare bektashiane dhe grupi i shkëputur i Tetovës që tentoi të merrte faltoren në gusht; u thirr policia për të ruajtur qetësinë. Lideri botëror i Bektashinjve kërkoi nga qeveria që të mbrojë lirinë fetare të bektashinjve të Tetovës dhe t’u përgjigjet, siç tha ai, provokimeve dhe kërcënimeve në rrjetet sociale kundër komunitetit”, theksoi Departamenti i Shtetit.
Në raport thuhet se shkollat e mesme të menaxhuara nga KOM-OA dhe BFI kanë mbetur të paakredituara në fund të vitit dhe kjo ka penguar studentët të regjistrohen në universitete.
Në raportin vjetor për lirinë fetare ndërkombëtare, qeveria amerikane iu referua edhe hapjes së klubeve bullgare në Maqedoninë e Veriut.
“Komuniteti hebre tha se hapja e dy klubeve kulturore bullgare të emërtuara sipas individëve që punuan me gjermanët në Luftën e Dytë Botërore fyen kujtimin e hebrenjve të Maqedonisë së Veriut që humbën jetën në kampin e vdekjes në Treblinka. Demonstruesit dhe policia u përleshën në hapjen e një prej klubeve. Pas protestave, më 2 nëntor, parlamenti ndryshoi ligjet përkatëse për të ndaluar regjistrimin dhe funksionimin e subjekteve që mbanin emrat dhe simbolet e nazizmit, nacional-socializmit apo të Rajhut të Tretë ose që mbrojnë intolerancën, urrejtjen, fashizmin. Mediat raportuan një incident vandalizmi ndaj një manastiri të vendosur në një zonë me shumicë myslimane dhe 13 incidente vjedhjesh nga kishat, manastiret dhe xhamitë gjatë vitit”, thuhet në raport.
Sekretari i Shtetit Anthony Blinken tha se raporti ofron një pasqyrë gjithëpërfshirëse, të bazuar në fakte të gjendjes së lirisë fetare në gati 200 vende dhe territore anembanë botës.
Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të qëndrojnë dhe të mbështesin mbrojtësit e guximshëm për lirinë fetare. Ne do të vazhdojmë të mbrojmë lirinë fetare në vendet ku të drejtat janë nën sulm, si publikisht ashtu edhe drejtpërdrejt në angazhimin tonë me zyrtarët qeveritarë. Do të vazhdojmë të punojmë për të mbrojtur dhe promovuar lirinë fetare këtu në shtëpi, duke përfshirë përmes task-forcës ndërinstitucionale që Presidenti Biden krijoi në dhjetor për të luftuar paragjykimet fetare dhe diskriminimin,” tha Blinken në një konferencë shtypi në Uashington.