Biden dhe liderët evropianë i bëjnë thirrje Hamasit ta pranojë marrëveshjen e armëpushimit

Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Joe Biden dhe gjashtëmbëdhjetë liderë tjerë botërorë, nëpërmjet një deklarate të përbashkët, kanë kërkuar nga grupi palestinez Hamas dhe Izraeli të arrijnë një marrëveshje për armëpushim. Biden edhe para disa ditëve shpalosi një propozim në tre faza, me të cilin mund të arrihet një paqe mes grupeve të konfliktit, shkruan REL.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden dhe gjashtëmbëdhjetë liderë të tjerë botërorë kërkuan të enjten nga Hamasi – grupi palestinez i shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe fuqi të tjera – që të pranojë një marrëveshje armëpushimi dhe nga Izraeli që të pranojë kompromise.

“Nuk ka kohë për të humbur. Ne i bëjmë thirrje Hamasit të mbyllë këtë marrëveshje”, thuhet në deklaratën e lëshuar nga Shtëpia e Bardhë.

Deklarata u nënshkrua nga krerët e fuqive kryesore evropiane, Britanisë, Francës dhe Gjermanisë, si dhe nga Spanja, e cila së fundmi e ka njohur shtetin palestinez. Kjo deklaratë mblodhi edhe liderë të Brazilit dhe Kolumbisë. Deklarata e së enjtes u nënshkrua gjithashtu nga Tajlanda, e cila ka një fuqi të madhe punëtorësh në Izrael. Vende të tjera që nënshkruan deklaratën ishin Austria, Bullgaria, Kanadaja, Danimarka, Polonia, Portugalia, Rumania dhe Serbia.

Shtetet e Bashkuara kanë thënë vazhdimisht se i takon Hamasit të pranojë marrëveshjen, por deklarata gjithashtu bëri thirrje për fleksibilitet nga Izraeli.

“Në këtë moment vendimtar, ne u bëjmë thirrje udhëheqësve të Izraelit si dhe Hamasit që të bëjnë çfarëdo kompromisi përfundimtar të nevojshëm për të mbyllur këtë marrëveshje dhe për të sjellë lehtësim për familjet e pengjeve, për ata në të dyja anët e këtij konflikti të tmerrshëm, përfshirë civilët”, thuhet në deklaratë.

“Është koha që lufta të përfundojë dhe kjo marrëveshje është pika e nevojshme fillestare”. Ditë më parë, Biden e shpalosi një propozim trefazësh të Izraelit për përfundimin e konfliktit në Rripin e Gazës, duke thënë se “ka ardhur koha që kjo luftë të marrë fund”.

Faza e parë përfshin një armëpushim gjashtë-javor, gjatë të cilit forcat izraelite do të tërhiqeshin nga “të gjitha zonat e banuara “ të Gazës, disa pengje – të moshuar dhe gra – do të liroheshin në këmbim të lirimit të qindra të burgosurve palestinezë; civilët palestinezë do të ktheheshin në shtëpitë e tyre në Gazë; dhe 600 kamionë në ditë do të dërgonin ndihmë humanitare në enklavën e rrënuar.

Në fazën e dytë, Biden tha se do të shkëmbeheshin të gjitha pengjet e gjalla, përfshirë ushtarë; forcat izraelite do të tërhiqeshin nga Gaza dhe armëpushimi i përhershëm do të niste. Faza e tretë parasheh një plan të madh rindërtimi për Gazën, si dhe rikthimin e “mbetjeve të fundit” të pengjeve te familjet e tyre.

Hamasi e sulmoi Izraelin më 7 tetor të vitit të kaluar, duke vrarë mbi 1.200 njerëz dhe duke marrë peng rreth 250 të tjerë. Pas këtij sulmi, nisi lufta në Rripin e Gazës – të kontrolluar nga Hamasi. Dhjetëra pengje të marra prej këtij grupi, u liruan gjatë një armëpushimi në nëntor, ndërsa disa të tjera u gjetën – të vdekura ose të gjalla – nga trupat izraelite.