BFI për protestën e Kishës Ortodokse: Nuk shkojmë dhe nuk ftojmë për pjesëmarrje
Bashkësia Fetare Islame njofton besimtarët dhe opinionin publik se qëndrimi i saj rreth propozim ligjeve të kodit civil, të cilat kanë hapur debat ditëve të fundit, është se të njëjtat janë në kundërshtim me parimet fetare dhe nuk do t’í përkrahin, njofton Portalb.mk.
“BFI edhe më herët doli me qëndrim se mbështet vendimin e gjithë krerëve të bashkësive fetare në vend, i cili doli si rezultat i mbledhjes së përbashkët me datë 07.05.2023, me ç’rast u theksua se ligjet në fjalë që janë në kundërshtim me parimet fetare nuk do të përkrahen. BFI historikisht, në të kaluarën, aktualisht dhe në të ardhmen, gjithnjë do të qëndrojë në mbrojtje të vlerave: fetare kombëtare, morale dhe shpirtërore, sepse mbrojtja e këtyre vlerave është obligim fetar për mbrojtjen e shoqërisë njerëzore. Çdo një nismë, çdo një ide apo parim juridik që bie ndesh me natyrën njerëzore, për BFI-në është e papranueshme. Në baze të informacioneve që kemi ligjet e diskutueshme në Parlament, janë tërhequr nga procedurat e mëtejmë dhe për këtë e përgëzojmë Qeverinë që ka ndërmarrë një hap të tillë”, thonë nga BFI.
Në lidhje me protestën e KOM, nga BFI thonë se nuk shkojnë dhe nuk ftojnë për pjesëmarrje në këtë protestë.
“Bashkë me të gjitha bashkësitë fetare dolëm me qëndrim të përbashkët më 07.05 se jemi kundër ligjeve. Askush nuk do të vijë në protesta dhe nuk do të ftojmë për pjesëmarrje në to”, theksoi për “Makfax”, Agron Vojnika.
Ndryshe, nën moton “Kemi detyrë”, Kisha Ortodokse Maqedonase – Kryepeshkopata e Ohrit (KOM-KO) sot do ta mbajë tubimin e paralajmëruar “gjithëpopullor” në shenjë proteste kundër projektligjeve për barazi gjinore dhe për të dhënat e lindjes. Sipas tyre, këto, të cilat thotë se janë një kërcënim serioz për shoqërinë.
Tubimi do të fillojë në orën 18:00 përballë Katedrales “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup.
Duke paralajmëruar tubimin, peshkopi Jakov Stobiski, i cili këto ditë ka qenë në sy të publikut me deklaratat e tij për transgjinorët dhe popullatën LGBTI, në një konferencë për media deklaroi se protesta nuk është e drejtuar kundër pjesëtarëve të komunitetit LGBTI, por ekskluzivisht kundër përmbajtjes së dy ligjeve, miratimi i të cilave, siç thotë ai, do të kërcënonte seriozisht të drejtat e 99 për qind të popullsisë së vendit.
Ipeshkvi Stobiski dje iu drejtua sërish publikut dhe përmes një video-incizimi u bëri thirrje qytetarëve që të marrin pjesë në tubimin e sotëm.
“Ne kemi për detyrë të nxjerrim në shesh gënjeshtrën, të flasim dhe të rrëfejmë të vërtetën fort dhe qartë, por edhe të mbrojmë fëmijët dhe familjen dhe të mbrojmë lirinë që nuk na është dhënë jo vetëm ashtu, por për të, jo dikush tjetër, por Krishti ka paguar çmim të shtrenjtë. Shumë të shtrenjtë për t’u bërë skllevër të njerëzve, të disa ideologjive njerëzore në kundërshtim me frymën e ungjillit”, tha peshkopi Jakov Stobiski në fjalimin e tij me video.
Në prag të tubimit të sotëm, peshkopi Dremvitski David shkroi mbrëmë në blogun e tij se është i vetëdijshëm për faktin se shteti është laik dhe se kisha nuk ka të drejtë të sjellë ligje në Kuvend, por ndryshe nga shteti, siç tha ai, kisha ka rregullat e veta të brendshme.
Nga ana tjetër, Platforma për Barazi Gjinore dhe Rrjeti për Mbrojtje nga Diskriminimi dënuan thirrjen për protestë të KOM-AO, qëllimi i vetëm i së cilës, thonë ata, është të bëjë presion publik për tërheqjen e dy projektligjeve, duke e vlerësuar si një ndërhyrje të drejtpërdrejtë në laicitetin e shtetit dhe mosrespektim të Kushtetutës dhe mbi të gjitha të grave në vend dhe mosnjohje të situatave të tyre reale.
Ndryshe, drejtori i Agjencisë së Inteligjencës, Erold Musliu, paralajmëroi pak ditë më parë se vendi do të jetë cak i propagandës dezinformative për ndryshimet kushtetuese, çështjen kishtare dhe zgjedhjet e vitit 2024. Ai shtoi se në vend aktualisht po zhvillohet një operacion klasik i kontrollit refleksiv përmes një fushate dezinformuese lidhur me procesin e pranimit të Kishës Ortodokse Maqedonase në Kryedioqezën e Ohrit.