Berisha: Kryengritja nuk ndërpritet pa rrëzuar qeverinë!
Kryedemokrati, Sali Berisha, ka nisur komunikimin e tij virtual me një urim për Shën Valentinin. Ai theksoi se dashuria është e pashtershme dhe përfaqëson forcën e shpirtit, mendjes dhe trupit të njeriut, raporton Klan.
Më tej, u ndal te protesta e 10 shkurtit duke e cilësuar “si kryengritjen paqësore më të fuqishme në historinë e Shqipërisë pas 1991”.
Berisha e përshkroi këtë ditë si një shfaqje të guximit dhe dinjitetit të shqiptarëve.
Ai nënvizoi se qytetarët që dolën në shesh të 10 shkurtit përcollën mesazhin e shpresës dhe të dinjitetit, duke theksuar rëndësinë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian të bazuar në meritë dhe jo në mashtrime apo lobime korruptive.
Sipas kreut të PD-së, “kryengritja nuk ndërpritet pa rrëzuar qeverinë”.
I pyetur për ish-deputetët, ish-kryebashkiakët, ish-kryetarët e qarqeve apo ish-prefektët që nuk angazhohen tek PD dhe protesta, Berisha tha:
Ata, të cilët nuk angazhohen në protestë dhe janë shpërblyer nga PD, ata e kanë haram me shprehjen popullore qumështin e nënës së tyre. Se nuk i lind nëna për të kryer akte të tilla ndaj demokratëve dhe ndaj PD dhe opozitës. Kaq mund të them për ta.
“Ne jemi në betejë, jemi në kryengritje paqësore dhe kjo ka shumë forma. Ne nuk ndalemi në këtë betejë”, përfundoi me bindje Berisha.