Bekim Sali u zgjodh ministër i Eurointegrimeve, Muhamed Hoxha i Mjedisit Jetësor
Parlamenti sot zgjodhi Muhamet Hoxhën si Ministër të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Bekim Saliun si Ministër të Çështjeve Evropiane. Ministrat e rinj, të cilët zëvendësojnë Izet Mexitin dhe Orhan Murtezanin e shkarkuar paraprakisht, bënë deklarata solemne para deputetëve menjëherë pas zgjedhjes, transmeton Portalb.mk.
Kryeministri Hristijan Mickoski shpjegoi propozimet, duke vënë në dukje se zgjedhja synon të pajisë plotësisht Qeverinë dhe të sigurojë vazhdimësi në resorët kryesorë.
Ai theksoi se përvoja e gjatë e Hoxhës në administratë është thelbësore për politikat e zhvillimit të qëndrueshëm, ndërsa theksoi se angazhimi i mëparshëm ministror dhe parlamentar i Saliut do të kontribuojë në koordinim më efikas të procesit të integrimit evropian.
Ndërsa shumica qeverisëse u dha mbështetje të plotë kandidatëve, opozita lëshoi kritika të ashpra. LSDM i vlerësoi zgjedhjet si “teatër politik” për të mbuluar dështimet në reforma dhe ekonomi, ndërsa ASH problematizoi shkarkimin e Murtezanit në vend të dorëheqjes së tij.
Zgjedhja e anëtarëve të rinj të Qeverisë erdhi pas zgjedhjeve lokale të mbajtura në tetor, pasi Izet Mexiti mori postin e kryetarit në Komunën e Çairit, i cili kishte shërbyer si zëvendëskryeministër i parë dhe ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor.
Në rend të ditës janë edhe propozimi për emërimin e një anëtari jo-ekzekutiv të Bankës Popullore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, propozimi për Ligjin për ratifikimin e protokollit shtesë 7 për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të marrëveshjes për ndryshimin dhe aderimin në Marrëveshjen e tregtisë së lirë të Evropës Qendrore, propozimi për Ligjin për huamarrjen e Republikës së Maqedonisë së Veriut me hua nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim sipas marrëveshjes së huasë për financimin e projektit “Rinovimi i mjetit lëvizës të mallrave” të Hekurudhave të Republikës së Maqedonisë së Veriut – Transporti SHA Shkup, me procedurë të shkurtuar, Propozimi për ligjin për ndryshimin e ligjit për lojërat e fatit dhe lojërat argëtuese, me procedurë të shkurtuar, dhe Propozimi për ligjin për ndryshimin e ligjit për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, me procedurë të shkurtuar.
Deputetët kanë para tyre edhe disa projektvendime për miratimin e programeve vjetore të disa institucioneve – Projektvendimin për miratimin e programit vjetor të punës së Agjencisë Postare për vitin 2026 dhe Projektvendimin për miratimin e programit vjetor të punës dhe Zhvillimit për vitin 2026 të Agjencisë për Rregullimin e Sektorit Hekurudhor dhe Strategjinë e Rishikuar Fiskale të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitet 2026-2030.