BDI për ndërtimet e reja në Tetovë: Fundi i Qendrës së Vjetër Tregtare, Kasami vazhdon me betonizimin e qytetit dhe shitjen e papërgjegjshme të pronës publike
Lidhur me ndryshimet e planifikuara në Planin Detal Urbanistik për Bllokun Urban 42 në Tetovë, ku planifikohet fundi i qendrës së vjetër tregtare dhe ndërtesa shumë katëshe në qendër të qytetit, ka reaguar edhe BDI-ja. Sipas tyre, pronat publike që u takojnë të gjithë qytetarëve po shiten si të ishin pasuri private, duke i shërbyer interesave të klanit të kryetarit të Komunës së Tetovës dhe jo të ardhmes së qytetit. Komuna e Tetovës nuk u përgjigj në pyetjet gazetareske, transmeton Portalb.mk.
Nga BDI thonë se rasti i fundit me ndryshimet e planifikuara për Bllokun Urban 42 në Tetovë ka ngritur shqetësime serioze në opinion.
“Drafti i ri i planit urbanistik, i miratuar nga Komuna e Tetovës, shënon fundin e Qendrës së Vjetër Tregtare dhe në vend të saj parashikon ndërtimin e dy kullave të mëdha banesore e afariste. Në radhë të parë, një zhvillim i tillë pritet të ndikojë negativisht në komunikacion, duke rritur ndjeshëm qarkullimin e automjeteve në një zonë tashmë të ngarkuar. Për më tepër, ndërtimi i kullave të larta do të thellojë procesin e betonizimit të qytetit, duke reduktuar hapësirat publike të gjelbra dhe duke cenuar ekuilibrin estetik e historik të qendrës së vjetër”, thanë nga BDI.
Ata shtuan se Tetova nuk ka nevojë për më shumë betonizim, por për më shumë gjelbrim, parqe, shkolla, kopshte dhe infrastrukturë cilësore.
Më 13 gusht 2025, në ambientet e Komunës së Tetovës, u mbajt prezantimi publik i Draft-Planit të ndryshimeve dhe plotësimeve të Planit Detal Urbanistik për Bllokun Urban 15, Bllokun Urban 23, Bllokun Urban 41 dhe Bllokun Urban 42 – Komuna e Tetovës (2023–2028).
Ndërsa njoftimi për këtë debat publik u bë vetëm dy ditë para mbajtjes.
Menjëherë ndaj kësaj reaguan nga nisma Tetova Do Park, ata publikuan ndryshimet e planifikuara për Bllokun Urban 42, ku draft i ri i planit urbanistik shënon fundin e qendrës së vjetër tregtare dhe parashikon dy kulla të mëdha në vend të saj.
“Plani parashikon një zonë të re ndërtimi me lartësi 8 m, të destinuar për një qendër tregtare, në vendin e të gjithë kompleksit “Lovec”, i cili do të zërë të gjitha barakat ekzistuese. Në mes, kjo ndërtesë ngrihet në pesë kate, dhe lartësi prej 19.2 m, dhe në skajet e saj, ngrihen dy ndërtesa të mëdha dhjetëkatëshe me një lartësi të planifikuar deri në 34.2 metra. Le të theksojmë se zgjidhja e trafikut në projekt parashikon një hyrje dhe dalje të vetme në brendësi të bllokut vetëm përmes qasjes aktuale – domethënë përpara Postës së Vjetër”, thanë nga Tetova Do Park.
Për më tepër, ata treguan se përgjatë rrugëve “Strasho Pinxhur” dhe “Todor Cipovski-Merxhan”, projekti parashikon ndërtesa tetëkatëshe në vend të të gjitha ndërtesave aktuale të vjetra me tre dhe katër.
Portalb.mk kërkoi sqarime nga Komuna e Tetovës për këto ndryshime si dhe parashtruam pyetjen se a nuk u betonizua mjaftueshëm qyteti, por përgjigje nuk morëm.

Në Tetovë periudhën e fundit në Komunën e Tetovës shpërthyen disa ‘krime’ urbanistike, si shitja e ish Monopollit, legalizimi me shumë shkelje i vikend shtëpizës së Faton Murselit në Kodrën e Diellit dhe ndërtimi i ndërtesave me më shumë kate se të planifikuara. Ndërkaq, në disa pjesë të qytetit ka filluar ndërtimi i disa ndërtesave tjera shumë katëshe.
Në ndërkohë, Tetova nuk ka ende park të qytetit.
Tetova që nga viti 2003 nuk ka Plan Gjeneral Urbanistik, dhe kjo është ndër arsyet e kaosit urbanistik në qytet.
Plani Gjeneral Urbanistik i ri për qytetin pritet të miratohet në vitin e ardhshëm 2026, pas zgjedhjeve lokale që do të mbahen në vjeshtë.
Përndryshe, në programin zgjedhor ‘Me ka krejt për Tetovën’ 2021-2025 me të cilin kryetari i Komunës së Tetovës Bilall Kasami garoi dhe fitoi në zgjedhjet e fundit lokale tetorin e vitit 2021, mes tjerash përmend edhe hapësirat e gjelbra.
Te pjesa e urbanizmit, konkretisht në faqe 22 thuhet se do të revidohet dhe zgjerohet Plani Urbanistik për të lejuar ndërtimin e komplekseve banesore, apo edhe qendrave biznesore, sipas standardeve ku së paku 1/3 e hapsirës të jetë me pjesë të gjelbëruar dhe me zona rekreacioni.
Ndërkaq në faqe 26 premtohet: Plan afatmesëm për zgjerimin e hapsirave të gjelbërta.
Por, tashmë afër fundit të mandatit, këto pika të programit nuk janë realizuar në terren.
- LEXO: Tetovë, në çdo cep ndërtohen banesa sipas qejfit të biznesmenëve me ‘Amin’-in e komunës, përderisa s’ka asnjë park (VIDEO)
- LEXO: Tetova në kaos urbanistik: Mafia urbane lulëzon, Kasami arsyetohet
- LEXO: Mafia urbane lulëzon në Tetovë: Shkeljet që mbajnë vulën e Bilall Kasamit dhe ekipit të tij
- LEXO: ‘Tragjedi urbane’: Tetova mbeti e betonizuar dhe pa park, Komuna nuk ka zgjeruar hapsirat e gjelbra
- LEXO: Rasti i Monopollit: Ka qenë në dorë të Kasamit të vendosë nëse aty do të ndërtohen banesa, apo jo
- LEXO: Biznesi i bën planet urbanistike, Komuna e Tetovës vetëm e ndihmon